Mehmet Shehu dhe çështja e Kosovës

18 Dhjetor 2024, 17:05Dossier TEMA
Mehmet Shehu dhe çështja e Kosovës

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin së bashku në të gjithë arritjet dhe zhgënjimet që i sollën
popullit shqiptar. Pyetja që të vjen natyrshëm që herë i tregon njërin më hakmarrës se tjetrin,
njërin më të t’merrshëm se tjetrin, po ashtu njërin më me zemërgjerësi se tjetrin, njërin më të
përmbajtur se tjetrin dhe natyrisht që të dy e kanë përdorur njëri tjetrin, kush e di sa herë në
dyert e politikës botërore, herë në lindje dhe here në perëndim. Pse e përdorën pushtetin e
tyre duke kryer ndëshkime ndaj luftëtarëve të lirisë, të cilët popullit i dhanë liri e nuk gjendet
kund vend në botë që të dënojë me pushkatim e burgim të përjetshëm pjesën më të madhe e
më kryesore të luftëtarëve të lirisë. Vetëm fakti i qenies komunist, e sidomos partizan i Luftës
Nacionalçlirimtare apo bir e pjesëtar i këtyre familjeve, do të ishte i mjaftueshëm që ata të
amnistoheshin e t’u viheshin të drejtat në vend. Personalitetet politke me emër, figura të
ndritura të rezistencës shqiptare, e të luftës për liri e përparim si Sejfulla Malëshova e Ymer
Dishnica, Tuk Jakova e Bedri Spahiu, Nako Spiro e Koço Theollosi, Naxhie Dume e Vera Pojani,
Koço Tashko e Kiço Ngjela, Liri Gega e Liri Belishova, Todi Lubonja e Abdyl Këllezi, etj.
Komandantë e komisarë legjendarë të brigadave si Dali Ndreu e Tahir Kadareja, Kadri Hoxha,
Hulusi Spahiu, Nexhip Vinçani e Pëllumb Dishnica, Gjin Marku, Muhamet Prodani e Andon Sheti
e Hito Çako, Vaskë Gjini e Rahman Perllaku, Abaz Fejzo etj, Petrit Dume e Beqir Balluku etj etj.
Edhe kundërshtari i luftës Balli Kombëtar do t’i respektonte po të ish në pushtet, në mos do t’i
trajtonte siç trajtoheshin në Itali dhe Gjermani, por do t’i trajtonin të paktën siç trajtuan grekët
Glezosin dhe Bellojanin, Markosin, jo se do t’u vinte keq, por për oportunitet politik do t’i
shfrytëzonin në interes të tyre për të justifikuar aleancën antifashiste. Janë një mori faktesh që
duheshin denoncuar dhe në librin e Perlat Çaushit “Kush e vrau Mehmet Shehun”, megjithëse
ndihet një frymë realiste, nuk ka shumë dritë kjo pjesë e historisë, përveç disa detajeve të gjyqit
të Kadri Hasbiut dhe Fiqeret Shehut dhe disa të arrestuarve që kishin dhënë dëshmi në kushtet e
torturave të tmerrshme fizike dhe psikologjike. Megjithëse unë në shkrimet e mia e kam trajtuar
shumë çëstjen e Mehmet Shehut, si një kryeministër i cili në gazetëne kohës “ Zëri i popullit”,
nga viti 1980-1981 ishte me ekzpozimin minimal të numrit të aktiviteteve. Në një intervistë të
operatorit Ilia Terpini ai ndër të tjera më ka thënë: - Ishim porositur nga Komiteti Qendror që ta
filmonim sa më të veçuar Mehmet Shehun në Kongresin e 8-të. Mehemetit nuk i buzëqeshi
njëherë buza në atë kongres! Një herë në javë në RTSH shfaqej filmi “Rroftë Zapata” nga viti
1980-1981 Po ashtu kisha kontaktuar me centralistin (me mbiemrin Peçi), i cili kishte përgjuar
Mehmet Shehun, kur ky i fundit e kish pyetur: - Pse kam zhurma në telefonatat e mia?

Centralisti i pakinosur i ishte përgjigjur duke gënjyer dhe raportoi tek drejtori i tij. Po pse e
ndryshuan sjelljen shumica e byroistëve të cilët filluan t’i flasin me emër dhe aspak me respekt
Mehmetit në atë mbledhje absurde? Si shpjegohet fakti që Arshi Pipa ky armik i egër i partisë
ishte edhe bashkëpunëtor i Sigurimit, sipas librit “Pluralizmi Shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit” me
autor të ndjerin Bujar.Sh. Hoxha ku citojmë “Arshi Pipa djali i vogël i Sigurimit të Shtetit”, i
afrohej kaq pranë familjes kryeministrore për krushqi. A ka një dorë të organeve të Sigurimit të
Shtetit, me Kadri Azbiun dhe Feçor Shehun në këtë çështje? Fakti që Mehmet Shehu po
mbaronte vëllimin e dytë të veprës së tij, është sinjifikativ në lëmin e gjendjes emocionale të tij.
Vëllimi i parë i aprovuar nga Komiteti Qëndror siç thuhet në parathënie : “Botimi i Veprave të
zgjedhura të shokut Mehmet Shehu ndërmerret me vendim të Komitetit Qendror të PPSH”. Në
vëllimin e parë me 733 faqe, Mehmet Sheu shkruan për periudhën 1942-1944.
Perlat Çaushi në kapitullin me titull “VITI 1981. Revoltat në Kosovë. E fillon me këtë paragraf:-
Nuk ka ngjarje, para dhe pas Luftës Nacionalçlirimtare që Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha të
mos e përfshijnë dhe vendosin Mehmet Shehun, në rolet e tij agjenturore në shërbim të të
huajve. Lidhja bëhet kaq dilentanteske e pabesueshme dhe shpesh qesharake, saqë askush nuk
gjen qoftë edhe një argument, apo logjikë sado të varfër që ta besojë. Por kjo atyre iu bë ves.
Dhe në fushatën e madhe të fantazive, me luftë dhe me përmbysje, armikut Mehmet Shehu ata
gjetën vend edhe kur kosovarët u ngritën masivisht në protesta për të kërkuar për vendin e tyre
statusin e Republikës, në federatën e Jugosllave, fati e desh që të bashkëjetonin tok me
republikat sllave që përbënin Jugosllavinë. Në sheshet kosovare protestuesit dolën me parullën “
Kosova Republikë”. Enver Hoxha u ndodh i befasuar, jo sepse nuk ishte informuar nga Ministria
e Brendshme, apo strukturat e saj, por për ca arsye të tjera që do të shtjellohen më poshtë. Të
gjitha strukturat shtetërore dhe partiake në Shqipëri prisnin me ankth një qëndrim zyrtar mbi
këto ngjarje. Aq më shumë në pritje të një qëndrimi ishin vëllezërit kosovarë. Të paktë, nuk iu
dha një orientim as strukturave të tilla si Ministria e Jashtëme, asaj të Brendshme e tjerave.
Mbase gaboj në saktësi, por pas rreth tetë ditësh, u botua një artikull në “Zërin e Popullit,” ku
shprehej përkrahja ndaj këtyre revoltave dhe ndaj të drejtës sublime për “Kosovën Republikë”.
Drejtoria e Zbulimit disa herë i ka kërkuar Komitetit Qendror që të jepej një orientim se çfarë
përgjigje u duhej dhënë shqiptarëve të Kosovës. Asnjëherë nuk u dha një përgjigje e saktë dhe e
prerë. Me shkrim jo e jo, por as verbalisht. Tek tuk përgjigja u lihej në derë vetë kosovarëve,
duke u thënë se ne donim të kishim marrëdhënie normale me Jugosllavinë dhe rezervoheshim
të ndëhynim në punët e brendshme të saj. “Veç kësaj, situatën brenda vendit e njihni më mirë ju

sesa ne, prandaj vendimin më të drejtë e merrni ju,”-i mbyllnim shpjegimet ne. Përveç frikës që i
pari i vendit kishte, se mos me Jugosllavinë krijoheshin komplikacione politike e aq më shumë
ushtarake, kishte edhe një arsye tjetër. Në pyetjet që i drejtoheshin Komitetit Qendror mbi
qëndrimin që duhet mbajtur rreth parrullës “Kosovës Republikë”. Pas ngjarjeve në Kosovë
udhëheqësi formuloi një platformë, e cila për shkak të karakterit sekret, iu bë e ditur, shumë pak
kuadrove. Edhe atyre iu tha që ishte përgatitur vetëm për t’u lexuar. Nuk u lejua të mbaheshin
shënime. 1 Shpallja e Kosovës Republikë më vete, nën suazën e federatës jugosllave. 2 Bashkimi
me Kosovën i të gjitha viseve të tjera shqipfolëse në një republikë të vetme, gjithmonë brenda
federatës Jugosllave. 3 Pasi të arrihet kjo, organizimi i një referendum për shkëputje nga
federata. 4 Bashkimi me Shqipërinë. Perlat Çaushi thekson se kjo platëformë në dallim nga e
kaluara, pranonte shpalljen e Kosovës republikë, dhe, si të thuash, llogariste hapat për një
“Shqipëri të Madhe”. Sepse arritja vetëm e statusit Republikë për Kosovën, qoftë edhe bashkimi
i saj me Shqipërinë, do të ishin zgjidhje gjysmake. Sigurisht ka dhe shumë faktorë, por kryesori,
ai që i dha tatëpjetën federatës dhe i hapi rrugën shpërbërjes së saj, ishte shpërthimi i problemit
Kosovar. Pas vetëvrasjes së Shehut, Enver Hoxha, në “Tablonë…” e tij, lidhur me këto
demostrata e gjeti vendin që kishte dëshirë t’u jepte. Më tej në faqen 198 gjejmë interpretimin e
Perlat Çaushit, se Enveri dhe gruaja e tij pretendojnë se nuk ishin informuar nga Ministria e
Brendshme. -Kjo nuk është aspak e vërtetë, shkruan Çaushi. Koha para se të shpërthenin
revoltat, Drejtoria e Zbulimit, hartoi një relacion të hollësishëm mbi gjendjen në Kosovë në të
gjitha fushat dhe në veçanti në atë politikë. Me fakte konkrete gjendja paraqitej shpërthyese.
Nuk evindentohej vetëm data ekzakte, se kur do të fillonin revoltat, por këtë ndoshta nuk e dinin
as vetë organizatorët kosovarë. Materiali iu paraqit ish ministrit Feçor Shehu, për t’ia dërguar
Enver Hoxhës. Meqë materiali disi i gjatë në mos gabojë arinte rreth 50 faqe, u shkurtua, u
përmblodh dhe u dërgua në destinacion. Të dhëna për gjendjen shpërthyese në Kosovë
dërgoheshin edhe nga Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit, të mbledhura nga thyerësit e kufirit
dhe burime të tjera të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu të dhëna dërgoheshin edhe nga
Drejtoria e Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga më të rëndësishmet ishin ato që
grumbulloheshin nga pikat e përgjimit rreth e rrotull kufirit që flisnin për lëvizje forcash në
drejtim të Kosovës apo nëpërmjet zbërthimit të kodeve, me anën e të cilave repartet jugosllave
komunikonin me njëri tjetrin. Kur shpërthyen kritikat ndaj Ministrisë së Brendshme, kryesisht
ndaj Drejtorisë Zbulimit, e cila nuk paskësh ndjekur situatën në Kosovë dhe nuk kishte informuar
udhëheqjen për çka po ndodhte, me një farë takti iu kërkua shpjegim ministrit Feçor Shehu, të

na thoshte se ku përfundoi informacioni ynë mbi gjendjen në Kosovë. Përgjigja e ministrit ishte:
“Çfarë doni ju? Doni t’i them Enver Hoxhës se të kemi informuar?!”. Pra njerëzit bënin sikur i
gëlltisnin çdo gjë që thoshte kreu i partisë, edhe atëherë kur akuza mbi shpatullat e tyre. Enver
Hoxha nuk i jepte rrugë problemit që ngrinin kosovarët, nëse duhet të dilnin me parrulën
“Kosova Republikë”, nuk mund të pranonte që ishte i mirë informuar për çka po ndodhte , dhe ia
linte fajin në derë institucioneve rreth tij. Këtë “fajësim, “ Enveri e përforcon duke e pleksur
çështjen me veprimtarinë agjenturore” të Mehmet dhe Fiqeret Shehut, në favor të UDB-as, CIA-
s, dhe Inteligjens Servisit. Është e vështirë pa fund të analizosh dhe t’u përgjigjesh gënjeshtrave
që parashtrohen nga Nexhmija. Por ama, se cilët qenë ata shoqërues të Fiqeretit që raportuan
për takimin që zhvilloi zonja e Kryemistrit Shehu me zbuluesin jugosllav në Paris, as pyetje asaj
nuk iu bë dhe as përgjigje prej saj nuk u dha. Askush s’ka folur për këtë. E përse do ta dërgonte
Mehmeti gruan për t’u takuar me të dërguarin e UDB-së, kur Mehmeti, sipas Enverit, gjith ato
kanale për t’u ndërlidhur me jugosllavët, amerikanët, Inteligjens Servisin dhe “zotërat” e tij. Të
tillë kanale , po sipas tij, ishin Feçor Shehu, Kadri Hasbiu, berberi i “Dajtit”, radio transmetuesja,
djali i tij Skënderi në Suedi dhe plot mundësi të tjera. Kjo gënjeshtër është e një niveli të ulët
edhe për faktin se gruaja e Kryeministrit të një vendi, që viziton një vend tjetër, gjithmonë është
në vëzhgim dhe në mbrojtje, qoftë dhe pa rënë në sy, nga organet e specializuara mbrojtëse të
vendit pritës. Pra Mehmeti nuk mund ta bënte këtë gabim sepse një takim i tillë, i fshehtë, do të
merrej vesh edhe nga francezët. Fiqereti duke u ndodhur në kushte anormale, mbasi mësoi
vdekjen e djalit të saj Vladimirit, trilloi gjithçka që iu kërkua nga hetuesia të depononte, që t’u
sillte hetuesve të saj, lëndën që nevojitej të kopsitej ”Tabloja” e të Madhit. Është e vështirë të
gjykosh gjendjen psiqike të Fiqeretit. Ndodh që i arrestuari, i lodhur nga hetimet, vjen një
moment që pranon gjithçka gjatë që i sygjerohet. Të ketë ndodhur kjo me Fiqeretin? Apo i janë
premtuar lehtësira për dy djemtë e tjerë? Apo, e ndodhur në rrethana çnjerëzore trajtimi, qoftë
dhe vetëm presioni psiqik, ajo e kishte humbur gjykimin dhe përsëriste pa u ndalur, ato që i
thonin. Shumë pak u tha se si dhe nga se vdiq në burg, ajo grua. Por, një gjë është e sigurtë:
dëshira e udhëheqësit ishte që ajo të vdiste në burg, ndryshe ngrehina ”Tablo Sinoptike” do të
shkërmoqej me daljen e saj në liri. E shkreta nënë!
Një temë tjetër të cilën e trajton me një metodë profesionale të saktë eksperti i spiunazhit …
Perlat Çaushi është e përshkruar në kapitullin “DIÇKA RRETH BANDËS SË XHEVDET MUSTAFËS”.
Dihet se kjo temë është tjerrur shumë në medie, por le të shohim si e trajton autori i librit
“KUSH E VRAU MEHMET SHEHUN?”. -Rreth këtij grupi terrorist është folur shumë në shtypin

tonë. Edhe këtë episodë Enver Hoxha e shfrytëzoi për të “pasuruar ”Tablonë e tij me rrezikun e
jashtëm që i kanosej. Të dhënat e para rreth kësaj bande dhe përgatitjeve që ajo po bënte për të
hyrë në vendin tonë, u morën nga Drejtoria e Zbulimit. Ato na i serviri një shqiptar nga
Maqedonia, i cili ishte në marrëdhënie konfidenciale me anëtarët të asaj bande. Ndër pjestarët
e bandës ai implikoi edhe të quajturin Halit Bajrami, i cili rezultoi të ishte agjenti me pseudonim
Baseni. Dy anëtarët e tjerë ishin Xhevdet Mustafa dhe Sabaudin Hasnedari. Ishte edhe një
person i katërt, por në momentet e fundit u tërhoq. Të dhënat filluan të vinin edhe nga Baseni.
Pra, si të thuash, fillimisht pati një vertetim paralel të të dhënave rreth bandës. Herë pas here,
bëheshin analiza mbi informatat që vinin në qendër nga rezidenturat tona jashtë vendit. Në
analiza merrte pjesë Hekuran Isai, minininistër, Kadri Hazbiu, i cili ishte kreu i Ministrisë së
Mbrojtjes, por i ngarkuar nga Enver Hoxha , të ndihmonte Hekuran Isain në problemet e
Sigurimit të Shtetit. Në njërën nga analizat që bëheshin rreth bandës, Hekuran Isai informoi
pjesëmarrësit se kishte marrë një urdhër. Ai nuk e tha, por kuptohej se atë urdhër e kishte
marrë nga Enver Hoxha. Ishte një urdhër që të bëhej e pamundura, që banda të mos vinte. Ose ,
alternative tjetër; banda të asgjesohej pa shkelur brigjet tona, që në det! Kadri Hazbiu ishte në
mënyrë kategorike i mendimit që banda të mos asgjesohej. Nga ana jonë dihej me saktësi vendi
ku do të strehohej banda. Drejtoria jonë e zbulimit nuk ishte për asnjërin nga këto variante.
Logjika që u parashtrohej shefave ishte se, ai shërbim sekret që po përgatiste këtë bandë, pas
asgjesimit, apo paralizimit të saj, për t’ia arritur qëllimit, do të përgatiste një bandë tjetër, por në
një rast të tillë ne nuk do të ishim në dijeni të saj sikurse ishim këtë herë. Rreth bandës ishin të
paqarta disa momente të rëndësishme. E para, në rrugë operative, nuk u saktësua se cili ishte
shërbimi i fshehtë që po përgatiste këtë bandë. Një agjent me fuksion të rëndomtë si Petër
Pavliçi u montua në akuzë si personi që instruktoi bandën për kontaktin që ajo do të merrte me
Kadri Hazbiun, sapo banda të futej në Shqipëri. Kush është ai , qoftë edhe injorant, që mund t’u
besojë këtyre mballomave, me të cilën u ndërtua akt-akuza?! Kushdo që e dërgoi këtë bandë,
ishte e pakuptueshme dhe me të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që shërbimi sekret, me të
cilën ishte lidhur kjo bandë, të pajiste me pjesëtarët e saj me veshje të tilla , si këpucë “Adidas”,
apo çanta shpine, të cilat në ambientin shqiptar të vitit 1982, do të binin menjëherë në sy. A nuk
posedonte ai zbulim kartmonedha shqiptare? E dyta paqartësi, rrjedh ngaqë në takimet që
organizoheshin me agjentin Baseni, pra në rrugë operative, nuk u qartësua se cilat do të ishin
bazat ku do të strehohej, kur ajo të mbërrinte në Shqipëri. Baseni e justifikonte : Mustafa
ekzekutori i bandës dhe Hasnedari truri i bandës, nuk i jepnin atij asnjë të dhënë për sa më

sipër. Gjatë analizave që i bëheshin pritës që po përgatisnim ne , por edhe në ditën e parë të
zbarkimit, ishte përsëritur dhe rënë dakort , që të mos bëhej asnjë njoftim zyrtar, por sipas
situatës do të gjehej mundësia e organizimit të një radio-loje me padronët dhe ideatorët e
vërtetë të bandës. Pa përfillur këtë fshehtësi, për çudi, në atë mbrëmje Radiotelevizioni ynë e
përhapi njoftimin për ardhjen dhe asgjesimin e bandës. Ishte koha që Enver Hoxha kishte
piketuar goditjen e Kadri Hazbiut. Edhe më të paditurit i vjen në mendje pyetja, se si ka mundësi
që Hazbiu, i lidhur me zbulimet e huaja dhe ishte në dijeni të të gjitha veprimeve që kishin
ndërmarë organet e zbulimit dhe të kundërzbulimit për kontrollin e bandës, nuk informoi, ato
zbulime me të cilët ishte lidhur si agjent, mbi rreziqet që i prisnin bandën në Shqipëri? Por
ç’ndodhi? Baseni, i cili erdhi me udhëzimet tona , u dënua për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë qëndrimit në hetuesi, ca me premtime dhe ca me presione , ai u manipulua dhe u deturua
të depononte në hetuesi dhe para trupit gjykues, se ai si pjesëtar i bandës, erdhi të merte lidhje
me Kadri Hazbiun! Mëkatari Basen, familjen e kishte lënë në Zelandën e Re. Në hetuesi i
kërcënohej jeta me pushkatim. U thye, sepse s’kishte rrugë tjetër. Ai deponoi ato që Hoxha , i
sygjeronte në porositë e tij dhënë prokurorit dhe kryetarit të trupit gjykues. Së treti ngeli enigmë
edhe fakti, se cilat ishin detyrat që do të kryente banda. Është supozuar dhe kështu është folur,
se banda do të kryente atetntat kundër Enver Hoxhës. Edhe mundet! Por po e përsërisim, për
bandën ky do të ishte një veprim shumë i vështirë dhe s’kishte pse, kur të gjithë njëerëzit që
rrethonin Enver Hoxhën, përfshi edhe ata që i përgatisnin ushqimin, bile shumë nga ata , ishin të
afërm të pjesëtarëve të komplotit të Mehmet Shehut, ishin agjentë në shërbim të zbulimeve të
huaja dhe këtë akt mund ta kryenin fare pa vështirësi. Më tej shkruan Perlat Çaushi: Në kohën
kur Kadri Hazbiu ishte shkarkuar si ministër dhe ishte përjashtuar nga partia, por akoma nuk
ishte arrestuar, më thirri ministri i Brenshëm Hekuran Isai, i cili më pyeti nëse dija gjë rreth dy
mbledhjeve të ministrave të Brendshëm të vendeve të Traktatit të Varshavës të zhvilluara në
Pragë edhe në Moskë. I thashë se, ishte e pamundur që një anëtar i Byrosë Politike të dilte
jashtë shtetit, pa dijeninë e Sekretari të Parë. Pastaj ai shtroi pyetjen nëse ai pati marrë
autorizim me shkrim. Megjithatë në gjyqin e Kadri Hazbiut një nga akuzat kundër tij ishte se
duke qenë agjent i shërbimit të KGB-së, u kishte dorëzuar sovjetikëve agjenturën e zbulimit të
vendit tonë. Kadri Hazbiu insistoi që të shikonte dokumentet, trupi gjykues, qoftë për këtë
çështje qoftë edhe për të tjerat, nuk pranoj që t’u referohej materialeve. Në gjyqin e tij zuri vend
dhe aksioni i bandës terroriste të Xhevdet Mustafës e Kadri Hazbiu shpalosi më së mirë
absurditetin e këtyre lloj skenareve. Trimëria, inteligjenca, mprehtësia dhe memorja e tij

brilante, bën që të hidheshin poshtë të gjitha akuzat. Edhe sikur të lejohej mbrojtja , nuk do të
kishte asnjë avokat që ta mbronte siç e mbrojti ai veten e tij në gjyq. Por urdhri për pushkatimin
e Kadri Hazbiut ishte dhënë ende pa filluar gjyqi.


Përgatiti Kastriot Kotoni

4 Komente

  1. l
    landi

    O zotni ! Boll na i ke çare menderen me gjithe kete " hartim"...te pakten per ngjarjet ne Kosove, jo vetem qe artikujt e ZP kane qene rradhe tronditen mbare opinionin boteror, por edhe vet Enveri ka folur posaçerisht...madje pjese te fjales se tij ke edhe ne Jutub Mehmeti vrau veten; kete e ka pohuar edhe i biri qe ne ato dite ishte ne Spanje kur thote se mamaja me mori netelefon e me tha; babi vrau veten !

    Përgjigjjuni
    1. B
      Buda

      Per here te pare ne historine e Shqiperise, nga data Televizioni Shteteror Shqiptar ka derguar dy grupe xhirimi ne Kosove nga data 24 qershor -7 korrik 1978 per te xhiruar dokumentare historike, duke xhiruar dokumente e vende historike dhe duke intervistuar deshmitare okulare te ngjarjeve e personazheve hisotike, studiues e historiane kosovare. Dy redaktoret pergjegjes u thirren ne Aparatin e KQ te PPSH, me porosi te Enver Hoxhes per te filmuar sa me shume qe te ishte e munduar, pasi sic deklaroi anetari i sektorit te Kosoves ne KQ te PPSH, kosovari Ajet Haxhiu: "Nxitoni dhe shfryteojeni sa me shume kete behar te vogel ne marredheniet tona kulturore ne Jugosllavet!" Behari Shqiperi- Jugosllavi vazhdoi dei ne prag te Demonstratave te rinise kosovare me parullen e orientuar dhe e frymezuar nga Enver Hoxha: "Kosova Republike!" ne vitin 1981. UDB-jugosllave vuri ne levizje te gjithe piramiden agjenturore qe kishte ne Shqiperi per te vrare frymezuesin kryesor te demonstatave- Enver Hoxhen. Por kreu i agjentures serbe Mehmet Shehu deshtoi dhe ia hoqi vetes.

      Përgjigjjuni
      1. S
        SOTIRI

        NA MBYTEN HISTORIT TURKE,,,MEHMET FECORR KADRI ENVER ,,,HAHA

        Përgjigjjuni
        1. K
          Keshtu

          Te gjithe Moren ate qe merituan bastardet fekalet e shqiperise masakruan popullin ne hale vajten

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje