Luvri plan zgjerimi 1 miliard euro, projekt ambicioz për "Mona Lisën"që rindezi debatin në Francë

25 Maj 2026, 19:28Kulturë TEMA
Luvri plan zgjerimi 1 miliard euro, projekt ambicioz për "Mona

Muzeu i Luvrit në Paris ka njoftuar përzgjedhjen e një ekipi arkitektësh francezë dhe gjermanë për një projekt të madh zgjerimi, me vlerë të parashikuar nga 700 milionë deri në 1 miliard euro. Projekti ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik francez për shkak të kostos së lartë dhe ndryshimeve që pritet të sjellë në një nga muzetë më të famshëm në botë.

Sipas njoftimit zyrtar, plani parashikon ndërtimin e një hyrjeje të dytë madhështore për të ulur mbipopullimin dhe për të rritur kapacitetin e vizitorëve me rreth tre milionë në vit. Po ashtu, projekti përfshin krijimin e një hapësire të re të dedikuar për ekspozimin e veprës së famshme “Mona Lisa” të Leonardo da Vinçit.

Për realizimin e këtij zgjerimi janë përzgjedhur firmat STUDIOS Architecture Paris dhe Selldorf Architects, të cilat u zgjodhën nga një listë me pesë kandidatë. Ministrja e Kulturës së Francës e ka cilësuar dizajnin si bashkëkohor dhe të respektueshëm, duke theksuar se synon të krijojë një lidhje më të fortë mes qytetit dhe muzeut.

Megjithatë, projekti është shoqëruar me polemika të shumta. Kritikat lidhen si me kostot e larta, ashtu edhe me menaxhimin e muzeut, në një periudhë tensionesh politike në Francë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Debati është shtuar edhe pas disa incidenteve në muze, përfshirë një grabitje të bujshme në Galerinë Apollo dhe një rrjedhje uji që dëmtoi materiale arkivore në Bibliotekën e Antikiteteve Egjiptiane. Pavarësisht sfidave, drejtuesit e Luvrit kanë deklaruar se projekti “Luvri – Një Rilindje e Re” do të vazhdojë, me synimin për modernizimin e institucionit. /mapo/

Lini një Përgjigje