Në zonën e Lunxhërisë, ka përfunduar restaurimi i plotë i Manastirit të Spilesë, një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qarkun e Gjirokastrës. Restaurimi ka rikthyer në gjendje të mirë arkitekturën e manastirit, duke ruajtur elementët origjinalë dhe karakterin historik të tij.
“Ky investim i cili shpëtoi një nga monumentet më të rëndësishme të kultit në qarkun e Gjirokastrës por jo vetëm. Një manastir i vitit 1630 dhe afresket e tij. Investimi i krye nga Instituti Kombëtar i trashëgimisë kulturore me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve. Konsistoi në restaurimin total të këtij manastiri”, deklaroi Ardis Duka, drejtor DRTKKGJ.
Pas restaurimit të arkitekturës së objektit, tashmë po punohet për rikthimin e afreskeve, duke ruajtur vlerat historike dhe artistike të tyre.
“Ndërkohë me përfundimin e fazës së restaurimit në objekt në kontekstin arkitektonik, ka filluar dhe ndërhyrja në restaurimin e afreskeve, përfshi pastrimin e të gjithë afreskeve dhe konsolidimin e tyre për të rritur jetëgjatësinë e këtij manastiri. Kështu që, do kemi një objekt tjetër i cili është i vizitueshëm por jo vetëm nga vizitorë vendas e të huaj, si dhe përdorimin e tij në objektin e kultit për zonën”, shtoi Duka.
Në qarkun e Gjirokastrës ndodhen 43 objekte kulti të klasifikuara si monumente kulture të kategorisë së parë. Ky investim ka nxjerrë në pah rëndësinë dhe bukurinë kulturore që Manastiri i Spilesë mbart. A.K./TemA
RESTAURONI DHE XHAMIJAT E TEQET ,,PER MYSLYMANET ,