Java Kulturore Japoneze nis me artet marciale në Parkun Olimpik

14 Tetor 2025, 15:01Kulturë TEMA
Java Kulturore Japoneze nis me artet marciale në Parkun Olimpik

Java Kulturore Japoneze u çel me një aktivitet sportiv, Kupën e Ambasadorit në Xhudo dhe Karate.

Aktiviteti solli emocionin e arteve marciale japoneze, ku sportistë të rinj shqiptarë garuan në një shfaqje mbresëlënëse të aftësisë dhe atletizmit. I pranishëm në Parkun Olimpik, ishte edhe ministri Blendi Gonxhja së bashku me përfaqësues të Ambasadës japoneze.

Gonxhja përshëndeti të pranishmit dhe u shpreh se në këtë event, sporti u bë pjesë e natyrshme e dialogut kulturor mes dy vendeve.

“Së bashku me Ambasadën japoneze, Federatën Shqiptare të Arteve Marciale dhe me pjesëmarrjen e shumë të rinjve, ndamë një shembull të bukur se si sporti dhe arti nuk janë fusha të ndara, por pjesë e të njëjtit rrëfim, ai i edukimit, disiplinës dhe bashkimit.

Në sport, si në jetë, të gjithë nisim të barabartë. Dhe ky është mesazhi më i fortë që mund të përcjellim te brezat e rinj: se përmes pasionit, përkushtimit dhe respektit për tjetrin, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të shëndetshme”, u shpreh kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Java Kulturore Japoneze do të vazhdojë deri më 18 tetor me shfaqje filmash, ceremoninë tradicionale të çajit, si dhe demonstrim të washoku-së, artit të përgatitjes së një torte orizi japoneze. /atsh/

Lini një Përgjigje