Histori që udhëtojnë bashkë me jetën e autorit

31 Dhjetor 2025, 14:38Kulturë TEMA
Histori që udhëtojnë bashkë me jetën e autorit

 

Nga Fatmir MINGULI 

 

                ( Shënime mbi librin “HEBREU I FUNDIT ” të Shkëlqim Hajnos, Botime Fishta, 2023)

                                                                                                        Në një takim me autorin e librit “Hebreu i fundit” para ca kohësh në Sarandë, pata kënaqësinë të njihesha me këtë intelektual dhe pasi ai më dhuroi librin tij “Hebreu i fundit” unë i kërkova ca të dhëna për krijimtarinë e tij. 

    “- Në vitin 1980 boton në shtëpinë Botuese "Naim Frashëri" librin me tregime "Vjedhësi i viteve" me motive satiro humoristike për realitete nga përditshmëria e para viteve '80 dhe më pas një varg botimesh në organe të ndryshme të shtypit të kohës (revista "Hosteni", "Ylli", "Mësuesi", etj,.) 

     -Motivet dhe karakteret njerëzorë që e shoqëruan për rreth dyzet vite si gazetar, para dhe pas vitit 1990, udhëtuan tok me të, kur endej mbi një motor "MZ" nëpër vise të jugut të Shqipërisë si gazetar rezident, për t'u sendërtuar një ditë, në një vëllim me tregime dhe novela në një diapazon kohor nga mesjeta e largët deri në përditshmë e sotme.

      -I lindur në qytetin e Ali Pashës, me origjinën e prindërve nga një fshat i Kurveleshit, i njohur për emigrimin masiv; ( Në një letër të Imzot Fan Nolit, Hirësia e Tij falënderon kontributin e komunitetit Lekdushas në Amerikë në dobi të Kishës Autoqefale të Shqipërisë. );

     -Me mbi gjysmën e jetës në Sarandë si gazetar profesionist, shkrimtar dhe njeri i lidhur me mediat dhe shoqërinë civile.” 

 

 Shkëlqim Hajno

     I çliruar nga ky merak i hyra librit të tij të dytë “Hebreu i fundit” me një kërshëri të çuditshme. Mos vallë se ky shkrimtar ishte jugor nga jam dhe vetë si origjinë! Mos vallë se si një gazetar do botojë libër me tregime e novela! Asnjë “mos vallë” nuk lind kur i shkon në fund këtij libri që ka aq shumë vlera sa që merr atributet e një libri model tregimesh. Ja se çfarë shkruan studjuesi Skënder Buçpapa për këtë libër të Shkëlqimit:

     “Dhe duket se nuk i ka zgjedhur autori personazhet, por e kanë zgjedhur vet personazhet autorin e tyre. I kanë dalë përballë, kanë marrë vëmendjen e tij, kanë fituar zemrën e tij dhe autori i ka portretizuar duke i gdhendur, duke iu dhënë atyre jetë të përjetshme- disa me pamje e tipare të plota, disa në profil, disa në hije të sfondeve të gjithfarshme të jetës dhe të historisë shqiptare, gjithmonë e tronditur dhe asnjëherë e qetë, asnjëherë e paqësuar. Janë të gjithë fate të trazuara njerëzore të cilët i kanë rrëmbyer dallgët e jetës dhe i kanë hedhur pa mëshirë nëpër relievet e ashpra të jetës shqiptare.” 

    Personazhet e librit “Hebreu i fundit” janë karaktere të reja në prozën shqipe, personazhe që së shumti kanë brenda tyre dy jetë, atë të periudhës moniste e atë të post ’90 -tës. Janë dyzime jo si artifica të shkrimtarit por janë realitete që vetë jeta prej gazetari i ka servirur Shkëqlimit. Tregimet dhe novelat e tij kanë si kryefjalë sinqeritetin narrativ e mos vallë kjo vjen nga që gazetari i hershëm që jep vetëm lajme të vërteta! Por nuk është fare kështu. Ai së pari është shkrimtar. Gazetaria vetëm e ka ndihmuar të skedojë portrete personazhesh e lloje ngjarjesh. Tek ai ashtu si tek Bashkim Hoxha në Durrës dhe Koço Kosta në bregdetin tonë edhe Shkëlqimi, më parë është shkrimtar dhe pastaj gazetar. Dikush tha se njerëzit e bregut nuk shesin mend! Mundet po Shkëlqimi e vërteton më së miri këtë. Në tregimet “Lotët e sorkadhes”, “Hebreu i fundit”, “Vals në pranverë” “Ditlindja e majorit”, “Taverna”, janë tregime shpirtërore ku ndriçohen vetitë më të bukura të njeriut, përpos që subjektet kanë sharmin e së papriturës. Një veti e tregimeve të këtij libri model, është se intersektohen kohë të ndryshme, që vetë Shkëlqimi e thotë… sendërtuar në një vëllim me tregime dhe novela në një diapazon kohor nga mesjeta e largët deri në përditshmë e sotme. 

Jo vetëm kaq, por në tregimet e tij si te “Hari Muka” ka një novitet të rrallë siç është intersektimi i frikës me ekzistencializmin, treguar me shkallëzime psikologjike që e bëjnë narracionin jo linear por turbulent ashtu siç ështe vetë jeta. Natyra shqiptare, e njohur aq mirë nga shkrimtari Shkëlqim Hajno, është personazh më vete në shumë tregime si “Lulet e bajames së egër” dhe në dy novelat e fundit. Kjo e shton guximin për të dhënë sa më reale ato që ai do t’i tregojë.

  Shumë tregime kanë aromën e religjiozes, kryesisht të priftërinjve ortodoksë që zbukurojnë anën shpirtërore të njeriut. Në këto shënime të mia, nuk do lija pa përmendur tregimin “Aroma e vjetër e trandafilit” ku subjekti tregohet me vibrime të larta të ndjenjave shoqëruar me metafora të çuditshme që nga lloji i sapunit, këmisha rozë seksi e asaj që tronditi shpirtin e djalit të ri e deri te aroma e gruas. Shkëlqim Hajno ka një veti që përdor pavetëdijshëm një humor të thellë por të fshehur, përdor armën e kujtimeve krejt natyrshëm duke i vërtitur ato jo vetëm në kujtesën e tij po duke i servirur bukur në libër e duke e kthyer në një libër shpirti. Jo kushdo mund ta bëjë këtë në një libër voluminoz siç është “Hebreu i fundit” e sidomos me dy novelat e fundit të cilat përbëjnë libër më vete. 

Lini një Përgjigje