Gonxhja: Bylisi, krenaria ilire mbi Vjosë, duam ta kthejmë në qendër zhvillimi (FOTOT)

21 Qershor 2025, 18:08Kulturë TEMA
Gonxhja: Bylisi, krenaria ilire mbi Vjosë, duam ta kthejmë në

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale theksoi sot se Bylisi është krenaria ilire mbi Vjosë që synojmë ta kthejmë në një qendër zhvillimi.

Gonxhja bëri të ditur se, sot falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të IPA “BE për zhvillimin ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik vendor, me fokus mbi trashëgiminë kulturore” dhe zbatuar nga AICS, Parku Arkeologjik Bylis dhe qyteti antik Klos nuk do jenë thjesht vende për t’u vizituar.

Sipas tij, “këto vende do të kthehen në qendra zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi për mbrotjen e qëndrueshme dhe restaurimin profesional, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët”.

“Përmes këtij plani krijojmë mundësi të reja për komunitetin lokal në turizëm dhe artizanat, programe edukimi dhe përfshirje për brezat e rinj, si dhe bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe partnereve ndërkombëtarë”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja e konsideroi këtë hap,  një përpjekje e përbashkët e MEKI, AICS, Delegacionit të BE-së, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë, për ta kthyer trashëgiminë në motor të zhvillimit të qëndrueshëm.

Parku Arkeologjik i Bylisit, i ngritur mbi një kodër që mbikëqyr me krenari luginën e Vjosës, është një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë dhe një pasuri e rrallë arkeologjike për të gjithë vendin. Me mure monumentale të shekullit IV p.e.s., një teatër impresionues, mozaikë të mrekullueshëm dhe pesë bazilika paleokristiane, Parku Arkeologjik i Bylisit është një muze i hapur nën qiellin mesdhetar, shkruan atsh.

 

Lini një Përgjigje