Në Akademinë e Shkencave u zhvillua sot konferenca shkencore përkujtimore “Poliedriciteti i prof. Jup Kastratit dhe mbarëkombëtaria në studimet e tij”.
Kjo veprimtari u organizua me rastin e 100-vjetorit të lindjes së studiuesit dhe albanologut të shquar në bashkëpunim me fondacionin “Jup Kastrati” dhe Fakultetin e Histori Filologjisë.
Në konferencë mori pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë, si dhe personalitete që kanë njohur kontributet e vyera në fushën e historisë së albanologjisë, si dhe botimet e monografitë për figurat e shquara të letrave shqipe të Jup Kastratit.
Seanca e parë u moderua nga prof. Persida Asllani dhe prof. Anila Omari.
Veprimtaria u çel me fjalën e akad. Rexhep Qosjes përmes një materiali të regjistruar në video.
Akad. Qosja tha se prof. Jup Kastrati ka një krijimtari madhështore me rëndësi monumentale për albanologjinë. Më tej, ai vlerësoi punën kolosale, sakrificat dhe përkushtimin që ka bërë prof. Kastrati për veprën “Historia e albanologjisë”, ku zbulohen edhe shkrimet parashkencore për këtë disiplinë.
Akad. Qosja rrëfeu gjithashtu edhe kujtimet nga takimet me prof. Kastratin dhe bashkëpunimet që kanë pasur me diasporën.
Më pas, e bija, Fatmira Kastrati (Sykja) foli për trashëgiminë intelektuale të studiuesit Jup Kastrati dhe për fondacionin që mban emrin e tij. Ajo tha se ngritja e fondacionit ishte një amanet i prof. Kastratit dhe vuri në dukje misionin, funksionet dhe perspektivat e këtij fondacioni.
Gjuhëtari dhe studiuesi i njohur akad. Gjovalin Shkurtaj foli për ndihmesën e prof. Jup Kastratit në lëmin e dialektologjisë dhe të onomastikës shqiptare e arbëreshe.
Ai e vuri theksin tek kontributet e prof. Kastratit për të gjetur e përcaktuar vendin e së folmes së Thethit në kuadrin e ndarjes dialektore të shqipes. Me interes për dialektologjinë shqiptare janë edhe një numër studimesh të tjera të Jup Kastratit, si: “Të dhënat e të folmeve të arbëreshëve të Italisë për historinë e gjuhës shqipe”; “Mbi ekzistencën e difongut në gjuhën shqipe”, “Diftongu në gjuhën shqipe”, “ë-ja atone në shqipet.”, etj. Akad. Shkurtaj vuri në dukje edhe disa artikuj kushtuar onomastikës arbëreshe.
Prof. Begzad Baliu në kumtesën e tij e vlerësoi prof. Kastratin si një rilindës të përjetshëm të albanologjisë.
Prof. Anila Omari në kumtesën “I dashuni Mjeshtër! Çështje gjuhësore në Epistularin e Jup Kastratit me At Justin Rrotën” përgëzoi, së pari, për përkushtimin profesional vajzat e prof. Kastratit, Fatmirën dhe Dianën, për botimin e veprës “EPISTULAR. Prof. Jup Kastratit – At Justin Rrota O.F.M 1951-1964”, me letërkëmbimin e vyer mes prof. Jup Kastratit dhe At Justin Rrotës, që përfshin një periudhë 13- vjeçare.
Prof. Omari zbulon përmes këtij letërkëmbimi informacione të rëndësishme për historinë e albanologjisë dhe shumë çështje shkencore të trajtuara në dialogun e vazhdueshëm mes tyre.
Ajo u ndal në disa çështje me interes gjuhësor, si edhe në disa letra e artikuj qe trajtojnë probleme të vendlindjes dhe gjuhës së Gjon Buzukut me rastin e 400-vjetorit të Mesharit të tij. Me tej, prof. Omari i cilësoi prof. Jup Kastratin dhe At Justin Rrotën si përfaqësues të një brezi të nderuar idealistësh me frymëzim rilindas.
Prof. Agim Vinca përmes kumtesës së tij “Jup Kastrati dhe Jeronim de Rada (Si e zbuluam De Radën ne studentët e Prishtinës)”, shprehu vlerësimin për kontributin që kanë dhënë dy figurat e shquara, Jup Kastrati dhe De Rada, në lëmin e albanonologjisë.
Figura e Jup Kastratit është vlerësuar edhe nga prof. Ferdinand Leka përmes një materiali të regjistruar në video.
Dr. Vjollca Osja prezantoi profilin e Jup Kastratit në studimet letrare, ndërsa prof. Diana Kastrati foli për personalitetin shumëplanësh të studiuesit në veprën “EPISTULAR Prof Jup Kastrati – At Justin Rrota O.F.M 1951 – 1964”.
Dr. Kastriot Gjika foli për veprën e prof. Kastratit “Marrëdhënia e Faik Konicës me F. S. Nolin nën dritën e një monografie”.
Prof. Evalda Paci prezantoi të dhëna bibliografike mbi Mesharin e Gjon Buzukut, të cilat i vlerësoi si orientime të vyera nga prof. Jup Kastrati.
Sesioni i dytë u moderua nga prof. Evalda Paci
Së pari, për figurën e prof. Kastratit foli Damiano Guagliardi – President i FAA–Federatës së Shoqatave Arbëreshe përmes një materiali të regjistruar në video.
Më pas, prof. Persida Asllani mbajti një kumtesë për kontributin e prof. Jup Kastratit në studimet deradiane.
Ajo vuri në dukje interesimin e tij për letërsinë e arbëreshëve të Italisë, lidhur me përkushtimin dhe dimensionet e shumanshme të prof. Kastratit për De Radën.
Për profilin e prof. Jup Kastratit, si studiues të letërsisë arbëreshe, foli përmes një materiali të regjistruar në video, edhe studiuesja Klara Kodra.
Për kontributin e Jup Kastratit në fushën e studimeve gjuhësore dhe filologjike shqiptare folën edhe prof. Emil Lafe, dr. Jolanda Lila, prof. Tef Topalli: dr. Loreta Loli, dr. Arta Sula e të tjerë.
Cfar dmth.mbarekombtarija fjale shqipe.eshte kjo.?