Instituti Pashko organizon forumin “Gruaja në qendër”, vlerësim dhe reflektim për rolin e gruas në artin shqiptar

5 Mars 2026, 17:25Kulturë TEMA
Instituti Pashko organizon forumin “Gruaja në qendër”,

Në kuadër të projektit “100 gra piktore në artin shqiptar”, Instituti Liberal i Tiranës “Pashko”, në bashkëpunim me Fondacionin CREDINS, organizon forumin “Gruaja në qendër”, një moment reflektimi, dialogu dhe vlerësimi për gruan në artin dhe kulturën shqiptare.

Forumi do të zhvillohet të enjten, më 5 mars, në orën 13:00, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Të pranishme do të jenë figura të njohura të akademisë dhe të artit, të cilat do të zhvillojnë një diskutim frymëzues mbi fuqinë krijuese të gruas dhe ndikimin e saj në zhvillimin e artit dhe të shoqërisë shqiptare.

Forumi vjen në prag të Ditës së Gruas, për të kujtuar se datat simbolike janë një mundësi për reflektim mbi barazinë, dinjitetin dhe kontributin e grave në shoqëri, duke e bërë këtë një moment të përshtatshëm për të vënë në qendër të vëmendjes figurën e gruas shqiptare.

Përveç forumit, projekti “100 gra piktore në artin shqiptar” përfshin organizimin e një ekspozite dhe të një libri-katalogu, duke u kthyer kështu në një platformë artistike dhe dokumentuese, e cila jo vetëm prezanton veprat e piktoreve shqiptare, por edhe promovon kulturën, fuqizimin e grave dhe krijimin e hapësirave të reja publike për artin shqiptar. /mapo/

Lini një Përgjigje