Fjalori i madh i shqipes, që tani ka filluar të përdoret nga një masë e madhe të interesuarish dhe të shfletohet nga një masë edhe më e madhe kureshtarësh, plotëson një mungesë të madhe në kulturën dhe komunikimin shqip dhe, për më tepër, është vënë falas në dispozicion në linjë (onlajn).
Kushdo që po e përdor tani Fjalorin duhet të ndalet për një çast dhe të mendojë për vështirësitë kolosale që i janë dashur të përballojë grupit të përkushtuar të hartuesve, në përpjekjen për ta nxjerrë në dritë këtë vepër ambicioze; në një kohë kur vepra publike të kësaj shtrirjeje dhe thellësie po bëhen gjithnjë e më të pamundshme për t’u realizuar.
Ndërkohë persona të ndryshëm kanë lajmëruar mangësi reale a të perceptuara, që kanë të bëjnë kryesisht me atë nëse fjalë të caktuara gjenden apo jo në Fjalor; por ka pasur edhe vërejtje – shpesh të mbështetura – për përkufizimin e fjalëve.
Me aq sa kam parë, unë besoj se Fjalori ka probleme serioze, por të tilla që nuk mund të nxirren në pah thjesht në mediat sociale dhe as me kritikat për fjalë individuale. I quaj problemet serioze, në kuptimin që vepra më duket se ende nuk është e përfunduar.
Përshtypja ime – se nuk e quaj dot më tepër – është se numri i fjalëve në këtë fjalor është shtuar tej mase, me material që rezulton ose pa vlerë, ose artificial, ose i paverifikuar, gjithë duke lënë jashtë material leksikor tejet të nevojshëm dhe të përdorur tashmë dendur, por që ende nuk do të ketë sedimentuar në databazat në dispozicion (po sjell vetëm një shembull mes shumëve: fjalorit i mungon fjala IMPLANT). Prandaj, kur dëgjoj tani që vepra ka kaq apo aq mijë fjalë, më vijnë në mend thjesht njoftimet e kolektivave punonjës, në kohët totalitare, për realizimin dhe tejkalimin e planeve - sepse nuk është nga numri i fjalëve në Fjalor, që do të gjykohet pasuria dhe shëndeti i gjuhës shqipe.
Dhe aq më e nxituar, më duket mua, përpjekja për t’i adresuar këto mangësi duke ndërhyrë dhe ndrequr fjalë individuale, në një kohë që vërejtjet e ndryshme ia vlen të merren në konsideratë vetëm në atë masë që lajmërojnë mangësi sistemike që mund të ishin shmangur. Një arnë këtu dhe një ballomë atje nuk do të përmirësojnë dot asgjë, nëse qëndron kritika se Fjalori ende nuk e ka pamjen e një vepre unike dhe të njëtrajtshme, të balancuar në mijëra pjesët e veta, të harmonizuar në qasjen dhe në filozofinë e vet leksikore.
Për të përfshirë një fjalë në fjalor duhet të ketë pasur kritere të qarta – por unë nuk jam në gjendje t’i deduktoj ato kritere, nga aq sa kam parë; aq më tepër që identiteti i një vepre leksikografike përcaktohet sa nga fjalët që ka përfshirë, aq edhe nga ato që ka lënë jashtë. Në raste të tilla, rëndësi ka që kufiri mes njërit grup dhe tjetrit duhet të jetë i qartë.
Numri i fjalëve në Fjalor duket sikur është rritur artificialisht, duke përfshirë atje emra të gjinisë femërore, të tipit ANADOLLAKE, të cilat mund t’i krijojë njeriu duke i shtuar një prapashtesë mocionale çdo emri që e pranon këtë. Po ashtu janë përfshirë neologjizma me status leksikor fare të dobët, ngjizje letrare ose të rastit, që ende nuk e kanë fituar statusin e fjalës shqipe dhe që nuk i takon një Fjalori që t’ua japë, të tilla si GJIBARDHË, “që e ka gjirin shumë të bardhë, me gjinj të bardhë. Femër gjibardhë.” 1Ose BUZËMI, “që i ka buzët si të miut, me buzë shumë të holla.” Më në fund, janë përfshirë në Fjalor krahinizma dhe fjalë dialektore – për mua – shpesh të paverifikuara, të tipit TREQENIKE “zgjedhë në të cilën mbrehen tre qe”, dhe që do të zinin vend më të mirë në një fjalor të llojit etnografik.
Nëse Fjalori i ka vënë vetes për mision të përcaktojë dhe të stabilizojë normën leksikore të shqipes, kam përshtypjen se këtë nuk e ka arritur.
Siç është vënë në dukje edhe nga të tjerë, shumë përkufizime fjalësh librore në Fjalor janë problematike, ngaqë përmbajnë pasaktësi dhe gabime konceptuale. Një pjesë e këtyre përkufizimeve duket sikur janë trashëguar nga fjalorë të mëparshëm të shqipes dhe sot tingëllojnë të paktën të vjetruara. Nga disa kërkime që bëra, më rezulton se jo gjithnjë përkufizimet e termave tekniko-shkencorë janë hartuar ose redaktuar nga specialistë të fushës, çfarë përbën një minus të madh për cilësinë intelektuale të veprës.
Do ta shembëllzoja këtë që them me fjalën HISTERI, një lloj neuroze, e cila përkufizohet kështu: “Sëmundje nervore te njerëzit shumë të ndjeshëm, që shfaqet me turbullimin e herëpashershëm të gjendjes shpirtërore e mendore dhe shoqërohet me britma, me të qeshura, me dridhma, me lot, etj.” Ky mund të jetë një përkufizim folklorik i histerisë, por nuk ka shumë lidhje me mënyrën si e përfytyron këtë neurozë psikiatria bashkëkohore dhe si e japin disa vepra të leksikografisë bashkëkohore për gjuhë të mëdha. Fjalori Merriam-Webster e përkufizon HISTERINË si “një psikoneurozë të karakterizuar nga eksitueshmëria emocionale dhe shqetësime të funksioneve psikogjenike, sensoriale, vazomotore dhe viscerale”; ndërsa Fjalori Treccani si “formë neuroze e karakterizuar nga çrregullime të ndryshme psikike dhe nga simptoma sensoriale dhe motore; duke qenë HISTERIA E KONVERSIONIT “një neurozë e karakterizuar nga prania e manifestimeve somatike që shprehin, në mënyrë simbolike, konfliktet psikike të pavetëdijshme” teksa LAROUSSE flet për një “strukturë neurotike e personalitetit, e karakterizuar nga konvertimi në simptoma trupore i përfytyrimeve dhe ndjenjave të pavetëdijshme.” Po guxoj të komentoj se përkufizimi që ka dhënë këtij termi Fjalori ynë është tejet i vjetruar dhe, për standardet e dijes bashkëkohore, i papranueshëm. Në përgjithësi, trajtimi i termave të psikiatrisë në Fjalor m’u duk jo-profesional dhe shpesh i improvizuar ose i trashëguar nga materiale të vjetruara - për fat të keq, nuk kam kohë që të merrem me kampionime më të shtrira nga fusha të tjera.
Veçanërisht lënë për të dëshiruar shembujt në Fjalor, të cilët – në masë të madhe – duken të hartuar shkel-e-shko, sa për të mbushur një hapësirë që duhej mbushur. Fjala që përmenda më lart, ANADOLLAKE, e përkufizuar si “Banore turke e Azisë së Vogël në periudhën e feudalizmit osman”, ilustrohet me këto thënie: Anadollake tipike. Takova një anadollake. Ndërsa kuptimi i saj i dytë, “Ajo që është e prapambetur, që mendon e vepron sipas zakoneve të vjetruara e prapanike; femër e pagdhendur, femër e vrazhdë”, ilustrohet kështu: Është anadollake nga mendja.
Shumica e ilustrimeve që kam parë janë të tilla – të kota, të përcipta, larje goje, të sajuara shpejt e shpejt, artificiale, të pagjasa. Nuk duket të jenë nxjerrë nga ndonjë korpus a ndonjë kartotekë, por më shumë të sendërtuara ad hoc (e kam të pamundur të përfytyroj një tekst ku të thuhet: takova një anadollake). Ato vijnë jo si pasqyrë e shqipes së gjallë, por si karikaturë e një shqipeje laboratorike. Një pjesë e madhe e tyre nuk i duhen askujt. Sa për ilustrim, një mbiemër si DALTONIAN përkufizohet si “që nuk i dallon dot ngjyrat, që është me daltonizëm; që i mungon aftësia për të dalluar ngjyrat në mënyrë normale” dhe pastaj ilustrohet me këtë thënie: Njeri daltonian. Por nuk besoj se ky togfjalësh, njeri daltonian, është dëgjuar a shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe – sepse nuk mund të jetë tjetërkush “daltonian” veç njeriut.
Shumë nga përdoruesit që kanë bërë vërejtje për fjalorin duket se kanë një koncept të gabuar, për atë që përfaqëson kjo lloj vepre. Mbase u duhet shpjeguar, nga autorët, që Fjalori nuk është parlamenti i leksikut krahinor të shqipes, ku çdo katund duhet të ketë përfaqësinë e vet; sikurse nuk është as muzeu i leksikut të shqipes, ku të koleksionohen fluturat e mbledhura nga amatorët në rrjedhë të dekadave. Fjalori duhet vlerësuar për çfarë synon që të jetë. Mbase për këtë arsye, duhet që të përgatitet urgjentisht një material promocional-edukativ, ku të shpjegohet – me durim dhe hollësi – si të përdoret Fjalori në formatin në linjë, në mënyrë që të nxirret prej tij maksimumi.
Nga ana tjetër, mua më pëlqeu shumë trajtimi që u është bërë sinonimeve, shprehjeve frazeologjike dhe, veçanërisht, emrave të bimëve e të kafshëve, që shpesh janë shoqëruar me emrin latin; janë gjëra që, si përdorues i kualifikuar, më hyjnë menjëherë në punë. Në përgjithësi, prezantimi elektronik i fjalorit më duket i nivelit bashkëkohor; dhe me keqardhje mendoj si do të kish qenë vepra, po të kishin qenë më të tejdukshme marrëdhëniet e teksteve shpjeguese dhe shembujve, me korpusin që, në Parathënie, thuhet se është përdorur për hartimin e Fjalorit.
Sa më lart janë vetëm pak shënime të miat, pa pretenduar që të përfaqësojnë një vlerësim profesional të Fjalorit (dhe që ndoshta do t’i plotësoj më vonë, po të gjej sado pak kohë, mes impenjimeve të mia). Shumë prej autorëve të kësaj vepre kanë qenë dhe janë kolegë të mi, të cilët i njoh dhe i respektoj si leksikografë profesionistë, dhe shpresoj se do të m’i mirëkuptojnë vërejtjet.
Ndoshta Fjalori duhet lënë i hapur për disa vjet në mënyrë që specialistët leksikografë, mundësisht të organizuar si një grup pune i përhershëm, të kenë kohën e mjaftueshme të riparojnë mangësitë dhe dobësitë e ndjeshme strukturore të veprës. Nxitimi dhe afatet mbytëse vetëm do të prishin punë. Aq më tepër që këto mangësi dhe dobësi nuk kanë shumë të bëjnë me çfarë po vënë në dukje njerëz të ndryshëm, të shtyrë nga motive individuale – si ata që propozojnë lista fjalësh.
Edhe shembujt që kam sjellë më lart duhen parë vetëm e thjesht si ilustrime problemesh të përgjithshme, që nuk mund të zgjidhen duke korrigjuar materialin e shembujve. Nëse vërejtjet e mia gjykohen si të drejta, ato nuk mund të adresohen veçse në parim dhe pikërisht, duke rishikuar fjalësin e fjalorit dhe hequr që andej mijëra fjalë të kota; duke rishkruar masivisht shembujt dhe ilustrimet e fjalëve, në mënyrë të tillë që të kapërcehet niveli i dhaskalit dhe të tregohet respekt për përdoruesit; duke u kërkuar specialistëve të fushave të ndryshme, që të lexojnë në mënyrë kritike terminologjitë përkatëse. Shekulli që po na sfidon është i inteligjencës artificiale dhe modelimit kompjuterik; jo i bagëtisë, bujqësisë dhe kostumeve popullore: prandaj shqipja e Fjalorit dhe metagjuha e shpjegimeve dhe e aparatit duhet t’i përgjigjen gjuhës së qytetarit shqiptar bashkëkohor, të integruar shëndetshëm në dije dhe në kulturë.
Shënim: fjalët që kam cituar, nga Fjalori, i kam marrë nga faqja siç ishte më datën 18 janar 2026 paradite, me orën e NYC. I lutem lexuesit të mbajë parasysh që nesër këto fjalë mund të ndryshohen prej redaktorëve dhe/ose autorëve.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është krijuar me Midjourney dhe edituar me Gemini. Botohet me leje te TemA.
Ka nje thes me boshlleqe te tjera perderisa eshte punuar nga njerez jo te fushes dhe thjesht per shperblime. Pastaj: cfare do te thote "Fjalor i Madh"????????????????????????????????????????
Nuk eshte fjalor!!ky liber eshte nje perkthyes nga osmanishtja dhe sllavishtja.qellimi tu mesoj shqiptareve dhe tu a ngulis ne mendje fjalet e huazuara.tradhetia me e madh qe I behet gjuhes shqipe arbnore ilire.detyra e gjuhtareve shqiptare eshte qe fjalet e huazuara ti plotesoje me fjale shqipe.perse un duhet te mesoj kuptimin e fjales (torollak turqisht) kur un di shumemire ta therras i manget ne gjuhen tone.
Bravo akademik. Na thua qe fjalet e fjalorit te shqipes ti spjegojme me fjale te gjuheve te huaja ne menyre qe ai qe nuk eshte " akademik " si "zotrote" t"mos i kuptoj kurre. Ndoshta fjalen "gëlqere" duhet ta zevendesojme me fjalen "calcare" sepse ti na ke thene dikur se kjo fjale shqipes vjen nga latinishtja, pavaresisht se te paret tane i thoshin gëlqeres - gërçere, e kjo fjale permbna ne vetevete fjalen "gërç" = gërxh = gur. Sigurisht specialistet e fushave perkatese duhen thirur per te spjeguar fjalet teknike , sidomos ato te mjeksise, por pa tjeter duhet ti spjegojne me ndihmen e shqipes e jo me terma te gjuheve te huaja, qofshin ato greke apo romake. Shqipja i ka te gjitha mundesit dhe mjetet per te rigjeneruar vetveten dhe per tu dal ballas zhvillimeve bashkohore ne te gjitha fushat e jetes.
"pavaresisht se te paret tane i thoshin gëlqeres - gërçere, e kjo fjale permbna ne vetevete fjalen "gërç" = gërxh = gur." Mjaft me keto fantazi groteske se jeni bere dhe po na beni qesharake!
Po pse nuk jane edhe Xhevat Lloshi, Thanas Feka, Pavli Qesku dhe te tjere leksikografe ne jete pjese te grupit qe hartoi kete fjalorzi?
Nuk e di si e ka dhene fjalori i Madh fjalen baze: Shpi qe vjene nga veprimi Shpihem apo e ka lene Shtepi e pastaj duhet t'i themi Shtepihem. Nje nxenes e pyeste mesuesin: pse ja keni vene W.C. hales ne shkolle se ne ne shtepi i themi Hale. Jo thoshte mesuesi se Hale asht turqisht. Nje nxenes tjeter e kundershtoi mesuesin se babai i tij i kishte thene se vjene nga latinishtja Turbohale e do te thote ere e keqe. Nxenesi i pare, i kundershtoi mesuesin dhe shokun e klases e ju tha se asht fjale shqipe e paster Ha-le ose Ha e hidhe dhe asht fjale Ilire nga kemi origjinen. Te qeshura frenetike ne klase qe trondisin akoma fjalorin e madhe. Nje nxenes tjeter i tha mesuesit: sa here baba egersohet dhe vjene ne pikun e padurimit ta godas maman, ajo i thote: Ja je turk, mos, ja je turk ,mos e baba qetsohet e nuk e godet. E mesuesi shpjegoi se ne ju themi anadollak ( i prapambetur) mirpo turqit njihen si edukusit me te medhenje te familjes dhe jane shume te sjellshem e dinjitoz ne familje e Ja je turk do te thote, si je njeri vertete turk, mos qello por duro e ruaj edukaten e larte familjare qe i karakterizone turqit. Kur te dale fjalori i peshuar mire, pasi fjalet ruhen ende ne te folmen e Shkodres dhe sidomos Kosove do vertetohet se latinishtja, greqishtja e sllavishtja kane shumicen e fjaleve te huazuara nga gjuha gati e vdekur Ilire.
Fjala Gerçele (ger-çel') asht shqip dhe vjen nga: gerryen e çel', shkakton plage perdoruesit ne rast se nuk perdoren mjete mbrojtese. kush ka lyer me gerçele e ka provuar kete pasoje./// Nje kerkese per perpiluesit e fjalorit te Madh dhe gjuhetareve shqiptar. Ka nje fjale te vetme (e njejte ne shqiptim, prononcim) por me sens te kundert midis shqipes e latinishtes qe provone me shume se mijra dokumenete se ne jemi fqinjet me te vjeter te latineve mos me thene me te vjeter se ata. A e kane gjurmuar, indentifikuar dhe trajtuar kete fjale bazamentale ne Fjalorin e Madh. Ndryshe jane shume large ne perceptimin linguistik, per ta lartesuar shqipen atje ku e meriton.
Fjala hale eshte dhe ka kuptim shqipe.(ha le) ha do te thote ushqim ngrenje.ndersa (le) do te thote jashteqitje .fjala hale eshte shum e vjeter ne perdorim te gjuhes shqipe.ne ato kohera nuk ekzistonte banjo .