Nxënësit e Kukësit kanë përzgjedhur njërën prej dramave më të bukura të vëna në skenë nga aktorët e Teatrit Kombëtar, “Pjata prej druri”, për t’u përfaqësuar në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove në Berat. Janë përkushtuar për të dhënë maksimumin e tyre.
Fabjola Axhami luan gjyshin dhe thotë se është përpjekur për të hyrë në rol e për të dhënë emocionin e duhur te publiku.
“Nëse aktori nuk e ka emocionin për vete nuk ka se çfarë të përcjellë për të tjerët,” shprehet ajo.
Samanta është në rolin e Klarës, një rol negativ, për të cilin thotë se nuk i përshtatet në karakter, por në tonalitet.
Provat i kanë bërë të ngjeshura prej tre muajsh, për të përgatitur një shfaqje konkurruese dhe të denjë për çmim.
“Duke bërë prova çdo ditë po përmirësohemi dhe uroj që të marrim çmim në Berat,” shprehet një tjetër nxënëse.
Vështirësia më e madhe është përshtatja e roleve që luajnë djemtë, pasi grupi i aktorëve është vetëm me vajza.
Për Arjeta Rexhepin, e cila është në rolin e regjisores, kjo ka qenë vështirësia më e madhe, por gjithsesi duket se ia ka dalë mjaft mirë.
“Kam pasur shumë vështirësi, sepse i kam përzgjedhur krejt vajzat në role djemsh. Me punë besoj se kemi arritur diçka,” thotë znj. Rexhepi.
Arjeta thotë se përzgjedhja e këtij materiali erdhi më së shumti edhe në shenjë sensibilizimi për kujdesin ndaj moshës së tretë.
Për trupën teatrale të Kukësit kjo është hera e katërt që merr pjesë në një aktivitet të tillë mbarëkombëtar dhe të rëndësishëm.
/RTSH/
Lini një Përgjigje