Lacan-i në Tiranë

1 Qershor 2026, 17:16Kulturë Ardian Vehbiu

Revista prestigjioze GRANTA sapo ka botuar një ese timen me titullin “Lacan in Tirana”, ku marr shkas nga një episod i një vizite të mbetur përgjysmë, nga një psikanalist i atij kalibri, për të skicuar një portret subjektiv të psikiatrisë shqiptare gjatë periudhës së totalitarizmit, mbështetur në kujtimet që kam për babanë, Ulvi Vehbiun.

Revista më pati ftuar vjet që të merrja pjesë në këtë numër (174) kushtuar terapisë, në bazë edhe të disa eseve që kisha botuar në shqip, gjatë këtyre viteve, në “Peizazhe të fjalës”. M’u duk një shans i rrallë për t’i treguar, lexuesit të saj, që dija në Shqipërinë e Pasluftës ka ndjekur një rrugë unike, që meriton vëmendje pikërisht për dallimet që ka pasur prej vendeve të tjera të Lindjes.

Tani jam në gjendje ta kuptoj më mirë se përpjekjet për ta zhvilluar institucionin e psikoterapisë në Shqipërinë e fillimviteve 1970 ishin edhe ato pjesë e një lëvizjeje herë të vetëdijshme e herë spontane, mes elitave profesionale dhe artistike të vendit, për ta liberalizuar vendin; efektet e tsunamit të lëvizjeve të 1968-ës në botë kishin mbërritur edhe te ne. Natyrisht, nuk bëhej falë për të “rehabilituar” Freudin dhe psikanalizën freudiane, dhe aq më pak për të zbatuar në praktikë preceptet e shkollës lakaniane, por thjesht për ta emancipuar edhe më tej trajtimin e njerëzve me probleme dhe çrregullime mendore.

Shqipëria e fillimviteve 1960 ishte ende një vend ku sëmundja psikike mbahej rigorozisht e fshehtë dhe të sëmurët rëndë të lidhur pas krevatit, kur nuk trajtohej me vizita në vende të shenjta, hajmali dhe kontakte me shërues, dervishë dhe njerëz të fesë; teksa të sëmurët me shfaqje agresiviteti dhe rrezikshmëri për të tjerët, mbaheshin mbyllur në “çmendinë” dhe trajtoheshin me mënyra primitive. Që brenda një dekade do të fillonin përpjekjet serioze për organizimin dhe mbështetjen e psikoterapisë, kjo tregon për një zhvillim dramatik, të cilin e mundësuan disa pak mjekë që ishin në ballë të përpjekjeve emancipuese – mes të cilëve edhe im atë.

Lacan-i hyri në këtë muhabet gati rastësisht, ndoshta edhe në kontekstin e pasionit të intelektualëve frëngj pas maoizmit dhe versionit kinez të marksizmit – ku Shqipëria po këqyrej nga disa si një surrogat i Kinës në Europë. Megjithatë, kontakti me babanë kish filluar që në Paris, kur im atë ndiqte, herë pas here, seminarin e tij, gjatë një specializimi ku e kishin dërguar pikërisht për të mësuar teknika të psikoterapisë, përfshi edhe trajnimin autogjen dhe hipnozën. Si edhe herë të tjera më parë – dhe më pas – Franca do të shërbente si akselerator i emancipimit kulturor në elitat profesionale shqiptare.

Lacan-i në Tiranë

Në foto janë disa pak libra që kanë mbetur në bibliotekën tonë në Tiranë, nga ata që pat sjellë im atë nga Parisi për t’i mbyllur në një dollap me çelës, larg syve kureshtarë të vizitorëve, të pacientëve dhe të informatorëve të Sigurimit. Sot librat janë lodhur e vjetruar, faqet u janë zverdhur dhe shpina ka filluar t’u shkërmoqet – libra të blerë lirë mbase edhe second-hand, sepse aq i kishin mundësitë financiare specializantët e atyre viteve. Por shenjat e shumta që bartin në trup më tregojnë se, të paktën, janë lexuar – gjë që është fati më i mirë që mund të dëshirojë një libër.

Pranvera intelektuale në Tiranë do të zgjaste shumë pak; dhe shumë shpejt rrota e kalendarit do të kthehej mbrapsht, drejt një dimri absurd, ku elita, veçanërisht elita e shkolluar jashtë Shqipërisë, do të shihej si potencialisht armiqësore për regjimin dhe do të disiplinohej nëpërmjet frikës dhe ndëshkimit. Prej asaj stine aq premtuese mbijetoi në thelb vetëm një lloj dëshire dhe orientimi i shtresës intelektuale ndaj Perëndimit; brenda një shoqërie aq të traumatizuar, sa do të kish nevojë ajo vetë për terapi të gjatë dhe intensive, që në thelb nuk ndodhi.

Thashë që eseja në “Granta” është e komisionuar; u ula ta shkruaj drejtpërdrejt në anglisht, me publikun e kësaj reviste në mendje; edhe pse shpesh duke iu kthyer temave dhe perspektivave që i kam trajtuar tashmë shqip, në libra si Sende që nxirrte deti dhe Gjuha e thyer gjuha që thyen dhe me esetë që kam nxjerrë në “Peizazhe të fjalës” e në “Menditime”. Edhe pse nuk e kam parë kurrë veten në rolin e zëdhënësit të shqiptarisë në botë a në Perëndim (janë të tjerë ata që e kanë marrë tashmë këtë përsipër), gjithnjë kam menduar se Shqipërinë e kemi detyrë morale ta rrëfejmë më mirë, duke dalë nga kurthet dhe klishetë e nacionalizmit folklorik dhe obsesionit për t’i habitur të huajt. Në shekullin XX vendi ynë ka qenë një crucible ku janë përzier dhe kanë ndërvepruar mes tyre rryma, shkolla mendimi, filozofi dhe ideologji me burim edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja, në një kontekst social të brishtë të një kombi që i mbijetoi copë-copë shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Kjo është edhe historia që duhet të tregojmë – ajo e marrëdhënieve mes diversiteteve.

Esenë mund ta lexoni duke klikuar te ky link

https://granta.com/lacan-in-tirana/

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një Përgjigje