Nis turneu veror i artistëve të TKOBAP-së

8 Korrik 2025, 10:58Kulturë TEMA
Nis turneu veror i artistëve të TKOBAP-së

Si çdo sezon veror, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të ndërmarrë një turne mbarëkombëtar, duke ftuar artdashësit ta ndjekin në këtë rrugëtim plot art, emocione dhe udhëtime muzikore.

Artistët e Operas por edhe të Ansamblit Popullor do të dalin nga skena e Tiranës për të interpretuar në qytete si Berati, Durrësi, Gjirokastra, Ulqini, Tetova e Gjeneva, ku korriku sjell një kalendar të mbushur me shfaqje që i japin shpirt verës shqiptare.

Artdashësit do të mund të ndjekin balet nën yje, muzikë dhome që përqafohet me tingujt e stinës dhe bashkëpunime që lidhin trojet përmes artit. Këto janë vetëm disa nga surprizat që premton për këtë sezon veror TKOBAP.

Në datën 10 korrik, “Mullixhesha e bukur”, vepër që sapo është prezantuar në Tiranë, do të shfaqet në Pallatin e Kulturës të Beratit. Po në të njëjtën ditë, në Gjenevë të Zvicrës do të jepet shfaqja “Side event” me pjesë të muzikës folklorike, shkruan atsh.

Në 11 korrik do të jetë Amfiteatri i Durrësit ai që do të kthehet në skenë për balerinët e TKOB, me pjesën “From darkness to light”. Në Gjirokastër (15 korrik) do të vihet në skenë baleti “Cantata”, ndërsa në Ulqin (17 korrik) do të performojnë artistët e Ansamblit Popullor me “Folk on tour”.

Data 22 korrik do të jetë e veçantë për Tetovën, ku do të performojnë 3 ansamble njëherësh: Ansambli Popullor i Shqipërisë, Ansambli “Shota” i Kosovës dhe Ansambli i Maqedonisë së Veriut.

Lini një Përgjigje