*
Ridvan Dibra është shkrimtar, studiues i letërsisë dhe pedagog në Universitetin e Shkodrës. Ai ka lindur në Shkodër me 1959.
Prej vitesh ushtron zanatin e shkrimtarit dhe është vlerësuar me çmime për romanet e tij nëpër konkurse në nivel kombëtar.
Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rumanisht.
Në vitin 2010 libri “Në kërkim të fëmijës së humbur” (botime Onufri) u vlerësua nga juria si libri më i mirë i vitit për kategorinë “prozë e shkurtër”.
1. Letërsia juaj është një letërsi e temave të vogla, nga rafti i mbyllur i babait deri te përgjegjësja e konvikteve e shkollat në malësi. Pse kjo zgjedhje për të shkruar për gjëra njerëzore dhe jo meta-tema si lufta, paqja, dija, besa e dhënë, kampet naziste e të tjera?
- Është një konstatim që ma kanë thënë edhe herë të tjera. Por unë vazhdoj të mos e kem të qartë ndarjen “tema të vogla” dhe “tema të mëdha” në letërsi. Sepse nuk njoh temë më të madhe sesa Njeriu dhe fati i tij. Dhe fati i njeriut (subjekti i çdo letërsie serioze), me gjithë përthyerjet, dritë-hijet, honet e greminat e tij, mund të jepet fare mirë përmes përditshmërisë së tij të (pa)zakonshme apo “temave të vogla”, siç shpreheni ju. Kujtoni disa prej kryeveprave te romanit botëror: “Don Kishoti”, “Zonja Bovari”, “Metamorfoza”, “I huaji”... dhe lista do vazhdonte gjatë. Mandej, është në natyrën time krijuese që të shkruaj për gjëra të cilat i kam prekur, provuar e ndjerë thellë nën lëkurë. Qoftë dhe kur krijoj realitete të trilluar, fantastikë apo legjendarë.
2. Keni pasur një ndjesi lehtësimi kur keni botuar për herë të parë?
- Përkundrazi, kam provuar një ndjesi të thellë zhgënjimi. E kam fjalën për librin me vjersha “Thjesht”, botuar para viteve ’90. Ky botim i imi i parë, me ndërhyrjen e redaktorëve dhe në përshtatje me kërkesat e frymën e kohës, qe tjetërsuar. Porse ky botim i parë, përveç zhgënjimit, më dha një mësim të madh: në letërsi, njëmijë herë më mirë të heshtësh sesa të shtiresh.
3. Te “Në kërkim të fëmijës së humbur” por dhe te “Gjumi mbi borë” ju flisni për një dobësi tuajën personale për “Manastirin e Parmës”, përveç këtij libri a mund t’i sugjeroni lexuesit shqiptar një kryevepër tjetër?
- Dobësia ime për këtë vepër, në të vërtetë, lidhet jo aq me vetë romanin, sesa me aventurën e pazakontë të leximit të tij: sapo kisha mësuar shkrim e lexim, jo më shumë se 5 - 6 vjeç. Leximi i këtij romani voluminoz në moshë të njomë, aq më tepër fshehurazi tim ati, natyrisht që do të linte gjurmë të pashlyeshme te unë. Kurse lexuesi shqiptar mos t’i presë sugjerimet e mia, por t’i zbulojë vetë librat e tij të zemrës.
4. Ju keni qenë profesor letërsie në Universitetin e Shkodrës, e dinë të gjithë që studentët shqiptarë, ndryshe nga ato të huaj, nuk lexojnë, lëre më ti shohësh në kafe me libër apo nëpër biblioteka, a mendoni gjithsesi se është e mundur që ato të fillojnë të lexojnë më vonë në jetën e tyre?
- Nuk jam dakord që s’lexojnë. Porse lexojnë pak dhe keq. A mund të nisin të lexojnë më vonë? Nuk besoj. E them me trishtim këtë. Leximi, ashtu si gjithë veset, është një “ves” që mësohet herët; bile, qysh në fëmijëri. Uroj të jem i gabuar në gjykimin tim.
5. Te “Gjumi mbi borë” ju përmendni letërsinë e Fishtës si arsyen primare për dënimin tuaj, ky autor, sa i rëndësishëm e aktual është?
- Nuk e di, nuk kujtohem ta kem quajtur dënim vendimin zyrtar për të punuar si mësues në një fshat të largët të Kukësit. Por arsyeja e emërimit tim atje kjo ishte: Fishta dhe letërsia e tij. Fishta as që duhej përmendur atëherë, dhe jo më të madhërohej, siç bëra mes një rrethi të ngushtë miqsh. Fishta, pa dyshim, mbetet një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë sonë, duke ruajtur statusin e Poetit Kombëtar, krahas Naim Frashërit. Sa aktual është sot? Nisur nga përmbajtja dhe fryma e veprës së tij, them se po.
6. Te “Histori të thjeshta, krejt të thjeshta” ju shkruani me një stil magjepsës por minimalist, kjo ndodh për të qenë më i kollajshëm në stil për lexuesin apo si një përpjekje eksperimentale për të thënë më shumë me më pak?
- Faleminderit që e vlerësoni stilin e veprës, ndihem mirë. Letërsia e mirë, para së gjithash, është gjuhë dhe stil. Nuk e di sa qëndrojnë arsyet që ju parashtroni në pyetjen tuaj... Siç mund ta keni vënë re, besoj, pjesa më e madhe e prozave të këtij teksti, janë ndërtuar në formën e parabolave. Është në natyrën e parabolës thjeshtësia në të shkruar dhe angazhimi i “lodhshëm” i lexuesit në nxjerrjen e domethënieve.
7. Libri juaj më argëtues është ndoshta “Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë” por ai më tragjiku “Legjenda e vetmisë”, të dyja megjithatë kryevepra humaniste, si është megjithatë Ridvan Dibra, pesimist apo optimist për fatin e njeriut?
- Më vjen vërtet mirë që këtyre dy veprave u vini epitetin humaniste. Ruaj bindjen se nuk mund të ketë letërsi dinjitoze pa thelbin e saj humanist. Le të eksperimentojë e të luaj sa të dojë shkrimtari me gjuhën dhe elementët formalë të veprës, le të harliset fantazia e tij nëpër gjetje e sajesa origjinale... nëse mungon humanizmi, vepra e tij mbetet e dyshimtë dhe e kufizuar në kohë. Po flas për atë tis trishtimi e dhimbjeje rreth fatit njerëzor, që mbështjell veprat e rëndësishme letrare. Jam pesimist apo optimist për fatin e njeriut? Them se përpiqem të jem realist. Kjo, ndoshta, vihet re edhe në dy romanet, që ju përmendni në pyetjen tuaj.
8. Te shumë shkrimtarë të mëdhenj botërorë si Houellebecq fundet e librave janë shpeshherë “bombastikë”, ndërkohë që ju zgjidhni ngjashëm me një shkrimtar më gotik si Dostojevski, ta ndërtoni personazhin si “diçka më pak se njeriu”, gjithmonë “babai”, “miku”, “gruaja”, “dashnori”, “vëllai” dhe personazhet plotësojnë njëri tjetrin ndërkohë që “historia” mbetet e papërfunduar, është diçka e qëllimshme apo e nënvetëdijshme?
- Konstatim i vëmendshëm dhe i saktë ky i juaji. Tek të gjithë romanet e mi, që nga i pari (Nudo) e deri tek i fundit (Gruaja që deshe), lexuesi përfton ndjesinë e diçkaje të pakryer, të papërfunduar. Këtë e kanë vënë në dukje edhe kritikët. Ndonjë prej tyre, edhe në formën e vërejtjes. Por një zgjedhje e tillë nga ana ime ka qenë dhe është e qëllimshme, e “vetëdijshme”. Gjithnjë me synimin për ta bërë lexuesin bashkëpunëtor aktiv në receptimin e veprës dhe jo thjesht shijues pasiv të saj.
9. A mendoni se ka një kohë për letërsi dhe një kohë për diçka tjetër?
- Nuk e kam krejt të qartë këtë pyetje... Nëse konceptin “kohë” e keni për raportet e shkrimtarit me letërsinë, gjykoj se koha e një shkrimtari është veç për letërsinë dhe jo për diçka tjetër. Në kuptimin që një shkrimtar edhe kur nuk shkruan, edhe kur koha e tij është e zënë me grinë dhe banalitetin e mbijetesës, ai rron në kohën reale për të, atë të letërsisë. Dhe për dreq, tani po më vjen ndër mend thënia e njohur e Kafkës: “Një shkrimtar që nuk shkruan, marshon drejt çmendurisë”.
10. Si e shihni të ardhmen e librit shqip?
- Dëshiroj ta shoh me optimizëm. Ka disa emra autorësh të rinj, të talentuar, të kulturuar e ambiciozë, që premtojnë shumë.
11. Disa autorë si Kundera mahnisin me zbërthimet psikologjike që i bëjnë personazheve por gjithsesi e bëjnë këtë përmes situatës jo nepërmjet rrëfimit të vetë “të përmendurve”, te “Gruaja që deshe” ju ja mbërrini këtij rrëfimi, por kjo nuk është e rrallë tek ju, edhe te “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e njihni tepër mirë botën femërore sa arrini ta imitoni, pse kjo?
- Ma kanë bërë edhe herë të tjera këtë pyetje dhe nuk kam ditur të jap një përgjigje të qartë, përfundimtare. Ndoshta shumëçka lidhet me atë pjesë të “femërores” që ka brenda vetes çdo individ, aq më tepër një shkrimtar. Por, pa dyshim, në arritjen e një njohjeje të tillë them se kanë ndihmuar edhe vëzhgimet e përvojat personale, leximet e shumta e përsiatjet. Gjithmonë pa lënë mënjanë intuitën dhe fantazinë, dy armët themelore të një shkrimtari.
Intervistoi për TemA: Adri Kalaja
Ne pergjithesi Shqiperia ka pat letersi te nivelit mesatar. Sot ka nje letersi klanesh, te nivelit shpellar, e padenje as per kombet me primitv
Vala, ne pergjithi keni te drejte , ne vleresimin qe i beni Letersise Shqiptare ,me nji korigjim te vogel (Sipas meje sigurisht ) qe "kritika juaj " kufizohet prej viteve 1960 - 2025 . Letersia e Shqiperise ,e para 1960 -es ,prej epokes se Rilindjesqytetare pasMesjetare (Renesons ) ne Kontinentin EU ne pergjithsi , ku niveli e kualiteti ne pen ,poezi etj , ishte pak a shume ,i te njejtit Nivel me ato te vendeve e popujve me ne ze Europiane ,pamvaresishte se ne Shqiperi ,( Ngaqe kemi qen te pushtuar ) e mungojn analizat/vleresimet / Kritika /Vleresimet ,vs asaj Eu etj, edhe per shkakun se ka pasur nji Politike Obskure / Inkuizicioni / Mohimi te gjithckaje Shqiptare ,Gjuhe ,Letersi, Histori, si eshte tashme e njohur e Faktuar ,ku Qarqe "Sataniste" jan perpjekur per te zhdukur gjithcka Shqiptare .Nderkohe qe sot e 34-vjet Djalli Antishqiptare ka gishtat e tij ,kudo,e mban poashtu nen Kontroll , ne cdo institucion te Shqiperise kto 34-vjet dhe s'lejon te Celin Lulet e lulezoj Letersia etj fusha ,sepse talente t nuk mungojne .KLM
¹Natyrisht. Une e bej me keqardhje kete kostatim, edhe pse rinia jone ka patur firma madheshtore si Kadare, Agolli, Marko, Arapi etj, por niveli i pergjithshem po themi, mesatari. Jam dakort me ju qe edhe sot ka shume talente e firma, por ata menjanohen me shume menyra. Si lexues mua me ngop Cela e Kongoli, Dibra, Gjoza e ndonje tjeter, por me cgenjejne shume te tjere qe zhurmojne si kanace bosh.
Flm.Rrespekt Vala ,per konceptin tend mbi Letersine ,prej ktijKomendit tend te dye ,prej se cilit na bere te kuptoj me qarte , nivelin e lexuesit qe perfaqson ,qe i ngjan asaj oshetime brenda shpelles ,sidhe kenaqsin qe te japin pikturat e gerrvishura murit te Letersise "Shteteruse"
Si eshte Politika ne Shqiperi , ne te njejtat rryma e keneta ,noton gjithcka tjeter dhe letersia ,media , tv, njerezia
Letërsia nëse është "vetëm gjuhë e stil", nuk është më "vetëm humanizëm"! Për këto dy të kundërta Migjeni ka vënë drejt alternativat "ose, ...ose"! Shkrimtar që nuk njeh ende as letërsinë dhe teoritë mbi të, edhe pse i ka kushtuar jetën?! Kini pak parasysh, sa për të dhënë një shembull "mnimalist", teorinë e "vdekjes së autorit" ose atë të "gabimit të qëllimit", ndërkohë që duhet të lexoni patjetër teoritë letrare të orientuara nga lexuesi. E gjitha kjo punë e domosdoshme dhe të tjera si këto koncepte dihen qartësuar me qëllim që të dini të keni parasysh disa balanca konceptuale. Libri më më fund përfundon tek LEXUESU dhe është ky që e merr/ka në dorë fatin e vlerave dhe jetën e veprave, sigurisht duke u nisur nga strukturat objektive të tekstit letrar, duke u nisur pikërisht nga shenjat që ka lënë autori më tekst! Nuk është aspak shkrimtari që merr në dorë drejtimin e trafikut në rrugët dhe kryqëzimet kulturore. Kodet e shkrimtarit rrallë herë përputhen me ato të lexuesit dhe prandaj vijnë dështimet e një jete-punë. Arti vlerësohet objektivisht - subjektivisht. Përvoja e artit është "eksperienciale" dhe "imediate"! Nismat vijnë nga vepra përmes kodeve dhe shijeve të lexuesit. Njeriut "mos i hyfë vetja në qejf"!!
Letersia eshte vetem "gjuhe dhe stil"? Mua me duket e banalizuar thenia e ketij profesorit. Letersia eshte shprehje e koncentruar e jetes nepermjet shkrimit ne forme narrative.