Lamtumirë aktor i kujtesës, mik i Autoritetit, Nikolin Kurti

11 Shkurt 2025, 14:54Kulturë TEMA
Lamtumirë aktor i kujtesës, mik i Autoritetit, Nikolin Kurti

Të premten e shkuar, Nikolin Kurti erdhi në Autoritetin e Dosjeve për t’i kërkuar institucionit mbështetje në përcjelljen e një propozimi drejtuar Bashkisë së Kurbit, për të nderuar figurën e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurtit.

Emocionet e tij ishin të dukshme, frymëmarrja e rënduar nga pesha e moshës por nxitimi i tij po aq i dukshëm, ndërsa specialistja e protokollit, Erta, e cila e kishte pritur edhe shumë herë të tjera, u sigurua që kërkesa dhe dokumentet shoqëruese të përcilleshin me shpejtësinë dhe përkushtimin që impononte përherë mirësjellja e tij.

Por dje, ky njeri fisnik, Nikolin Kurti, na la. Do të na mungojë prania e tij, historia që ai përcillte me pasion dhe përkushtim, prezenca e tij në ekspozitat arkivore, në ngjarjet përkujtimore, simpoziumet dhe konferencat, gjithnjë me fotografinë e xhaxhait të tij, të martirizuarit Dom Shtjefën Kurti, shoqëruar nga mbishkrimi: “I zhdukur gjatë regjimit komunist.”
Më 15 shtator 2023, pas studimit të dokumenteve në arkivin e Autoritetit, që plotësuan edhe dosjen e kujtesës për këtë klerik të shquar, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi kërkesësn e AIDSSH dhe vendosi që sheshi pranë stadiumit Air Albania dhe institucioneve të rëndësishme arsimore dhe shkencore në vend të mbajë emrin e "Dom Shtjefën Kurti".

Bota perëndimore foli për ekzekutimin e priftit të mirënjohur, i cili u dënua se vijonte në fshehtësi pagëzimet e fëmijëve në vitin 1971. Tre presidentë pas vitit 1993 e nderuan me titujt më të lartë, ndërsa ai u lumturua nga Vatikani në vitin 2016 si një nga 40 martirët shqiptarë.

Por për Nikolinin, nderimi i xhaxhait nuk ishte kurrë i mjaftueshëm. Ai e kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij duke u përpjekur që historia e Dom Shtjefën Kurtit dhe e të gjithë të zhdukurve në komunizëm të mos harrohej dhe këtë herë edhe nga brezat e rinjë.

Me mbështetjen e Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), ai luftoi për njohjen e figurës së xhaxhait të tij, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Sot, një nga sheshet më të bukura të Tiranës mban emrin e Dom Shtjefën Kurtit – një fitore simbolike për të cilën Nikolini punoi pa u lodhur por edhe Platformës sonë Mësojmë nga e Kaluara- i shtohet dokumentimi historik për edukimin e shoqërisë me një nga historitë më domethenëse të një aktori kujtese , siç ishte Nikolini.

Nikolini nuk e harroi kurrë padrejtësinë ndaj xhaxhait të tij. Në vitin 2011, ai arriti të takohej me prokurorin që kishte kërkuar dënimin me vdekje, Hajredin Fuga, dhe gjykatësin që kishte dhënë vendimin, Jani Vasili. Të dy i lanë një ndjesë të shkruar me dorë për vendimin e tyre. Nikolini i botoi këto letra në vitin 2019, duke respektuar dëshirën e tyre që ato të publikoheshin vetëm pas vdekjes së tyre.

Në ndihmë të plotësimit të historisë atij i erdhi edhe studiuesi Kastriot Dervishi, i cili publikoi procesverbalin e ekzekutimit të At Shtjefën Kurtit, ku dokumentohet se trupi i tij u dërgua për eksperimente mjekësore. Por mw pas ka dyshime se ai mund të jetë varrosur në parcelën e spitalit të burgut në Tufinë, ku dyshohet se preken shumë viktima të regjimit komunist.
Sot, teksa e kujtojmë me dhimbje humbjen e Nikolin Kurtit, ndjejmë se angazhimi i tij nuk duhet të mbetet i papërfunduar. Të zhdukurit e komunizmit ende presin drejtësi dhe kujtesa e tyre kërkon përkushtimin tonë të përbashkët. Nikolini bëri të pamundurën për të mbajtur të gjallë këtë histori—është radha jonë ta vazhdojmë këtë mision.

Historia e Dom Shtjefën Kurtit

I Lumi Dom Shtjefën Kurti ishte një ndër shumë klerikë të krishterë të ekzekutuar nga regjimi komunist, një njeri i besimit dhe i shpirtit të pamposhtur, i cili nuk ka ende një varr.
I ardhur nga Kosova në vitin 1930, ai shërbente si meshtar dhe ndihmonte komunitetin, madje duke pagëzuar hebrenj për t’i shpëtuar nga persekutimi nazist.

Arrestimi i tij i parë ndodhi më 28 tetor 1946, kur u dënua me 20 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Në Burgun e Burrelit, përballoi tortura çnjerëzore, por nuk hoqi dorë nga besimi dhe shërbesa e tij. Pas lirimit, meqë kishat ishin mbyllur, u detyrua të punonte si magazinier në një kooperativë.

Më 11 qershor 1970, u arrestua sërish në Gurrëz të Milotit, ku u zhvillua gjyqi i tij në godinën e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, të shndërruar nga regjimi në vatër kulture. Ai u dënua me vdekje “in odium fidei” (për shkak të besimit), sepse kishte pagëzuar ilegalisht një fëmijë. Më 20 tetor 1971, Dom Shtjefën Kurti u ekzekutua nga regjimi komunist, duke u bërë një martir i fesë dhe i lirisë./autoriteti/

4 Komente

  1. M
    Moisi Golemi

    Na plasi trapi.

    Përgjigjjuni
    1. L
      Libri

      Por mor njeri kalo tek thashethemet, e nxjerr dufin kollaj aty. Mos lexo lajme ku ka dritë, mirësi, njerzillëk se të fiket qarku.

      Përgjigjjuni
    2. E
      Eri

      Te prehet i qete zoteria, ngushellime familjes!

      Përgjigjjuni
      1. B
        Bepin Kcira

        Paste drite zoti Kurti...

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje