Historiku i arsimit në minoritetin etnik grek në Shqipëri ishte në fokus të konferencës shkencore të mbajtur sot (30 maj) në Gjirokastër, një organizim mes universiteteve “Eqrem Çabej” dhe “Aristotel” të Selanikut.
Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek, Kostando Ksera, tha se ky organizim synon të nxjerrë në pah jo vetëm historinë e arsimit në këtë minoritet, por edhe të nxitë një dialog dhe diskutim shkencor, për ta kthyer në një aktivitet të përvitshëm me pjesëmarrës nga brenda dhe jashtë vendit.
Pedagogë të të dyja institucioneve akademike, por edhe të ftuar nga universitete të tjera referuan tema të ndryshme mbi historikun, por edhe me organizimin e arsimit në minoritet që prej vitit 1945 deri në ’90.
Interesante ishin edhe dokumentet e hershme që tregojnë etjen e banorëve për dije.
“Në vitin 1873, mitropoli i Gjirokastrës i dërgon një qarkore banorëve të Dhrovjanit, të Delvinës, në të cilën u bën thirrje personave që kanë marrë libra nga biblioteka e shkollës, që t’i kthejnë në bibliotekë. Kjo do të thotë se atëherë ka pasur një bibliotekë dhe ka pasur njerëz që i lexonin librat, dhe ndonjëherë ‘i vidhnin’,” u shpreh pedagogu i Universitetit “Aristotel”, Dhoris Kyriazis.
Kjo konferencë është e para me temë rrugëtimin diakronik të arsimit të komunitetit etnik grek në Shqipëri deri në vitin ’90, një rrugëtim që ka treguar shumë dashuri për arsimin, e cila çoi edhe ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
/RTSH/
Lini një Përgjigje