Manifesti radikal i fshehur në kryeveprën e vitit 1884 të artistit francez Georges Seurat

17 Gusht 2025, 17:36Kulturë TEMA

Nga një pikturë e tallur, në një kryevepër të artit modern

Përshtatur në shqip, marrë nga BBC

Manifesti radikal i fshehur në kryeveprën e vitit 1884 të

Piktura që dikur e përqeshnin e Georges Seurat-it, e titulluar “Banjat në Asnières”, është përshkruar si një “përzierje e përkryer e thelbit të verës” dhe një “mrekulli moderne në artin e të parit”.

Veprat më të mëdha të artit na mësojnë ta shohim ndryshe mënyrën se si shohim. Nga “Portreti i Arnolfini-t” i Jan van Eyck (1434), me pasqyrën e vogël që shtrembëron realitetin, te “Një bar në Folies-Bergere” i Edouard Manet (1882), me lojën e ndërlikuar të vështrimeve, këto piktura luajnë me perspektivën dhe na ofrojnë pamje të botës në gjithë aspektet e çuditshme të saj.

Disa vepra e bëjnë magjinë e tyre më në heshtje. E tillë është “Banjat në Asnières” e Seurat-it (1884), që në pamje të parë duket si një lavdërim i thjeshtë i verës, por në të vërtetë zhbiron mënyrën tonë të perceptimit me një intensitet që e bën po aq aktuale sot sa ishte dikur.

Në shikim të parë, kjo kanavacë gjigante (2 me 3 metra) është një kremtim i qetësisë verore: punëtorë që pushojnë pranë lumit Sena, në periferi të Parisit, ndërsa rrezet e diellit zbardhin lëkurën e tyre të zverdhur nga punët e rënda në fabrika.

Fillimisht, drita që shkëlqen lëkurën e zbehtë duket se u jep një madhështi që zakonisht i rezervohet mitit dhe historisë. Por nëse afrohesh, trupat e tyre duken sikur fillojnë të shpërbëhen, një rrjet vibrues ngjyrash dhe dritash që sfidojnë çdo formë të qëndrueshme. Janë në lëvizje, edhe kur qëndrojnë të palëvizshëm.

“Banjat në Asnières” është një analizë e hollë e iluzionit të pamjes së jashtme, një përpjekje për të shfajësuar perdet shoqërore dhe psikologjike që formësojnë botën tonë. Në duart e Seurat-it, drita nuk është më thjesht ndriçim, por një substancë që mund dhe duhet të shpërbëhet dhe të rindërtohet. Kjo nuk është vetëm një skenë pushimi veror, por një reflektim i thellë mbi vetë aktin e të parit.

Një “çelës” për ta kuptuar veprën ndodhet në qendër të saj. Sipër shpatullave të një figure qendrore, vërehet një oxhak i hollë që lëshon tym, një nga shumë oxhaqet që ndotin qiellin e lagësht. Ai del nga një fabrikë në lagjen Clichy, qendër e prodhimit të qirinjve në Francën e asaj kohe, një industri që lulëzoi falë kimistit Michel Eugene Chevreul. Ky i fundit formuloi një teori shumë të rëndësishme të ngjyrave që ndikoi çdo centimetër të kësaj pikture.

Manifesti radikal i fshehur në kryeveprën e vitit 1884 të

Nga teoria në praktikë

Kur Seurat filloi punën për këtë vepër në vitin 1884, ishte një artist 24-vjeçar i sapodiplomuar nga Ecole des Beaux-Arts. Aty u njoh me idetë e Chevreul për kontrastin e ngjyrave, veçanërisht se si ngjyrat komplementare (si blu me portokalli) e theksojnë njëra-tjetrën kur janë afër. Shumë impresionistë e njihnin këtë teori, por Seurat ishte i vendosur ta trajtonte me rigorozitet shkencor.

Në “Banjat në Asnières”, ai vendosi mishin portokalli të djemve pranë ujit blu të gjelbër, barin e shpërndau me reflektime vjollcë të verdha dhe lëkurën e konturoi me ngjyrën blu të ftohtë për ta bërë më të ndritshme. Kështu, ai fshiu dallimet shoqërore, duke lënë vetëm vibrimin e ngjyrës.

Kjo metodë më vonë do të çonte në shpikjen e pointilizmit, teknika me pika të vogla që përzihen në syrin e shikuesit, dhe jo në paletën e piktorit. Kjo teknikë u përdor më plotësisht në veprën e tij të famshme “Një e diel në La Grande Jatte” (1884). Megjithëse “Banjat në Asnières” nuk u pikturua fillimisht me pika, në vitet 1886–1887 Seurat u kthye për t’i shtuar elementet pointiliste në disa pjesë.

Manifesti radikal i fshehur në kryeveprën e vitit 1884 të

Seurat nuk donte që “Banjat në Asnières” të ishte thjesht një pikturë tjetër. Ishte manifesti i tij artistik, një deklaratë e qëllimshme për mënyrën si duhej parë bota, përtej klasës, statusit apo formës. Ai realizoi më shumë se një duzinë skicash me vaj dhe vizatimesh para se ta përfundonte atë.

E megjithatë, kur e paraqiti veprën në “Salon” (ekspozita e artit në Paris), juria e refuzoi. I zhgënjyer, por i vendosur, Seurat bashkëpunoi me artistë të tjerë të refuzuar si Paul Signac dhe Odilon Redon për të organizuar një ekspozitë të pavarur. Por piktura u vendos në një cep të pavullnetshëm, dhe kritikët e quanin “monstruoze”, “vulgare” dhe “të keqe në çdo aspekt”.

Vetëm gjysmë shekulli më vonë, dhe pas vdekjes së parakohshme të Seurat-it në moshën 31-vjeçare (1891), kjo vepër filloi të vlerësohej si një moment kyç në historinë e artit. Në vitin 1924, Galeria Tate në Londër e bleu pikturën dhe i dha vendin e duhur, duke e shndërruar “Banjat në Asnières” në një simbol të verës dhe një mrekulli moderne të mënyrës si ne shohim./tvklan.al

 

Lini një Përgjigje