Koncerti për Ferdinand Dedën: Flasin familjarët e miqtë

4 Shkurt 2026, 18:17Kulturë TEMA
Koncerti për Ferdinand Dedën: Flasin familjarët e miqtë

Emisioni “Në Kohë Reale” në RTSH 1 i kushtoi një homazh kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinand Deda, duke sjellë në studio kujtime, emocione dhe vlerësime nga familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij të afërt.

Të ftuar ishin Rudi Deda, vajza e tij, i biri, këngëtari i njohur Elton Deda, pianistja Merita Rexha Tërshana dhe dirigjenti i Orkestrës së RTSH-së, Gridi Kraja.

Rudi Deda ndau kujtime nga fëmijëria, duke theksuar se muzika ishte pjesë e pandarë e jetës familjare dhe se Ferdinand Deda i rriti fëmijët në një botë artistike që në moshë shumë të vogël.

Babi më ka rritur me muzikë më ka dhënë një botë artistike. Që në moshë të vogël na merrte dhe na bënte vocalica dhe ritmet”, u shpreh ajo.

Ndërsa Elton Deda e cilësoi të atin si një gjeni të muzikës shqiptare, duke vënë në pah gjithëanshmërinë e tij si dirigjent, kompozitor dhe instrumentist, si dhe mënyrën unike se si ai e kuptonte dhe e drejtonte orkestrën.

Është ndryshe të rritesh në një shtëpi me muzikë, të rritesh në një shtëpi artisti është ambient tjetër me të gjithë benefitet. Ferdi ishte gjeni, mjafton ta shohësh si dirigjon, mënyrën si ai përdor instrumentin e vetëm që ka dirigjenti që është bageta, mënyrën se si ai kuptonte orkestrën. Ai ishte i gjithanshëm, ai shkruante muzikë të lehtë, muzikë popullore, i binte fizarmonikës, të gjithë instrumentave”, tha Deda.

Pianistja Merita Rexha Tërshana foli për përgjegjësinë artistike në interpretimin e veprave të Dedës dhe kujtoi personalitetin e tij gjenial, duke zbuluar se në koncert do të interpretohet.

Është përgjegjësi sepse Toni është muzikantë dhe Rudi e kupton shumë mirë muzikën dhe duhet që ta sjellim sa më bukur veprën. E kam njohur Ferdinand Dedën dhe ai ka mbushur me muzikë dhe shtëpitë tona. Kujtimi im për Ferdinand Dedën është që ai luante në piano me sy mbyllur dhe me kokën lart. Ai kishte nivele gjenialiteti në personalitetin e tij. Ne do të luajmë ‘Rapsodinë” në piano dhe orkestër dhe Rapsodia e Ferdinand Dedës është shkruar nga një njeru që jo vetëm e do pianon dhe e shfrytëzon të 8 oktavat por është shumë pionostike”, u shpreh pianistja.

Nga ana e tij, dirigjenti Gridi Kraja u shpreh se puna me Ferdinand Dedën ishte një sfidë për shkak të veshit të tij absolut dhe standardit të lartë artistik. Ai e vlerësoi Dedën si gjeniun e muzikës shqiptare.

Me Ferdin ishte pak siklet të punoje sepse ai dëgjonte çdo gjë , Ferdi në perceptimin tim është gjeniali i vetëm i muzikës shqiptare. Kemi “Meditimin” që është një pjesë e shkurtër por i mrekullueshëm, do të kemi një valle simfonike dyshe, kemi dhe rapsodinë për piano që është një pjesë shumë e bukur”, theksoi Kraja. 

Koncerti do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, mbrëmjen e 5 shkurtit ora 19:00 dhe  synon të kthehet në një pikë takimi mes kujtesës artistike dhe interpretimit bashkëkohor. A.K./TemA

Lini një Përgjigje