Lezhë - Promovohet libri i Pjetër Gjok Markut, “Pajtimi, mision i shenjtë kombëtar”

3 Shtator 2025, 11:45Kulturë TEMA
Lezhë - Promovohet libri i Pjetër Gjok Markut, “Pajtimi, mision

Fenomeni i gjakmarrjes dhe përpjekjet për tejkalimin e tij janë trajtuar në librin më të ri të misionarit të pajtimit, Pjetër Gjok Marku.

Botimi i titulluar “Pajtimi, ky mision i shenjtë i kombit” u promovua në Lezhë, përmes një aktiviteti ku morën pjesë autoritete vendore, misionarë të pajtimit, miq dhe dashamirës të librit.

Të pranishmit vlerësuan kontributin e Markut në procesin e pajtimit të gjaqeve, duke theksuar rolin e tij të pandërprerë në ndërtimin e urave të paqes mes familjeve të përfshira në konflikte.

“Rasti i Pjetrit dhe rasti i shumë të tjerëve është një rast për t’u mbështetur, promovuar dhe për të qenë bashkë në një mision i cili nuk është i lehtë,” tha kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Mund të them që është një thesar i gjithë veprimtarisë politike, shoqërore dhe kulturore, për t’i bërë mirë jo vetëm shqiptarëve, por edhe rajonit,” tha Gjin Marku, Kryetar i Misionit të Pajtimit të Gjaqeve.

Në fjalën e tij, autori u shpreh se ky mision fisnik nuk do të kishte qenë i suksesshëm pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve të tjerë, të cilët kanë dhënë kontribut në procesin e pajtimit.

Pa bashkëpunëtorë nuk do të kisha mundur të bëja asgjë. Kemi punuar si ekip,” u shpreh autori i librit.

Prej tri dekadash, Pjetër Gjok Marku është një nga figurat më të njohura të kësaj fushe, duke qenë protagonist në dhjetëra raste pajtimesh, jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por edhe më gjerë në Shqipëri.

- RTSH-

Lini një Përgjigje