Edicioni i katërt i koncertit “Klasikët n’Lissus” u organizua në Lezhë, duke konfirmuar këtë aktivitet si një nga nismat më të rëndësishme lokale në promovimin e artistëve të rinj.
Në skenë u ngjitën violinistet e reja të shkollës “Besëlidhja”, Melisa Figuri dhe Reina Gazulli, të cilat performuan të shoqëruara në piano nga pedagogia, Synjona Paplekaj.
Ky projekt kulturor, që tashmë ka krijuar një traditë në qytet, synon të ndërtojë ura mes edukimit artistik dhe jetës kulturore, duke u ofruar të rinjve një hapësirë profesionale për zhvillim dhe prezantim publik.
Programi artistik përfshiu vepra nga emra të njohur të muzikës klasike Vivaldi, Rieding, Kreisler, Handel, Mendelssohn dhe Wieniawski, duke sjellë një atmosferë të veçantë për publikun e pranishëm, përmes një interpretimi të nivelit të lartë artistik.
Përfaqësues të Bashkisë Lezhë dhe institucioneve arsimore e cilësuan këtë aktivitet si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e artit, duke theksuar rolin që luajnë këto koncerte në zbulimin dhe mbështetjen e talenteve të reja.
Për vetë interpretueset, Melisa Figuri dhe Reina Gazulli, ky koncert i organizuar me mbështetjen e bashkisë Lezhë, ishte një eksperiencë e veçantë, ndërsa reagimi pozitiv i publikut lezhjan mbetet një shtysë e fortë për rrugëtimin e tyre në muzikë.
“Klasikët n’Lissus” po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një skenë e rëndësishme për zhvillimin e jetës kulturore dhe promovimin e brezit të ri të artistëve në Lezhë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje