Nga Enver Robelli
“Para ligjit” - kështu quhet një parabolë e Franz Kafkës. Shkurt e shqip kjo është përmbajtja: një fshatar shkon para portës së ligjit dhe do të hyjë brenda. Përpiqet në të gjitha mënyrat, por nuk arrin, sepse portën para ligjit e ruan një roje. Parabola merr fund kur sogjetari (fjalë tjetër shqipe për rojë) e vëren se fshatari është duke u dorëzuar dhe për ta bërë atë të dëgjojë, i bërtet: “Këtu askujt tjetër nuk do t’i hapej dera, sepse kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Unë tani po shkoj dhe po e mbyll”. Ligji ka shumë dyer. Për secilin nga një.
Nuk dihet nëse ky tregim i Franz Kafkës është i lejuar të lexohet në burgjet e Brazilit, por kjo është pak e rëndësishme në krahasim me këtë lajm: në Brazil ekziston një ligj që u lejon të burgosurve të “fshijnë” kohën e dënimit duke lexuar. Kjo domethënë: kushdo që lexon - ta zëmë - dymbëdhjetë libra në vit, shpërblehet me ulje dënimi prej 48 ditësh në vit. Natyrisht nuk mund të shkosh te gardiani dhe t’i thuash: e kam lexuar këtë apo të roman prej 1200 faqesh. Duhet ta dëshmosh se e ke lexuar duke shkruar një recension mbi përmbajtjen e romanit. Recensioni duhet të dorëzohet te drejtoria e burgut brenda dhjetë ditëve.
Në burgjet brazliane s’mund të lexohet çdo libër. Ka kritere aty. Nuk mund të lexosh ndonjë bejtexhi tropikal. As ndonjë farkëtar vargjesh të përshtatshme për Instagram. Këshilli Kombëtar i Drejtësisë i Brazilit ka miratuar një listë autorësh që janë të lejuar për lexim në burg. Për shembull, “Um Defeito de Cor”, një vepër prej 952 faqesh e Ana Maria Gonçalves. Aty trajtohet historia braziliane nga perspektiva e një gruaje me ngjyrë. Autorë të tjerë të lejuar janë edhe Tolstoi, Dostojevski, Kafka, Orwell dhe Shakespeare. Pra, gjithë kategoria e rëndë e letërsisë botërore.
Arsyeja e shpërndarjes së këtij rrëfimi është kjo: siç njoftojnë jo vetëm mediat braziliane, ish-presidenti Jair Bolsonaro, i dënuar me burg për tentativë grusht shteti, mund ta shkurtojë dënimin me burg duke lexuar libra. Bolsonaro ka mjaft kohë për lexim. Është dënuar me 27 vjet burg. Meqë është ish-president, pra njeri dikur shumë i rëndësishëm dhe tani, në qeli, jo aq i parëndësishëm, ai gëzon disa privilegje. Së fundi është transferuar në një qeli të re. Ajo ka një hapësirë prej rreth 65 metrash katrorë, përfshirë kuzhinën, televizorin, një shtrat të gjerë - “krevat dopio”, siç i thonë këta burrat buzë deti në Durrës që tringëllojnë çelësat për të joshur turistët kosovarë - dhe një hapësirë të jashtme për përdorim ekskluziv të ish-presidentit Jair Bolsonaro.
Qëllimi i ligjit brazilian, i cili nxit të burgosurit të lexojnë, me gjasë është ky: leximi i bën njerëzit më të mirë! Por edhe këtu s'duhet pasur shpresa të pakufishme. Ka njerëz që lexojnë libra të mirë, por nxjerrin përfundime të gabuara dhe mësime fatale.
Lini një Përgjigje