I dashuruar me natyrën, Peisazh është një ndër veprat e piktorit përmetar, Pano Kondo
Pano Kondo, i lindur më 25 prill 1954 – ka spikatur që herët me dhuntitë e tij në muzikë, vizatim dhe pikturë.
Piktori përmetar ka një këndvështrim modern në mënyrën si ai e sheh natyrën, thonë kritikët e artit të cilët kanë studiuar dhe vlerësuar veprën e tij.
Nuk është kurrë formal. Ka një kreativitet të jashtëzakonshëm.
E dashuron ngjyrën. Të bukurën. Vlen të veçohet lirizmi te peizazhet e tij. Harmoni ngjyrash, kontraste dinamike, impresionizëm i pastër.
Vepra e Kondos ngërthen disa zhanre: si vizatimi, grafika, peisazhi, portreti, kompozimi; pa u bërë skllav i kopjimit të natyrës, e kuron atë në filozofinë e interpretimit të fenomenit. Piktura e tij lind nga rebelimi në formë e ngjyrë, jo rob i pamjes reale të objektit, frut i subkoshiencës së tij me doza ekspresionizmi.
Kondo anon nga ekspresionistët. Ka kërkuar më shumë tek ngjyra se sa tek forma. Ngjyra e Kondos është e pastër dhe me tingull. Punon me të kundërtat, përballë të ngrohtave – vë ngjyrat e ftohta, i nënshtron ngjyrat dhe lulfton me to.
Tablotë e tij mund të quhen “lufta e ngjyrave”. Kondo nuk ka piktura të shurdhëta. E sheh dhe ngopesh. Punon jo me një teknikë të mësuar dhe është emocional. Vepra përfundon aty ku mbaron qëllimi i autorit.
Mbi 200 punime në pikturë e shumë grafika e vizatime që ndjekin njëra-tjetrën. /mapo/
Lini një Përgjigje