Nga 31 maji deri më 6 qershor, Tirana dhe disa qytete të tjera të vendit tonë do të mirëpresin aktivitetet e Javës Italiane të Kulturës. Programi i kësaj jave, përkon edhe me 80-vjetorin e Republikës Italiane
15 aktivitete muzikore, në teatër, arkitekturë, dizajn, ushqim dhe modës do të zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Butrint gjatë Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri.
Ambasadori Marco Alberti tha se qëllimi është të promovohet identiteti italian përmes dialogut dhe bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Kemi folur shumë kohët e fundit për ekonominë. Italia është angazhuar shumë për investime të reja në këtë vend. Është e rëndësishme të rikthehemi të flasim edhe për kulturën; ekonomi dhe kulturë, diplomacia ekonomike dhe diplomacia kulturore janë të dyja vektorë të politikës sonë të jashtme këtu në Shqipëri.”, tha ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa, e cilësoi këtë javë si një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.
“Kjo javë faktikisht është një javë goxha intensive ashtu siç çdo javë e kulturës italiane, të cilat ne i presim me shumë kënaqësi. Kjo flet shumë dhe për raportin shumë të shkëlqyer që ne kemi midis dy vendeve tona.”, tha zv.ministrja e kulturës, Lira Pipa.
Një nga aktivitetet më të shumëpritura do të jetë koncerti i Mario Biondit më 1 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Programi përfshin gjithashtu një retrospektivë kushtuar dizajnerit italian Gaetano Pesce, dokumentar për arkitektin Renzo Piano, shfaqje me marionetat tradicionale siciliane dhe evente të modës italiane.
Në 2026 Republika e Italisë kremton 80 vjetorin e saj. Ambasada e Italisë në Tiranë ka zbardhur programi e Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri:
JAVA E KULTURËS ITALIANE NË SHQIPËRI
31 maj - 6 qershor 2026PROGRAMI
31 maj 2026
Ora 19.00
Salla e Kishës Katolike
(Rruga e Kavajës) - Tiranë
Kori i Alpinëve
MUZIKË - Muzika luan një rol kyç në formësimin e identitetit. Shërben si shprehje kulturore, përcjell vlera, tradita e besime të një shoqërie apo komuniteti të caktuar. Mund, gjithashtu, të shprehë lidhjet midis kulturave të ndryshme, midis popujve të ndryshëm. Kori i Alpinëve mbart në vetvete një nga traditat muzikore më autentike të Italisë: Këngë popullore që rrëfejnë kujtesën, miqësinë, malin dhe shpirtin e komunitetit.
31 maj 2026
Ora 19.00
Sheshi Porta e Pashait - Berat
1 qershor 2026
Ora 19.30
Teatri "Zihni Sako" - Giirokastër
Duo Jazz Giovanna Magro & Carlo Proto
MUZIKË - “Kënga Italiane - Jazz Notes”. Këngëtarja e re dhe e talentuar italiane, Giovanna Magro, pas një udhëtimi në kërkim të ndikimeve dhe tingujve të rinj midis Spanjës, Shqipërisë, Rumanisë dhe Zvicrës, rikthehet në Vendin e Shqiponjave. Në Duet me kitaristin virtuoz Carlo Proto, risjell klasikët e mëdhenj të muzikës italiane në një stil jazz dhe soul modern, nën ndikimin mesdhetar si një nderim për Ballkanin.
1 qershor 2026
Ora 20.00
TKOBAP - Tiranë
Koncert i Mario Biondi-t
MUZIKË - Nëpërmjet një zëri të pastër e me forcë skenike, artisti do të shpalosë një repertor të aftë të bëjë bashkë ndjeshmërinë artistike me përfshirjen e publikut. Një mbrëmje kushtuar muzikës si një gjuhë universale takimi dhe bashkimi. Një takim i veçantë në emër të kulturës, artit dhe emocioneve.
3 qershor 2026
Ora 19.30
Teatri “Petro Marko” - Vlorë
“Presim të nesërmen, pa pasur frikë”
TEATËR & MUZIKË - Mbrëmje kushtuar kantautorit të shquar bolonjez Lucio Dalla. Një shfaqje mes teatrit dhe muzikës, një udhëtim në jetën e artistit. Nëpërmjet rrëfimeve dhe gjenialitetit zbulojmë historinë e disa prej këngëve që kanë lënë gjurmë.
3 qershor 2026
Ora 18.30
COD - Tiranë
Retrospektivë mbi Gaetano Pesce-n
ART - Ekspozitë retrospektive mbi Gaetano Pesce. Ky nderim ndaj mjeshtrit të shquar italian është konceptuar si një ndërthurje e realizuar me fjalët e vetë Gaetano Pesce-s. Ekspozita, në vend që të ndjekë një rrjedhë kronologjike, zhvillohet përmes përzgjedhjes së termave kyç të cilat karakterizojnë mendimin dhe praktikën e tij. Çdo stendë trajton një prej temave kryesore të veprimtarisë së Pesce-s: jetën, humanizmin dhe arkitekturën.
4 qershor 2026
Ora 12:00
Kompania Lutech - Kompleksi Rezidencial Lakeview - Tiranë
Përurimi i selisë së Lutech
EKONOMI - Me një përvojë njëzetvjeçare në Itali, vitet e fundit Kompania ka ndërmarrë një plan strategjik për rritjen në Evropë çka ka bërë të mundur krijimin, në 2024, të Global Competence Center (GCC) në Tiranë. Qendra, fryt i një bashkëpunimi të ngushtë midis Italisë dhe Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm për strategjinë e ndërkombëtarizimit të Gruppo Lutech, me synimin për të krijuar dhe nxjerrë në pah aftësi të jashtëzakonshme.
5 qershor 2026
Ora 16.00
Ora 18.00
Teatri i Kukullave - Tiranë
Shfaqje e Kukullave siçiliane
ART - Teatri i kukullave mbetet një nga format më tradicionale dhe magjepsëse të argëtimit. Grupi teatral Vaccaro - Mauceri i Siracusa-s përfaqëson një nga grupet më të vlerësuara të këtij arti antik.
4 qershor 2026
Ora 19.00
Kinemaja e qytetit - Gjirokastër
Ora 19.00
Kinemaja e Pallatit të Kulturës - Vlorë
Italia në ekran: “10 filma me metrazh të shkurtër rreth botës”
KINEMA - Shfaqja e dhjetë filmave italianë me metrazh të shkurtër, ndër realizimet më interesante e më të fundit të kinemasë italiane. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Filmave me Metrazh të Shkurtër, tre shfaqje që përfshijnë komedinë, dramën, filmin dokumentar, për të treguar Italinë nëpërmjet kinemasë bashkëkohore.
5 qershor 2026
Ora 19.45
Sheshi Lungomare - Vlorë
Koncert i Mario Venuti-t
MUZIKË - Një çast për të kremtuar së bashku Italinë dhe për të interpretuar repertorin muzikor italian nëpërmjet një prej zërave siçilianë më të famshëm të Vendit tonë. Mario Venuti dhe Kuarteti i tij Jazz do të sjellin në Lungomaren e Vlorës 30 vjet suksese, nga bashkëpunimet me Carmen Consoli, falë të cilit fituan Sanremo-n me këngën “Amore di Plastica” dhe “Mai come ieri”, në këngët hit të verës, “Veramente” dhe “Crudele”, një udhëtim në muzikën pop dhe në ritmet që kanë shënuar stinat e verës në Itali.
5 qershor 2026
Ora 17.00
Instituti Italian i Kulturës
Shfaqja e filmit: “Pushteti i Arkivit. Renzo Piano Building Workshop”
ARKITEKTURË - Një dokumentar kushtuar arkivit të Fondacionit dhe zyrës së Renzo Piano-s. Nëpërmjet skicave, modeleve e dëshmive të bashkëpunëtorëve, filmi rrëfen procesin krijues dhe vlerën e kujtesës në arkitekturën bashkëkohore. Realizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.
6 qershor 2026
Ora 20.00
Amfiteatri i Butrintit - Sarandë
“Vizita” nga Davide Iodice
TEATËR - Shfaqje e realizuar në bazë të romanit “Vizita e Mrekullueshme” e Herbert George Wells.
Kjo shfaqje teatrale, një bashkëprodhim i Teatrit të Sardegna-s dhe Teatrit “Migjeni” të Shkodrës e vlerësuar me çmime në disa festivale ndërkombëtare, me regji të Davide Iodice dhe e vënë në skenë në një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë, e shpallur pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, e shndërruar tashmë në një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Jug të Vendit.
/mapo/
Lini një Përgjigje