LIBRI I DITËS: "Planeti Leshtor"- Enird Malile dhe privilegji i të qenit vetëm

9 Janar 2026, 15:17Kulturë TEMA
LIBRI I DITËS: "Planeti Leshtor"- Enird Malile dhe privilegji i

ENIRD MALILE është një nga përfaqësuesit më interesantë të brezit të ri të shkrimtarëve shqiptarë. Ai është autor tregimesh të shkurtra ku ndërthuren detajet e të përditshmes me absurditetin dhe filozofinë, duke krijuar një narracion që shkon përtej realitetit të dukshëm. Proza e tij, e qetë por njëkohësisht e mprehtë, zbulon të fshehtat që jetojnë nën sipërfaqen e ngjarjeve të zakonshme dhe i jep lexuesit një ndjesi të thellë introspektive. Stili i Maliles është i dallueshëm për tonin e tij urban dhe nuancat ekzistencialiste, ku ndihen qartë formimi dhe përvoja e tij si psikolog.

Prej vitesh, ai punon si psikolog klinik dhe i zhvillimit në Qendrën Kombëtare Terapeutike të Fëmijëve, Tiranë, profesion i cili ka ndikuar fuqishëm në ndërtimin e personazheve dhe situatave të tij letrare, duke i dhënë atyre një dimension psikologjik dhe njerëzor të veçantë. Libri i tij i parë, "Planeti leshtor, përfaqëson hyrjen e tij në botën e botimeve dhe u prit me interes për origjinalitetin e tematikës dhe forcën shprehëse të gjuhës. Në vitin 2025, ai u rendit finalist i Çmimit Letrar Kadare, një nga vlerësimet më prestigjioze në letërsinë shqipe, duke e konsoliduar si një zë të rëndësishëm të skenës letrare. Krijimtaria e Enird Maliles reflekton shpirtin e një brezi autorësh që eksplorojnë jetën urbane, ekzistencën dhe përplasjen mes botës së jashtme dhe asaj të brendshme, duke sjellë një përvojë letrare moderne, të guximshme dhe filozofikisht të ngjeshur për lexuesin shqiptar.

Dendësia e bezdiste. E kishte bezdisur gjithnjë. Kujtoi letërsinë dhe filmat post-apokaliptikë, ku protagonisti mbetej i vetëm në botë. Ku ma gjen, tha me vete. Mendonte se kishte gjithnjë një lloj fisnikërie te vetmia pa njerëz. Madje ideja se ishe i vetmi i mbijetuar, i dukej gati-gati religjioze. I zgjedhuri që merr si barrë vetminë e planetit. Befas asgjëja që të shfaqet kthehet në mundësi. Mund r'ia nisje nga e para. T'i bëje gjërat siç duhet. Pa ngut e pa të tjerë që të çanin kryet sipër teje. Ndërsa e kundërta e shqetësonte. I shfaqej herë pas here në ëndërr. E gjente veten të rrethuar nga mizëri njerëzish që e kishin mbipopulluar planetin...

Po. Të ishe vetëm në botë, ishte njëfarë privilegji që mbështillej nga një hije kalorësiake. Njësoj si heroi i përrallës që shkon drejt kuçedrës fillikat duke mbajtur mbi supe një mision hyjnor. Ndërsa të të zinin frymën të tjerët, nuk kishte asgjë dinjitoze. Nuk kishte asgjë të shenjtë kur ndiheshe si një mizë, si një kafshëz në xhungël midis miliona të tjerëve, që duhej të luftonte për çdo frymëmarrje e kafshatë.

RUBRIKA DITORE E LIBRIT TË PËRZGJEDHUR

KATEGORIA: Roman/ Antologji dhe Histori të shkurtra 

SHTËPIA BOTUESE: Uet Press

ÇMIMI: 1.000 Lekë

/MAPO/

Lini një Përgjigje