Aktorja korçare, Ilda Pepi prej disa vitesh dizenjon kostume e maska për karnavalet. Ky është një pasion që nuk ka lidhje me profesionin e saj, por është një dashuri që i ka lindur qysh e vogël kur babai i saj e ka nxjerrë për herë të parë në skenën e karnavaleve në moshën 4-vjeçare, e nëna e saj e ka mësuar të vishet ndryshe nga të tjerët.
Herën e parë provoi të ndryshonte një kostum karnavalesh duke i vendosur disa elementë të veçantë, e më pas vit pas viti vijoi të sillte kostume shumëngjyrëshe, të cilat nuk janë vetëm të bukura, por kanë edhe koncepte e mesazhe të caktuara.
“Këtë vit kam sjellë gjashtë kostume. Karnavalet nuk janë vetëm për të rriturit, kemi shumë fëmijë që na ndjekin edhe kam bërë një veshje me arusha. Po sjell dy kloun që mezi pres të shoh veshjen përfundimtare. Emocioni më i madh që veshjet e mia do t’i veshin shokët e mi, aktorë”, tha Pepi.
Këtë vit ajo është duke punuar për të shfaqur gjashtë kostume të reja.
Një nga veshjet më të veçanta Ilda e ka krijuar me një kundragaz të vjetër që kishte në shtëpi, duke i dhënë shumë shkëlqim dhe shpresë.
“Kjo është ndër maskat që më pëlqen më shumë. Për t’i dhënë shkëlqim kësaj kohe që është kthyer shumë e vështirë. Është një veshje shumë rrok, por në kurriz mban arushin dhe një fjongo të kuqe, pra shpresën, dashurinë për fëmijët e të ardhmen“, tha artistja.
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve është vetëm pak ditë larg, ndaj edhe Ilda është duke i dhënë dorën e fundit krijimeve të këtij viti, të cilat do të shkëlqejnë në paradën e datës 7 qershor në Korçë.
/rtsh.al/
Lini një Përgjigje