Një tjetër thesar ikonografik ka shpëtuar falë ndërhyrjes së Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, shkruan atsh.
Pas një pune disamujore, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniaturë e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit.
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, procesi i restaurimit zgjati 10 muaj. Ishte një proces i gjatë por në fund i suksesshëm.
“Ikona i përket vitit 1860, viti i cili u identifikua pas procesit së restaurimit, pasi ikona kishte dëmtime të shumta në të gjithë komponentët. Suporti i drunjtë ishte tepër i dëmtuar, kishte rënë një pjesë e konsiderueshme e gruntit dhe pikturës. Kishte gufime të shtresave përgatitore dhe të pikturës. Verniku ishte i oksiduar dhe me depozitime mbi të”, sqaroi drejtoresha e MKAM.
Përveç figurës së Joanit, brenda kompozimit është pikturuar dhe skena e lindjes së tij, dhe kjo e bën ikonën të veçantë, ndryshe nga paraqitjet e zakonshme të Joan Pagëzorit në ikonografi. Poshtë kësaj skene është identifikuar viti i krijimit të ikonës dhe emrat e dhuruesve Kostandini dhe Anastasi.
Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës.
Duhet shikuar ne origjinal por duket nje veper mbreselenese me nje kompozim teper te veçant trekendor i cili krijohet nga figura qendrore, skena e lindjes së tij nga e majta dhe koka e sakrifikuar ne te djathte (biri, ati dhe shpirti i shenjte), koncept i zakonte ne artin bizantin, gotik, i protorenesanses dhe renesanses, por gjith ky eshte nje imazh teper i pa zakonte sepse triptiku eshte brenda nje kuadrati, si tre imazhe kinematike dhe jo si tre tablo me vete te bashkengjitura, klishe e artit te asaj kohe. Ajo qe te trishton eshte qe kjo eshte veper e 1860 aty ku fillon periudha moderne ne art...pra jemi me 400-500 vjet vonese, si gjithçka tjeter.