Pushteti i vërtetë nuk është në qeveri/ Alfred Bushi: Kush kontrollon kulturën dhe mediat, ka hegjemoninë mbi shoqërinë

2 Shkurt 2026, 19:00Kulturë TEMA
Pushteti i vërtetë nuk është në qeveri/ Alfred Bushi:

Në një intervistë për Apostrof, studiuesi dhe përkthyesi Alfred Bushi theksoi rolin qendror që kultura, media dhe simbolet luajnë në ushtrimin e pushtetit në shoqëritë bashkëkohore, duke u mbështetur në mendimin e Antonio Gramshit.

Sipas Bushit, pushteti sot nuk ushtrohet vetëm përmes institucioneve formale, por në mënyrë vendimtare përmes kontrollit të hapësirës kulturore dhe simbolike. “Kush kontrollon kulturën, kush kontrollon mediat, kush kontrollon simbolet dhe imazhet, ka hegjemoninë mbi shoqërinë,” u shpreh ai, duke e cilësuar Gramshin si një pikë referimi ende thelbësore për interpretimin e aktualitetit.

Megjithatë, Bushi nënvizoi se pikërisht kjo formë e pushtetit mbart edhe potencialin e dobësisë së tij. Kontrolli mbi median, shkollën dhe dijen e bën pushtetin më të fortë, por njëkohësisht krijon terrenin për lindjen e ideve alternative që mund ta sfidojnë atë. Sipas tij, nëse zhvillohen kultura dhe diskurse kundërshtuese, ato mund të prodhojnë atë që Gramshi e quante kundër-hegjemoni, duke vënë në krizë rendin ekzistues.

Në këtë kuptim, Bushi sugjeroi se beteja politike e së ardhmes nuk zhvillohet vetëm në zgjedhje apo institucione, por në fushën e kulturës, arsimit dhe medias, ku formësohen bindjet, perceptimet dhe “arsyeja e shëndoshë” e shoqërisë.

Ai përfundoi se kriza e një hegjemonie kulturore mund të hapë rrugën për ndryshime më të thella shoqërore, duke çuar jo vetëm në rishikimin e pushtetit ekzistues, por edhe në lindjen e formave të reja të organizimit politik dhe shoqëror.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Gramshi në Tiranë: Kriza e tranzicionit shqiptar dhe iluzioni i individualizmit |Alfred Bushi | #55

 

Lini një Përgjigje