Po e nis me “Dilemën e Iriqit,” një parabolë e shkruar nga Schopenhauer-i dhe botuar te Parerga dhe Paralipomena (1851):
Një ditë të ftohtë dimri, ca iriqë ishin mbledhur bashkë që të mos ngrinin akull, por teksa u ngjeshën mes tyre, e ndien si u shpuan nga gjembat e njëri-tjetrit dhe ashtu filluan të largoheshin. E vazhduan këtë punë disa herë, derisa zbuluan një distancë optimale mes tyre, ku edhe të ngroheshin pak, edhe të mos shpoheshin.
Dilemën e citojnë rëndom për të ilustruar dinamikat mes individit dhe shoqërisë që e rrethon, por mua më kujton – mes të tjerash – edhe kufijtë mes shteteve, në një hartë politike.
Hartave politike u bashkëlidhet një fallacy: kufijtë atje, dhe format e shteteve vetë, duken si të gdhendur në granit, aq sa të kujtohet sikur të ketë ndonjë lidhje mes formës që ka shteti dhe natyrës intime, thelbësore, të shtetit vetë a të kombit.
Na tundon, mes të tjerash, krahasimi me forma natyrore që dalin edhe ato në hartat – liqene, ishuj, gjinj detesh. Edhe këto janë gjeometrikisht kaotike, por kanë vetinë që të mos ndryshojnë.
Në fakt, para shekullit XIX, në Europë besonin se kufijtë mes shteteve duhej të ndiqnin veçoritë gjeografike të territorit, si lumenjtë ose vargmalet; ashtu sovraniteti do të fitonte “racionalitet”, sa kohë që caqet e ushtrimit të tij ishin diktuar nga natyra.
Ishte romantizmi që u dha kufijve kuptimin që ka vazhduar, në një mënyrë ose në një tjetër, deri sot – për ta thënë me shkrimtarin gjerman Ernst Moritz Arndt, të fillimshekullit XIX, kufijtë ndërshtetërorë duhej të ndiqnin, me përparësi, kritere etnolinguistike.
“Atdheu i gjermanëve,” shkroi ai, “është kudo ku dëgjohet gjuha gjermane dhe ku Zotit i këndohen himne në gjermanisht”; me fjalë të tjera, se Gjermania u dashkësh të përfshinte të gjithë folësit e gjermanishtes.
Nga ajo kohë, erdhi duke u forcuar prirja për ta afruar dhe njësuar hartën politike të kontinentit me një atlas linguistik, nën shtysën e nacionalizmit.
Nëse më parë kufijtë tregonin hapësirën ku një shtet ushtronte pushtetin politik dhe administrativ, që nga shekulli XIX u fillua rëndom të besohej se kufijtë duhet të ndiqnin ndarjet etnike dhe gjuhësore. Kjo do të thotë edhe se çdo projeksion i këtij koncepti modern për kufijtë në shekujt para atij të nëntëmbëdhjetë është anakronik.
* * *
Si shumë fëmijë të tjerë, e kam pasur edhe unë një obsesion me hartat – ato që na tregonin në klasë dhe të tjerat. Nga dita e parë e shkollës, te Avni Rustemi, e para gjë që mbaj mend ishte një hartë e Azisë (ose e Afrikës) e varur në mur, kushedi pse. Në shtëpi, ndërkohë, mund të shfletoja një atlas të botës në rusisht, në format libri të vogël dhe me shtete të ndryshme nga ato që njihja unë, ndërkohë që në ato vite globi politik vazhdonte të ri-ngastrohej e të rivizatohej, sidomos në Afrikë; por ai atlasi rus më tregonte edhe shtete të tjera, po aq misterioze sa Blefuscu në udhëtimet e Guliverit, copëtime të panjohura për mua në kontinente të njohura.

Më intrigonin sidomos kufijtë në trajtë vijash të drejta, më dukeshin si një lloj dhune e gjeometrisë ndaj gjeografisë fizike (fraktaleve të gjeografisë fizike); kish ca të tilla në Afrikë, por pastaj do t’i shquaja edhe në kufijtë – më të butë – mes shteteve të SHBA-ve; dhe më pas akoma do t’i interpretoja si shenja se në ato vise nuk jetonte njeri (madje as iriqët e Schopenhauer-it); kur nuk i interpretoja si shenja se, në ato vise, natyra mungonte krejt, e shkatërruar nga hekurosja kozmike e shkretëtirës.
Një Larousse i paraluftës (“je sème à tour vent”), që e kisha gjetur në bibliotekën e familjes dhe shpluhurosur me durim, më tregonte pamje edhe më të çartura – perandori, mbretëri e republika me forma po aq arbitrare sa këto të sotmet, me pretendime dikur të njëjta për amshim, e megjithatë sot të ndara në feta mes entiteteve të tjera. I apasionuar pas gjeometrisë, nuk e pranoja lehtë pleksjen e kësaj me politikën, ushtritë, luftërat, që më dilte përpara në atlaset. Aq e vërtetë është kjo, sa ishujt më ngushëllonin, falë ekuilibrit që shumë prej tyre mbanin mes formës së territorit dhe formës së shtetit.
Pa folur për shtetet tashmë të thara, që i ruaja, insekte të ngulura me thumb, në albumin e pullave: nga Kenya-Uganda-Tanganyika te Territoire français des Afars et des Issas, nga Rhodesia te Nezavisna Država Hrvatska; dhe për shtetet e krijuara pas 1990-ës, kufijve të së cilave ende nuk u është tharë mirë gjaku.
Nganjëherë më duket sikur stabiliteti i hartës politike nuk është veçse një marifet i mendjes së njeriut, për t’u orientuar në mes të tektonikës së çmendur të gjeografisë historike.
* * *
Sot Facebook-u – por jo vetëm Facebook-u – të nxjerr herë pas here përpara harta historike, që tregojnë shtrirjen e perandorive, të shteteve, të popujve dhe të fiseve në lashtësi dhe në mesjetë; këto harta me ngjyra të ndezura ngjallin shumë diskutime dhe tërheqin komente dhe insekte.
Kanë edhe një veçori tjetër: janë pa vlerë, dhe shpesh të pavërteta; sepse projektojnë, në kohë, konfigurime që i përkasin kohëve moderne, duke filluar nga ajo e kufijve të përcaktuar mes entiteteve politike dhe etnike. Madje shpesh përpiqen të tregojnë shtrirjen e gjuhëve, në formë hartash politike.
Nëse biem dakord ta përkufizojmë kufirin si vija që ndan dy territore (ose sipërfaqe), atëherë ky lloj kufiri nuk ngrinte ndonjë peshë deri vonë në modernitet – madje as për perandori të konsoliduara, si ajo romake. Aq më e vërtetë është kjo për shtetet-komb dhe kufijtë e tyre, që ndajnë jo vetëm sovranitete të ndryshme, por edhe kultura të ndryshme.
Përndryshe, nuk do shumë mend të kuptosh se kufijtë që shohim sot, në hartat politike, janë rezultat bullizimesh dhe kompromisesh dhe, në analizë të fundit, përfaqësojnë raportin e autoritetit me mirëkuptimin.
Vija herë imagjinare e herë tejet reale, ndonjëherë të materializuara edhe si mure (ai kinez, por edhe ai antik i perandor Adrianit në Angli); vija ku pshurrin qentë dhe për të cilat ende vriten njerëz dhe mbase prandaj i quajnë ende të shenjta.
Kush mëson si janë përcaktuar kufijtë e Shqipërisë – veçanërisht ato të Jugut – ku politikanë dhe diplomatë ndërmerrnin ekspedita dialektologjike, do të bjerë dakord me mua jo vetëm për arbitraritetin, por edhe për atë tjetrën; dhe pikërisht, se për vende të vogla dhe të pafuqishme, si Shqipëria londineze, ca prej iriqëve të Schopenhauerit ua shkurtuan, madje ua shkulën krejt gjembat.
© 2025 Ardian Vehbiu. Imazhet janë përfytyruar me Midjourney dhe Flux. Botohet me leje te "TemA".
Lini një Përgjigje