Shtigje të bigëzuara/Forking Paths

31 Maj 2025, 12:31Kulturë Ardian Vehbiu

Alban Hajdinaj, një artist që më ka lënë mbresa me inteligjencën e tij vizuale dhe ndjeshmërinë semiotike, ekspozon vepra të reja te “Shtigje të bigëzuara/Forking Paths”, Qendra e Artit Bashkëkohor Zeta, 30 maj – 20 qershor 2025 (të kuratuar nga Elizabeth Neilson). Këtë herë, preokupimi i tij estetik me sende të gjetura kombinohet me kolazhin dhe editimin e fotografive, në një seri veprash të organizuara rreth praktikës dhe filozofisë së retushimit.

Në epokën e fotografisë analoge, retushimi ka qenë pjesë e zyrtarizimit të fotove, që u besohej profesionistëve të fushës – në një rol të ndërmjetëm mes ilustruesit dhe censorit. Gjatë vizitës në ekspozitë, ku patëm privilegjin të shoqëroheshim nga vetë artisti, Albani më tha se çdo foto zyrtare e ndonjë farë rëndësie, në periudhën totalitare, do të retushohej – para se të përdorej në gazeta, revista, ekspozita, muze, albume dhe libra me natyrë historiografike.

Brezi im e njeh retushimin si një formë e ndërhyrjes në foto, për të larguar a dëbuar që andej elementë të shpallur si “armiq” – të dënuar ose të damkosur si të tillë pas vdekjes. Kjo lloj ndërhyrjeje synonte zhdukjen e subjektit. Por Hajdinajn duket se e interesojnë lloje të tjera retushimi, ku subjekti nxirret në pah, ndonjëherë duke e lejuar ndërhyrjen që të duket, ose pa bërë asnjë përpjekje për të maskuar vizatimin mbi foto. Nuk është aq fjala për zbrazjen e hapësirës rreth udhëheqësve, pasi këta i kishin hequr qafe bashkudhëtarët e tyre, por për mbushjen e së njëjtës hapësirë, me fytyra dhe prani të kontrolluara.

Kolazhet e Hajdinajt kombinojnë lirisht foton me vizatimin, në mënyrë të tillë që dallimi mes tyre të zbutet deri në padukshmëri. Efekti i këtij gjesti është destabilizimi i të gjitha fotove të ekspozitës, meqë tani vizitori fillon të dyshojë mos çdo fytyrë në kuadrot fotografike të ekspozuara është produkt i një ndërhyrjeje post-fotografike – me ngjitje kokash dhe fytyrash ose vizatimesh mbi fotot. Dy teknika semiotikisht të kundërta – fotografia, që në kohën analoge ka qenë shenjë indeksikale, si gjurmë e dritës mbi pllakën fotografike, dhe prandaj e mbajtur si garanci e së vërtetës; dhe vizatimi ose piktura, që janë shenja ikonike – tani bashkëjetojnë, në një formë që merr në pyetje deri edhe vetë realitetin historiografik.

Fotot e ushtarëve (që tani shfaqen rigorozisht si ushtarë "të panjohur"), në ekspozitë, më kujtuan edhe të gjitha ato herë kur një të vrari – një dëshmori a të rëni – nuk ia kishin gjetur dot një foto, prandaj ishin të detyruar ta paraqisnin me një vizatim; kjo ndodhte edhe në artikujt përkujtimorë, në librat kushtuar të rënëve të Luftës dhe gjetiu. Njerëz që me vdekjen e tyre kishin marrë me vete edhe portretin e tyre; njerëz që nuk ishin fotografuar kurrë, madje as për kartat e identitetit, që sanksionojnë statusin e tyre si qytetarë. Njerëz që kishin jetuar në zgrip të modernitetit, dhe që tani mund t’i shohim vetëm nëpërmjet riprodhimeve “ikonike”.

Deri edhe Shkurte Pal Vata, një vajzë 15-vjeçare që u vra aksidentalisht kur kish shkuar vullnetare në hekurudhën Rrogozhinë-Fier (në vitin 1967), dhe që pastaj u shpall heroinë dhe u “lumnua” laikisht nga regjimi i Hoxhës, nuk kish një foto të vetën; aq sa piktori zyrtar kish shkuar t’ia bënte një portret kur ajo lëngonte në agoninë e vdekjes, në spital. Ndoshta ka qenë vetëm shenjë delikatese, që këtë portret ia besuan një piktori, dhe jo një fotografi.

Për marrëdhëniet e fotografisë me vdekjen është folur tashmë; dhe jo vetëm në kontekstin e fotografimit të së vdekurve, ose të faktit që shumë nga ata që shohim në foto kanë vdekur tashmë (të tjerë i afrohen vdekjes sa herë që fotografohen). Në imazhet e sjella nga Hajdinaj kjo prani e vdekjes duket më e fortë se zakonisht – një përshtypje mbase e sugjeruar nga vjetërsia e fotove (bardhezi, pak të zverdhura), në mos nga anonimiteti i tyre. Kjo lloj estetike bënte pjesë në ikonografinë e regjimit totalitar dhe tashmë është ajo vetë dëshmi e nekrofilisë, me të cilën i jemi qasur dhe i qasemi sot e kësaj dite historisë – sa kohë që, në vend që t’i ngjallim të dikurshmit dhe të dialogojmë me ta, i sjellim mes nesh të vdekur dhe e lëmë veten të sundohemi prej tyre.
E rekomandoj fort një vizitë.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Fotoja nga Elona Pira. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje