Gonxhja: mbështesim artizanatin dhe ekonominë lokale

21 Janar 2026, 14:04Kulturë TEMA
Gonxhja: mbështesim artizanatin dhe ekonominë lokale

 Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka zhvilluar një vizitë në Pazarin e Krujës, ku është takuar me artizanë dhe sipërmarrës.

Ministri Gonxhja bëri të ditur se, mbështetja e artizanatit, e ekonomisë lokale dhe e turizmit kulturor mbetet një prioritet i rëndësishëm, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, punësim dhe promovim dinjitoz të Shqipërisë si destinacion me rrënjë të forta kulturore dhe potencial të madh turistik.

Artizanët dhe sipërmarrësit e këtij pazari, përmes punës së tyre ruajnë identitetin kombëtar dhe promovojnë produktet “Made in Albania” si vlera autentike për vizitorët vendas dhe të huaj.

Pazari i Krujës është një ansambël që ruan vlera historiko-arkitektonike, me rrugë me kalldrëm që të çojnë drejt kalasë së qytetit.

Ky pazar është zemra e qytetit të Krujës, një vend me gjallëri, i frekuentuar gjatë gjithë vitit nga vizitorë vendas e të huaj të cilët tërhiqen edhe nga suveniret e shumta. Çdokush i dhënë pas blerjeve artizanale patjetër që kalon nga Pazari i Krujës, në dyqanet e të cilit edhe mund të shihet endja e pëlhurave. A.K./TemA

Lini një Përgjigje