Me të drejtë u qesëndis këto ditë fjala bythadritë, e përfshirë në Fjalorin e madh si fjalë arbërishte për “xixëllonjë”,; folësit nuk e pranuan, edhe pse disa e quajtën “të bukur”. Nuk e pranuan, sepse b*thë në shqipen e sotme është fjalë bisedore, shpesh thjeshtligjërimore, që i reziston neutralizimit stilistik. Vetë fakti që disave kjo fjalë iu duk “e bukur” dëshmon se ajo u perceptua si krijim letrar, poetik, ku metafora e b*thës që bën dritë perceptohet si e freskët dhe origjinale. Nuk di të them gjë për statusin e fjalës në arbërishte, por di (nga Eda Derhemi) që në këtë variant të shqipes, bytha shpesh emërtohet si “fund”. Por ata që u gajasën me bythadritë dhe ata të tjerët që u mrekulluan me të, nuk vunë re që, krahas kësaj, Fjalori i madh kishte pranuar në gji edhe vezullimë, vezullinë, vezullojë, vezullonjë, vezullore, xixëllimë, bukurezë, çikëlore, bukuré, buburezë, buburizë, shkëndijëz, gacullinë, cilivile, buburiskë e kushedi ç’tjetër, me një pjesë thjesht variante fonetike. Autorët e fjalorit do të mbrohen dhe do të thonë se fjalë të tilla i kanë gjetur në përdorim[1]; anipse përfshirja e tyre rrezikon ta shndërrojë Fjalorin vetë në magazinën e një muzeu zoo-folklorik, në mos e shndërroftë në një rrënojë të normës leksikore.[2]
Natyrisht, asnjë folës a shkrues i shqipes nuk ka nevojë praktike që t’i përdorë a t’i njohë sinonimet vezullimë, vezullinë, vezullojë, vezullonjë, vezullore, xixëllimë, bukurezë, çikëlore, bukuré, buburezë, buburizë, shkëndijëz, gacullinë, cilivile, buburiskë; më shumë se sinonime, këto janë variante të leksikut krahinor që nuk ndeshen kurrë së bashku përveçse në një fjalor (ose më gjerë, në kontekste meta-gjuhësore), dhe që përgjithësisht nuk dallojnë kuptimisht mes tyre. Shumësia e tyre ka të bëjë me segmentimin e të folmeve dhe diferencimin gjeografik; dhe prania e tyre në Fjalor, aq më tepër në një fjalor që synon të jetë normativ (të vërë një farë rregulli në gjuhë), tregon se pasuria e shqipes ende nuk pasqyron eficiencën e saj, as shkallën e kodifikimit të dëshiruar.
Me gjasë, sinonimet dialektore – ose leksikografike – që i gjen me bollëk në Fjalorin e madh, thjesht dëshmojnë shkallën e papërpunimit të leksikut shqip. Unë nuk di se mbi ç’bazë është përligjur përfshirja në fjalor e sinonimeve si ato që përmenda më lart për xixëllonjën; për të mos u mjaftuar me atë shembull të vetëm, po sjell edhe sinonimet cullanjak, cicimul, kërthi, llec, miclim, njome, picimul, djepës, djepësor, njomëz, njomëzak, lurek, bishtak, ferishte, gërdhuckë, gërdhuz, famull, pot, të gjitha me kuptimin “bebe, foshnjë”. E kam të vështirë të pranoj se fjalë si këto, që zakonisht as nuk shoqërohen me shënime stilistike diferencuese, janë ndeshur në korpus(et) aq herë, sa të kenë kënaqur kriteret përkatëse, që pritet të dallojnë përdorimet idiolektike ose edhe gabimet materiale të mbledhësve, nga fjalët si të tilla. Dukuria gjithnjë rrezikon ta shndërrojë fjalorin në magazinë pa inventar, teksa shton artificialisht numrin e fjalëve (për shumë nga këto, dalin si fjalë më vete edhe trajtat femërore më -e), duke krijuar inflacion leksikor.
Shumë prej nesh, ende nën ndikimin e romantizmit dhe të kombëtarizmit gjuhësor, i konsiderojnë këto koleksione të leksikut dialektor, të ekspozuara në fjalor (përfshi këtu edhe Fjalorin), si dëshmi të pasurisë së shqipes. Por nuk është tamam kështu. Pasuria e një gjuhe është metrikë e përdorimit të saj, jo e fotografimit (regjistrimit) nga specialistët që e studiojnë. Njëlloj si bankënotat, edhe fjalët nuk kanë ndonjë vlerë nëse nuk qarkullojnë në treg; dhe problemi me fjalë të tilla si këto që përmenda më lart është se ato as mund të shihen si arkaizma e si historizma (nëse përdorimi i tyre në të shkuarën nuk dokumentohet) dhe as kanë shumë shanse që të qarkullojnë, ose të rikuperohen nga përdoruesit në rrjedhë të kohës.
Një nga efektet e normës leksikore është, në mos thjeshtimi i arsyeshëm dhe shmangia e varianteve fonetike, të paktën diferencimi (kuptimor dhe stilistik) i fjalëve që, për shkak të praktikës leksikografike, e gjejnë veten krah për krah në të njëjtin fjalor; por ky diferencim nuk mund të ndodhë brenda fjalorit. Duhet që fjalët të përdoren aktivisht – në tekste letrare, në tekste shkollore, në terminologji – që të kenë të paktën një shans për t’u rikuperuar. Jashtë përdorimit të mirëfilltë, një varg fonemash, i sugjeruar nga dikush, dhe në kombinim me një kuptim specifik, ka po aq vlerë sa edhe një kartëmonedhë e pikturuar në shtëpi: mbase si vepër arti, por jo si fjalë.
Pyetja që duhet bërë është nëse sinonimet dialektore (krahinizmat në përgjithësi) dhe neologjizmat janë vlerë e shtuar për leksikun, apo problem që kërkon zgjidhje. Në këtë moment, mbase duhet filluar diskutimi me premisën se përfshirja dhe kodifikimi i një fjale të rrallë çfarëdo në një fjalor, përfshi edhe Fjalorin e madh, nuk përfaqëson ndonjë përdorim të saj, por vetëm një shpresë në rastin më të mirë, dhe një iluzion, në rastin më të keq.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
[1] Unë dyshoj fort se shumë nga këto thjesht barten me thasë nga një fjalor në tjetrin.
[2] Ndërkohë xixëllonjat, për shkak të ndotjes së mjedisit dhe reduktimit të habitatit të tyre, janë duke u zhdukur; qofshin bekuar ata që do të ngushëllohen me të paktën regjistrimin e emrave të tyre nëpër fshatra.
Lini një Përgjigje