Orges Shijaku
Kavaleti me ngjyra ka mbetur ende aty, në hapësirën e tij të punës, në Vilën Shijaku. Portreti i tij, që reflektonte artistin e madh që ishte, fekset ende në kujtesën time, teksa dhe në ditët e fundit të jetës kërkonte të punonte në telajo. Piktura ishte gjithë jeta e Sali Shijakut, i cili me veprën e tij shënoi një kthesë në historinë e artit shqiptar. Djali i një kapitalisti të njohur të viteve '20, Abdyl Shijakut, do të niste shkollën fillore në Medresenë e Tiranës, ku studimet teologjike do të kishin një ndikim në konceptin e tij mbi njeriun dhe filozofinë për artin. Në Shqipërinë e pasluftës, djaloshi i ri do të tërhiqej nga tablotë e Hans Trochel, një piktori gjerman që pikturonte Tiranën. Ky moment do të shënjonte dhe fatin e Sali Shijakut. Artisti gjerman që vizatoi portretin e vdekur të Hamit Shijakut (djali i xhaxhait të babait), që u torturua nga forcat italiane, do ta mbante pranë djaloshin e ri, duke u bërë mësuesi i tij i parë i pikturës. Më vonë portretin e Hamitit, heroit tonë kombëtar, do ta realizonte vetë Sali Shijaku, në një tablo që sot qëndron pjesë e Muzeut Shijaku. Trochel do të pikaste talentin tek i biri i Abdylit, duke e orientuar atë drejt artit. Në fillim të vitit 1943 Sali Shijaku do të përfshihet në organizatën antifashiste të debatikasve të vegjël. Dashuria për vendin do të ishte herët brenda tij, si pjesë e një familjeje të madhe me kontribute në historinë e Shqipërisë. Ai nisi studimet në Liceun e Tiranës për të vijuar më pas drejt Bashkimit Sovjetik. Në Lice ai do të mësonte forcën e realizmit, nga profesorë si Nexhmedin Zajmi, Abdurrahim Buza apo Odise Paskali. Në San Peterburg, do të njihet me historinë e madhe të artit botëror, teknika dhe forma që do të shënjonin atë çfarë u bë më pas. Në atelierin e Akademisë së Arteve, Boris Vladimiroviq Jorgason, Shijaku do të veçohej mes studentëve të tjerë për lehtësinë dhe raportin që kishte me ngjyrat. “Ngjyra del nga shpirti, ajo nuk mësohet”, shprehej shpesh ai. Sali Shijaku do të kuptonte herët se piktura ishte më shumë se art. Ajo duhet të buronte nga thellësitë e historisë së vendit të tij. Që në tablotë e para ai do sillte motive nga legjendat dhe gojëdhënat shqiptare, portrete heronjsh dhe njerëzish që mbartin brenda tyre një histori.
Me kthimin në Shqipëri, pas prishjes së raporteve me Bashkimin Sovjetik ai do të diplomohej në Akademinë e Arteve me tablonë “5 heronjtë e Vigut”. Ai është një nga kronikanët më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, duke kuptuar rolin e rëndësishëm të vendit të tij në një aleancë të madhe.

Një moment tjetër shënjues në jetën e tim ati është dhe njohja me nënën time, Ana Maria Schipa. Vajza e bukur e një prej arkitektëve të njohur italian që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës Giatano Schipa, do të bëhej njeriu më i rëndësishëm i jetës së tij. Dashuria do të ishte një motiv i përhershëm i thellë në tablotë e tij, duke ravijëzuar në shumë telajo portretin e saj të butë, me flokët që i derdheshin në ar, si shëmbëlltyrë e pastërtisë më të lartë të moralit njerëzor. Lidhja mes tyre ishte e fortë si arti. Ai i besonte asaj gjithë botën e tij, dhe nëna ime iu përkushtua me adhurimin dhe besnikërinë e një gruaje si në kodin e lashtë shqiptar. Për nënën ai shprehej gjithnjë se “gruaja është drita, ndërsa burrat janë ngjyra. Por ngjyrat nuk jetojnë dot pa dritën”.
Sali Shijaku ishte një artist i angazhuar. Piktura e tij ishte shprehja më e lartë e mendimit shqiptar të kohës, si një intelektual që e pa artin si një formë për të kontribuar jo vetëm në kulturë. Në arkivin e tij ruhen fotot që tregojnë rrugëtimin e tij si artist e intelektual, ku mund të veçohet roli i tij në ndryshimet që do të vinin në Kosovë. Portreti i Mic Sokolit, do t'i paraprinte protestave të studentëve në Prishtinë si një motiv i fortë i qëndresës dhe kurajos shqiptare. Nora e Kelmendit është një tjetër telajo frymëzuese e lidhjes së tij të fortë me Kosovën.
Në studion tonë vinin shpesh për vizitë artistët nga Kosova si Rexhep Ferri, Blerim Luzha, Muslim Mulliqi.
Në historinë e pikturës shqiptare babai do të kujtohet gjithnjë si artisti që i bëri të pavdekshëm në art heronjtë shqiptarë. Ai u ka kthyer burrave që i vendosën gjoksin luftës, pavdeksinë me pikturat që sot janë pjesë e Muzeut Shijaku. Ky muze nuk është thjesht një muze, por është historia e artit figurativ shqiptar, duke shënjuar një prej arritjeve të mëdha të pikturës shqiptare.
Kujtimet e mia me të më çojnë shpesh në pyllin e detin e Divjakës, ku kaluam rreth 10 vite të jetës sonë. Fëmijëria ime kaloi në këtë qytet të vogël, duke më mësuar herët me dashurinë për natyrën dhe se ndonjëherë natyra mund të jetë po aq e lartë sa arti. Shpesh unë isha modeli i tij. Më kujtohet se si me shpatën e gjyshit në dorë, veshur me veshjet e kohës, ai e shihte trupin tim si model për figura madhore të historisë. Prej tij kam mësuar ngjyrat, teknikën dhe stilin se si duhet të pikturoja. Më pëlqente të shihja sesi përzinte ngjyrat në tavalocë, e se si i lëvizte gishtat mbi telajo, sikur t'i binte pianos teksa pikturonte.
Sali Shijaku kishte një pasion të madh për gjuetinë. Që i vogël, bashkë me vëllanë kemi qenë pranë tij në pyje. Ky pasion që lidhej me mbijetesën ishte forma më e mirë për të na treguar jo vetëm bukurinë e natyrës së Shqipërisë, por si të ishim të përgatitur për jetën. Gjurmë të këtij pasioni janë në shumë tablo të tij, ku qeni me rosën, goricat, dardhat, shapkat, bajzat, bajokët, mullarët dhe pishat, kalaja e Bashtovës, kodrat e ShënePremtes, toka e vdekur, horizonti e perëndimi i diellit, yjet dhe hëna, bullicat, fluturat e serave, kallamishtet, qerret, peshqit, janë pjesë e historisë së artit, si shenja të realitetit të dikurshëm shqiptar. Zjarri, druri dhe guri ishin elementë që ai i donte fort.

Portretet e njerëzve të mirë të këtij qyteti janë pjesë e koleksionit të tij. Ai i donte njerëzit, e përpiqej t'u gjendjej gjithnjë në vështirësi. Këtë ndjeshmëri njerëzore na e ka mësuar dhe ne, se si duhet të shohim gjithnjë mirësinë si një vlerë që e përsos njeriun.
Pas viteve '90 Sali Shijaku shfaqet si një artist më i fortë, në qëndrimin e tij gati kritik ndaj realitetit, me tablo që reflektojnë filozofi politike dhe ndjeshmëri shoqërore, të cilat kritika shqiptare duhet t'i kushtojë vëmendje.
Një moment i rëndësishëm në krijmtarinë e tij janë dhe vitet që kaluam në Savona, Itali. Nuk do ta harroj asnjëherë siluetën e tij me cigare në dorë, teksa më shoqëroi deri në portin e anijes në Durrës. Ishte viti 1990 si ish-student i lëvizjes studentore të dhjetorit, i përfshirë në grevën e urisë bashkë me vëllain tim, Nosetin, vendosa të largohem nga Shqipëria. Sali Shijaku, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, artist i madh vendosi mos ta linte vetëm të birin, por më shoqëroi në një aventurë që do shënjonte jetën tonë, në drejtim të njerëzve të nënës sime, pjesës tjetër të familjes që e kisha njohur vetëm në letra.
Nuk e kisha menduar kurrë se ai do të më ndiqte në këtë udhëtim. Por më tha se “nuk mund të më linte vetëm”. Qëndrimi i tij si baba është një model i madh tek unë, model i një ati e burri të madh.
Kohët në Savona ai i kaloi duke lexuar e pikturuar, ndërkohë që unë me vëllain, të dy kemi mbaruar studimet për restaurator, nisëm punën si restaurues në Kisha. Qyteti që laget nga deti Ligur, do ta frymëzonte atë drejt tablove që mbajnë një ndjeshmëri të lartë njerëzore. Literatura e madhe italiane që lexonte dhe lidhja e fortë që kishte me librin, do më frymëzonin mua të hapja një ekspozitë pak kohë më parë me titullin “Vargje në telajo”. Ndoshta se telajot e Sali Shijakut mbajnë aq shumë vargje, ide e qëndrime. Libri është motiv në disa telajo, ku motra ime Giti ishte modeli më i dashur për të. Në Itali kemi hapur dhe ekspozita të përbashkëta me babain e skulptorë e piktorë të tjerë shqiptarë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e kritikës italiane.
“Sa herë të të marrë malli për mua, do të flasim përmes pikturave, aty më gjen”, ky ishte amaneti i tij. Dhe unë sot e gjej shpesh në Galerinë Shijaku, ku vështrimi i tij më shfaqet në çdo pikturë.
Ndoshta një ditë do të shkruaj një libër për babain tim dhe nderin e kombit shqiptar, Sali Shijakun, babain tim të mirë.