Në kujtesën kolektive të të gjithëve një film përgjithësisht mbahet mend falë batutës ose muzikës. Ndaj mjafton të dëgjojmë notat e para të këngës epike të mjeshtrit të madh Aleksandër Lalo “Djemtë tanë luftojnë malet” dhe njeherazi kuptojmë se bëhet fjalë për filmin “Dimri i fundit” realizuar më 1976.
Mbase nuk ishte kohë e dashurisë dhe ishte kohë e luftës së klasave. Mistereve tronditëse dhe sekreteve të paudha, por ama ishte kohë e kinemasë!
Kjo është ndjesia që të krijohet kur dëgjon Margarita Xhepën dhe përjetimet e saj në filmin “Dimri i fundit”. Dhe paskësaj mahnitesh se si ajo përcjell me aq emocion nostalgjinë e këtij filmi të paharruar për të dhe jo vetëm, dhe atë të rolit xhiruar më shumë se 42 vjet më parë. Shumëkush nuk e di se ishte filmi i parë i dy regjisorëve Ibrahim Muço dhe Kristaq Mitro.
“Ata ishin një trup, një mendje dhe një merak, tregoi, kohë më parë, Margarita (tashmë e ndjerë). Roli im kishte vetëm një faqe tekst, por vepronte dhe mendonte shumë. Nuk doja ta pranoja! Bashkëshortin e kisha sëmurë dhe dy djemtë të vegjël. Ku të shkoja? Xhirimet nisnin në janar. “Do bëjmë si do bëjmë pa ty këtë dimër”, më tha im shoq dhe u binda. Pranova!”
“E kam jetën nga operatori i shkëlqyer Ilia Terpini. Personazhit tim i digjet shtëpia. Kinostudio bleu asokohe një shtëpi të vjetër që ta digjte, mirëpo trarët ishin aq të kalbur sa nëse nuk do të dëgjoja thirrjen për t’u larguar nga Ilia, do të kisha vdekur. Trau që digjej më ra në këmbë. Unë isha në rol e sipër, artisti harron. Por arti është magji dhe nuk ndikoi aspak kjo skenë që ndodhi për të vazhduar xhirimet. E harrova.”
Gjatë periudhës dy mujore, vështirësitë ishin të shumta por filmi në atë kohë kishte një fuqi udhërrëfyese në jetën e gjithësecilit prej aktorëve. Episod tjetër që Xhepa tregoi duke qeshur ishte çasti i rrëshkitjes së grave në dëborë. Aktorja kujtoi se kishte hall mos thyente ndonjë këmbë apo krah dhe u fut enkas mes grave dardhare që ishin mësuar me dimrin e sertë të çdo viti, që nuk ishte assesi i fundit.
Ndonëse e pamundur të përmbledhësh në një shkrim tërë peripecitë e “Dimri i fundit” vlen të theksohet se sfida që ai i bëri kohës, atëherë dhe tani, e vendos atë në piedestal të kinematografisë shqiptare. Me një perceptim të qartë vizual dhe lëvizje të ndjeshme estetike ky film ka ngjallur mjaft debate meqë trajtonte luftën partizane, një epokë kjo që nuk mund ta mohojmë./(Ilnisa Agolli-konica.al)
Djemte nuk luftonin malet, oj gazetare,por maleve, ose më saktë "në male" janë tamam tamam fjalet. E per se duhet ta permendesh qe nuk duhet ta mohojme luften, apo qe te jesh politikisht korrekte,se mos te quajne komuniste a enveriste. Lufta jo qe nuk duhet mohuar,po nuk duhet harruar. Ata qe dolen malit nuk shtinin dot fall se cdo te ndodhte ne te ardhmen.