"Dy jetët" e Sulo Kalemit: Si arriti kushëriri i parë i kreut të Ballit në Buz Tepelenë të bëhet një ndër gjeologët më të njohur në vend.

18 Dhjetor 2024, 10:30Dossier TEMA
"Dy jetët" e Sulo Kalemit: Si arriti kushëriri i parë i

Nga Feti Zeneli

Çdo njeri, përfshi dhe ata më të zakonshmit, ka faqen e vet në librin e ngjarjeve të përgjithshme njerëzore. “Njëri predikon kotësinë e jetës, tjetri rëndësinë e saj…”. Por “…dëgjoi të dy, biri im, dhe mos harro: të dy kanë nga pak të drejtë”, do thoshte shkrimtari gjerman i shekullit të 19-të, Fredrik von Bodenstedt. Në shumëllojshmërinë dhe diveritetin e kësaj bote, jeta e çdokujt prej nesh ka grimcën e saj të përvojës dhe kujtesës, që në fund të fundit, është “… një tufë e madhe gjërash të vogla”. Sa më shumë kurajo të ketë njeriu për të jetuar ëndërrat e veta, aq më e madhe është kjo tufë. Si njerëzit e shquar, ashtu dhe ata më pak të njohur kanë tufën e jetës së tyre indviduale, brenda së cilës gjenden gjëra interesante. Prej tyre duhet të mësojmë e reflektojmë të gjithë. Ndonjëherë në tufën jetësore të njeriut të zakonshëm mund të gjesh gjëra të jashtëzakonshme, të cilat të befasojnë me subjektin e tyre. E tillë është jeta e gjeologut tepelenas, Sulo Kalemi, që adhuronte profesorin e njohur polak të kësaj fushe, Stanislav Zuber, i cili hodhi bazat e industrializimit të Shqipërisë, por që u shpërblye nga regjimi komunist me vrasje si “agjent i italianëve”…

12 vjeç, në këmbë nga Buzi në Tiranë

Sulejman (Sulo) Kalemi ka lindur në fshatin e Tafil Buzit, në 21 korrik të vitit 1937. Çlirimi i vendit e gjeti në moshën e fillimit të shkollës, e cila ishte çelur aty qysh në vitin 1916. Pas katër vitesh shkollim në vendlindje, nuk kishte asnjë mundësi praktike, aty rreth e qark, për të vazhduar më tej, të paktën arsimin 7-vjeçar. Edhe në Buz qendër, jo më shumë se gjysmë ore larg, ky nivel shkollimi u mundësua pas vitit 1951. Por Sula ishte i etur për shkollë e dije si askush tjetër në atë fshat. E kishte në gjak, e kishte trashëgimi. I ati, Brahimi kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea”, mjaft i njohur për kohën. Fliste katër gjuhë të huaja; anglisht, greqisht, italisht e turqisht. Ndërkohë, gjyshi i tij, Dauti, kishte patur një çiflig me vreshta dhe ullinj në Janinë. Po për periudhën që po flasim, këto janë thjeshtë histori të shkuara, jo mundësi të ardhme, pasi kjo lloj shkolle dhe pasuria në fjalë kishin mbetur matanë kufijve tanë jugor. Në Buz Kalemaj, si kudo në Shqipëri, mbizotëronte pamundësia, pothuajse në të gjitha aspektet e jetës sonë social – ekonomike, sepse e pakët dhe e varfër kishte qenë trashëgimia e kësaj natyre, përjashto trashëgiminë në tradita e virtyte njerëzore.

Ishte pranverë e vitit 1949. Natyra lulëzonte. Sulua sapo kishte mbushur moshën 12 vjeç. Në një prej këtyre ditëve, kishte ikur fshehurazi nga shtëpia dhe shkoi në Buz qendër. Aty kishte njëfarë gjallërie. Njerëzit dukeshin më të gëzuar e më të lumtur se në fshatin e tij. Edhe nxënësit e shkollës e reflektonin një gjë të tillë. Kjo situatë paksa “qytetare” lidhej me faktin, se mespërmes Buzit kalonte një nga rrugët më të hershme në Shqipëri, e cila lidhte Përmetin dhe gjithë Jugun me Beratin e pjesën tjetër të vendit. Shprehja: “Rruga sjell qytetërim, por jo më shumë se shkolla”, që e kishte dëgjuar nga goja e babait me disa të afërm të tij në një darkë familjare, iu vërtit disa herë në kujtesë, si një fashë drite për t’i ndriçuar skutat e errëta të një vendimarrje të rëndësishme, por edhe shumë të vështirë për të ardhmen. Vrapimi i disa nxënësve për të hipur në autobus, e nxisi sado pak, që dhe ai të gjente një mënyrë për të ikur larg. Por jo me autobus. Sepse sapo të vinte këmbën në të, mund t’i prishej plani, që kishte ndërtuar prej ditësh në mendjen e tij burërrore, pavarësisht se me moshë fëmije, do të thoshim. Ndaj u nis në këmbë në rrugën e autobuzit. Pas tre ditë udhëtimi mbërrin në qytetin e Beratit. Ik e çlodhu pak. Lypte aty – këtu nëpër familjet fshatare ushqim. Kur e pyesnin, ku shkonte, u tregonte qytetin më të afërt. U thoshte se kishte mbetur jetim, prindërit i qenë vrarë në luftë. E dëgjonin me keqardhje dhe e ndihmonin me ç’të mundnin. Madje një familje në afërsi në Beratit ju lut ta mbante e trajtonte si fëmijtë e vet. Por nuk pranoi. Nga Berati, u nis drejt Lushnjes, duke ecur vetëm në rrugën automobilistike. Ajo i jepte siguri, ndonëse në çdo hap që hidhte, shkelte në vende të panjohura e po kështu takonte njerëz të panjohur. Por kjo pak rëndësi kishte, pasi siç thotë një aktiviste amerikane e shekullit të kaluar: “Nuk je kurrë vetëm, kur bëhen sakrifica të mëdha…”. Dhe në vitet e para të pasçlirimit, ku institucionet arsimore ishin të rralla dhe popullsia e pushtuar nga analfabetizmi, nuk ishin sakrifica të vogla atë që bëheshin për shkollë e dije. 

Ec e ec, si nëpër legjenda, pas 12 ditësh udhëtim sfilitës, mbërrin në Tiranë. Fan Noli mund ta kishte shkruar ndryshe “Rent, or marathonomak”, ose mund ta kishte rishkruar, nëse do të ishte njohur me një histori të tillë sakrifice, ku “vetëflijimi” ishte më i mundshëm se sa “vetërealizimi”. Por, tashmë ai, ndonëse fëmijë, s’mund të fliste më për jetën si “qorri për ngjyrat”, pasi në subkoshiencë i qe maturuar përmbajtja e thënies së psikiatrit të njohur amerikan të shekullit të 20-të, Milton Erikson: “Jeta sjell dhimbje. Të takon ty që të krijosh lumturi”.

Nga “Shtëpia e kujdesit për fëmijtë” në Kuçovë

U énd sa u énd nëpër Tiranë, që për një fëmijë nga zonat e thella të vendit, edhe në atë gjendje të mjerueshme në të cilën ndodhej ajo në vitet e para të pas çlirimit, përsëri ngjallte kurreshtje, duek përfunduar tek Pazari i Ri. Atje qëndroi derisa u larguan të gjithë tregtarët. U ul në një stol dhe po mendonte si të kalonte natën pranverore, që gjithësesi ishte e freskët. Befas i afrohet një polic, i cili pasi sigurohet që Sulua ishte “jetim”, e shoqëron për tek “Shtëpia e kujdesit për fëmijtë”, që ndodhej në afërsi të ish-Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Ishte një godinë dykatëshe, ku në katin e parë ndodhej mensa e ushqimit, kurse në të dytin, fjetina. Qëndron aty 10 – 15 ditë, dhe kur panë që për të nuk interesohej njeri, u bindën që ishte “jetim” (familja realisht nuk dinte ku ta kërkonte, kishin kaluar ditë dhe e mendonin të humbur), ndaj e dërgojnë në një shkollë dyvjeçare për laburant në Kuçovë. Me mbarimin e kësaj shkolle, së bashku me 20 shokë të tjerë nga Jugu i vendit i shpërndajnë në rrethet e zonat prej nga vinin. Kur afrohen në Buz, i thotë shoferit që do të zbres në Tepelenë, pasi atje kishte tezen. Baire e quanin. Banonte në lagjien “Kala”. Takimi me tezen ishte kontakti i parë me të afërmit e tij, pas më shumë se dy vitesh “i zhdukur”. Ajo vëllain e saj, Tahir Muhaj, e kishte në Luzat. Gjen mundësinë dhe i dërgon njoftim, ku i shkruan: “Sulua është gjallë, ndodhet tek unë”. Ai vjen menjëherë dhe e merrë në shtëpinë e vet. Tek shtëpia e dajos, Sulua qëndroi disa ditë. Rrinte me gjyshen. Një ditë dajo Tahiri i thotë: “Do vish me dajon në Berat?”. Dhe nisen. Mbrëmja i zë në Buz. Pas gjysmë orë mbrërrijnë tek shtëpia e Sulos në Buz Kalemaj. Ishte errësuar plotësisht. Të dy dajo e nip ndodheshin tek dera. Moment shumë i vështirë për Sulon. Si do t’u shfajësohej prindërve për atë dramë që ata kishin përjetuar përgjatë më shumë se dy viteve. U hap dera. Hyn dajo Tahiri, Sulua mbeti në oborr si një statujë. Duke menduar se Tahiri ishte vetëm, e motra e tij, Shefikua (nëna e Sulos) e mbyll derën. “Mos!”, i thotë ai. “Kam dhe një mik tjetër me vehte”. Ajo hap derën dhe kur sheh të birin, i bie të fikët…

Rikthimi i dytë në kryeqytet

Fejzo Ismaili, deputeti i zonës së Buzit për atë kohë kishte miqësi të vjetër me babain e Sulos – Brahimin. Ishte nga ato lloj miqësish, që “… kërkohen gjatë, gjenden rrallë dhe mbahen me vështirësi”, siç thotë një shkrimtar i hershëm italian. Sepse, para së gjithash, ajo ishte miqësi vlerash morale dhe karakteresh të larta njerëzore. Të dy me kontribute të njohura atdhetare; Fejzua në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kurse Brahimi pak më herët, nga që qysh në 1917-ën, një vit para se sa të mbaronte Lufta e Parë Botërore, emigroi në Amerikë. Qëndroi atje plotë 18 vite, deri në 1935-ën. Punoi e sakrifikoi; vuri pasuri, por u shërbeu dhe interesave shqiptare, nëpërmjet angazhimit qysh prej vitit 1919 në Shoqërinë Pan-Shqiptare “Vatra”. Siç dihet, për shkak të vakumit politik, që ekzistonte në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, “Vatra” luajti rolin e një qeverie shqiptare në mërgim, madje duke grumbulluar edhe fonde për të influencuar vendimin e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Në ato 150 mijë dollarë të grumbulluar për këtë qëllim, sigurisht është dhe kontributi i Brahimit dhe i bashkëfshatarëve të tij; Faslli Jaubelli, Qerem Hasani, Hysen Rexhepi, etj., më të cilët ai kaloi dete e oqeane deri në Amerikën e largët. 

Fejzua sa herë vinte në Buz, të rralla ishte ato raste kur ikte pa takuar Brahimin. Erdhi dhe pak ditë pasi Sulua ishte kthyer në shtëpi, ndërkohë që familja e tij prej dy vitesh e konsideronte të humbur. Mbeti i shokuar nga ajo ç’ka dëgjoi për të. Por ndërkohë e vlerësoi jo pak aktin e tij të sakrificës. Aty për aty i lindi një ide, që ta merrte me vete në Tiranë. I dukej djal me çika, trim dhe i zgjuar. “Do vish me xhaxhin!”, i thotë. Dhe u nisën me makinën e deputetit në rrugën dhjetëra kilometra, që Sula, dy vite e ca më parë, e kishte bërë në këmbë. Me të mbërritur në Tiranë, drejt e tek Politeknikumi “7 Nëntori” (ish shkolla teknike Harry Fultz). Aty, Fejzua thërret një mikun e tij, Nesim Salatin, shef i degës së kuadrit, dhe i thotë: “Këtë djalin do të rregjistrosh në një nga degët më të mira!”. “Po unë e kam një shkollë, dy vjeçaren e Kuçovës për laburant”, i qe përgjigjur Sula. “Ajo është shkollë për vajza, - ia kthen Nesimi, -do të regjistroj në degën e gjeologjisë, nga më të mirat që kemi…”.

Dhe ishte vërtetë nga degët më të mira, e “…një shkolle në dobi të popullit”, themeluar mbi bazën e propozimit, që zyrtari i lartë i administratës së Kryqit të Kuq Amerikan, D. M. Salisburi, i bëri parisë shqiptare në vjeshtën e vitit 1919. Propozimi u mirëprit dhe u bë realitet dy vite më vonë. Në një vend, të zhytur në prapambetje dhe analfabetizëm të theksuar nga Perandoria Osmane; dëshira për shkollë qe e madhe, nevojat akoma më të mëdha. Ishte një tip kolegji, ku mësoheshin shumë profesione, të domosdoshme për jetën dhe ekonominë e saj kohe, si ai i gjeologut, mekanikut, elektriçistit, etj. Po edhe pas ndryshimit të emrit në mesin e viteve ’40, tradita e lartë mësidhënëse vazhdoi, sepse kishin mbetur aty dhe një pjesë mësuesish nga periudha e paraçlirimit. Midis tyre ishte dhe Feim Çaraçani nga Fushëbardha e Gjirokastrës. Kishte mbaruar studimet në Romë, Itali, ku ishte njohur me Hysni Kalemin (Hyso Qamilin). Nisur nga mbiemri, e pyet një ditë Sulon për të. Kokëulur dhe si i zënë në faj, i përgjigjet: “Djalë xhaxhai”. E ledhaton prindërisht dhe i thotë: “Mbaje kokën lart! Të krenohesh me Hysni Qamilin, që e paske njeri shumë të afërt! Ai ishte burrë zotni dhe i tillë ka qëndruar deri në fund”. Po kush është Hyso Qamili, përtej këtyre lidhjeve farefisnore me Sulon? Mbaron Akademinë Ushtarake në Romë. Në vitin 1943 caktohet komandant i batalionit nacionalist “Tafil Buzi”. Formacioni i tij luftarak u përfshi në betejat kundër forcave pushtuese të huaj në jug të vendit, si në Tepelenë e Gjirokastër, por më vonë, duke parë rënien e Frontit Nacionalçlirimtar nën ndikimin politik të komunizmit, u vu në krye të forcave të Ballit Kombëtar për zonën e Buzit. Vazhdon u prin atyre në luftrat kundër pushtuesve, ku fillimisht plagoset nga ushtarët italian, ndërkohë që më 4 qershor 1944 mbetet i vrarë në betejën e zhvilluar kundër pushtuesve në Qafën e Rabijes. Gjatë viteve të monizmit, të afërmit e tij u persekutuan, kurse pas viteve ’90, figura e Hyso Qamilit merrë vlerësimin që i takonte, duke iu dhënë titujt e lartë: “Martir i Demokracisë dhe “Nder i krahinës së Buzit”.

Po le te rikthehemi tek Sulua, kushëriri i tij i parë i Hyso Qamilit, i cili në moshën 18 vjeçare përfundon studimet në Politeknikumin “7 Nëntori”, me rezultate të shkëlqyera; të gjitha notat “pesa”, që më sistemin e mëvonshëm të vlerësimit ishin “dhjeta”. Diplomohet si gjeolog, por kishte dhe dëshminë e marrë në Kuçovë për laburant. Profesioni i gjeologut vlerësohej shumë. Shteti dhe ekonomia kishin nevojë për punë e prodhim nga sektori minerar. Veç librave të shkollës, Sulua kishte studjuar dhe disa shkrime shkencore apo hartën gjeologjike të Shqipërisë, hartuar nga profesori i njohur polak, Stanislav Zuber, i cili u vra nga diktatura komuniste dy vite para se sa ai të “arratisej” nga shtëpia e tij në Buz për të ardhur me këmbë në Tiranë. Për ta ruajtur nga “teleashet politike” këtë profesionist që premtonte shumë për të ardhmen, miqtë e të atit ndikojnë që të emërohet si gjeolog në minierën e bakrit, Rubik… 

Aftësitë ja çmonin, por “biografinë” s’ja harronin

Diplomën profesionale të Sulos për në Rubik, e shoqëronte dhe porosia politike: “Është specialist i mirë, por kujdes biografinë e tij”! Zenel Hamiti, ministri që mbulonte gjeologjinë, me origjinë nga tragjasi i Vlorës, njihej me Sulon, dhe me sa duket kishte dhënë rekomandime e vlerësime pozitive për të. Po për nevojat që kishte miniera e Rubikut, nuk do t’i shkonte dëm as dyvjeçarja e Kuçovës. Madje për këtë lloj profesioni të dytë që zotëronte ky gjeolog i ri do të emërohej në laboratorin e ndërmarrjes. Ishte sektori më delikat, ku përveç të tjerash, kërkonte dhe besueshmëri të lartë politike, për shkak se aty grumbullohej ari që gjendej në mineralin e bakrit. “Çdo të mërkurrë, -tregon Sulua, -vinte një makinë e Ministrisë së Brendshme dhe merrte arin që ishte nxjerrë gjatë javës. Këto të dhëna duhet të mbaheshin sekret edhe brenda ndërmarrjes. Unë tregohesha mjaft i kujdesshëm, pasi nga kushdo të dilte ky “sekret”, gishti, së pari, do të drejtohej ndaj meje”. Nuk pati ndonjë episod të tillë gjatë kohës që punoi në minierën e Rubikut. Mbase ishte pak herët, që të fillonte ashpërsimi i luftës së klasave edhe në thellësi të minierës, por terreni po përgatitjes dalëngadalë. Kjo situatë kuptohej kur viheshin në lëvizje miqtë dhe njerëzit dashamirës, për t’u paraprirë ngjarjeve të padëshirueshme që mund t’u ndodhnin specialistëve të aftë, si puna e Sulos, duke dëmtuar kështu, jo vetëm jetën e tyre private, por dhe interest ekonomike të ndërmarrjes. “Një zemër e mirë vlen më shumë se të gjithë kokat e kësaj bote”, do të thoshte një shkrimtar anglez i shekullit të 19-të, duke patur parasysh raste të kësaj natyre. Cilësi të tilla manifestonte dhe ministri Zenel Hamiti, i cili e thërret Sulon, ndërkohë që ky i fundit kishte kërkuar të transferohej në minierën e Memaliajt: “Rri këtu, se je më mirë dhe më i mbrojtur!”, i thotë Sulos që këmbëngulte për të marrë shkëputjen nga Rubiku. Të njëjtin shqetësim i shprehu edhe bashkëfshatari i tij Kaso Bidua, ardhur herët në Tiranë, teksa e shikon të lumturuar që do të shkonte në Memaliaj: “Ç’ke bërë kështu, -i thotë, -atje do të të hanë me gjithë lecka, jo vetëm se të njohin, por janë dhe tepër ekstremistë”! 

Kur erdhi në Memaliaj, nisur nga aftësitë e larta profesionale dhe eksperienca në punë, e emërojnë instruktor për përgatitjen e minatorëve dhe teknikëve të nëntokës, në shkollën dyvjeçare të hapur qysh në nisjen e punimeve minerare. Po kështu duhej ngritur edhe laboratori i minierës. E kujt përveçse Sulos mund t’i besohej një detyrë e tillë?! E thërret në zyrë shefi i kuadrit, Ziflo Axhemi nga Damësi: “Kemi nevojë tek laboratori i minierës”, i thotë. Pas pak kohësh kjo nevojë lindi edhe në Kombinat të Tiranës, ku bëhej briketimi i qymyrgurit, për t’u ekspertuar jashtë shtetit. Ekonomia e vendit kishte nevoja të ngutshme për valutë. Gjashtë muaj qëndroi Sulua në Tiranë, derisa përgatiti një ekip laburantësh të aftë për t’ju përgjigjur nevojave në rritje të ndërmarrjes. Pasi i ngriti e konsolidoi laboratorët, si në Memaliaj, ashtu dhe në Kombinat, rikthehet në profesionit e gjeologut në minierë. Por emri i mirë që kishte bërë në punë e në profesion, i kishte kaluar prej kohësh kufijtë e ndërmarrjes e të rrethit, madje ishte bërë i njohur gjithandej në sektorët ekonomik të kësaj natyre në shkallë republike (Ah, sikur të mos ishte ajo kleçka në biografi!). 

Teksa kryente detyrën e gjeologut në minierën e Memalijat, e thërret në takim zëvendëskryetari i komitetit Ekzekutiv të Tepelenës, Zabit Sinoimeri. “Sulo, isha në ministri dhe më thanë se është planifikuar të dërgohet një fabrikë tullash në jug. Ti e di, që unë jam gjirokastrit, por tani do t’i shërbej vendit ku punoj, Tepelenës. Kam dëgjuar fjalë të mira për ty si gjeolog, ndaj na gjej një vend të përshtatshëm për ta ngritur këtu fabrikën. Për çdo kërkesë, më ke në dispozicion, veç të veprojmë shpejt”. 

Kërkesa e parë që ai kishte, lidhej me një mjet për të shkuar e marrë eksperiencë në rrethet e tjera ku ishin ngritur fabrika të tilla. I jepet makina e shefes së tregtisë së rrethit, Vagjeli Gjonça. Shkon në fabrikën e tullave Vlorë, Fier, Berat; merrë kampion e bënë analizat e tyre, në mënyrë që t’i shfrytëzonte për të gjetur vendin ku do të ngrihej fabrika e Tepelenës. Vazhdoi disa kohë me analiza, studime e konsultime të tjera të kësaj natyre, derisa u bind për vendin që kishte zgjedhur si më të përshtatshëm për fabrikën e tullave, rreth 3 km pa mbërritur në sektorin e tretë të minierës…

Punonte me moton: “Gjithkush punon më mirë, kur beson atë që bën”, pavarësisht presionit që i ushtronte “biografia e keqe”, në çdo hap që hidhte. Fitoi dhe një farë sigurie, ngaqë “nuk i kishte hyrë gjemb në këmbë” deri tani për një arsye të tillë. Ishte caktuar në minierën e fosforiteve të Gusmarit. Nuk kishte shumë kohë që punohej në të. Probleme nga më të ndryshmet. Mblidhet këshillit teknik i minierës. Ngrihet Sulua. Flet me kompetencë profesionale, por dhe më nerv patriotik: “Ju thoni, si të të gjejmë rrugët për të shtuar prodhimin!? Jeni në terezi? Për çfarë prodhimzeza e keni fjalën? Me shumë shpenzime se prodhim. 9 për qind është përmbajtja e fosforit që nxirret këtu, nga 90 për qind që e ka Maroku. Kjo minierë duhet mbyllur...”. Jo se harroi, që në këtë mënyrë po i mbyllte të ardhmen jetës së vet, por ndërmend i erdhi thënia e Volterit, ku: “E vërteta, liria dhe virtyti, janë të vetmet gjëra për të cilat duhet dashuruar jeta”. Dhe nuk vonoi furia goditëse: “S’kish si ndodhte ndryshe, një ditë do të nxirrje kokën! Të verbojnë arritjet e industrisë sonë socialiste…”. Vihen në lëvizje organet e sigurimit për t’i plotësuar dosjen. Artikulohet thënia: “Ky është më i rrezikshëm se komandati i Ballit, Hyso Qamili (djali i xhaxhait të tij)!”. E provokonin dhe e survejonin në çdo hap që hidhte, por nuk po arrinin ta shtinin në kurth. Një ditë e shohin teksa kishte marrë një hekurishte (një copë tub i nxjerrë jashtë përdorimit). E proçedojnë për vjedhje të pasurisë socialiste dhe e dërgojnë në gjyq. Dënohet me 3 muaj burg. Por Sula nuk e pranon dhe ankohet. Shkon takon Liri Gjolikun, anëtare e Gjykatës së Lartë. Ajo i thotë, se “ky është një vendim i padrejtë”. Kthehet në Tepelenë. E thërret Bato Karafili, sekretar i parë i rrethit, njeri dashamirës ndaj Sulos. I thotë se ishte në dijeni të dënimit që i kishin dhënë. “Edhe mund të ndërhyja ta rishikonin vendimin, -vazhon ai, -por më mirë bëji ato tre muaj burg, se të janë qepur dhe nuk të ndahen. Do të sajojnë gjëra më të rënda, që ta ngrysësh jetën në burg!” Kështu që hoqi dorë nga ankesat dhe bëri 3 muaj burg në Ballsh. Pas dënimit kthehet sërish në minierë, ku kishte dhe dy vëllezërit e tij, Tomorrin dhe Petritin, derisa doli në pension.

Por punës nuk iu nda as në moshën e pensionit, sepse donte të jetonte me nder e dinjitet deri në fund. Kujton kohën kur në periudhën e verës ikte me ditë e javë të tëra nga shtëpia në malet e Sevasterit për bimë medicinale. Kishte dhe nevoja ekonomike, dy vajzat duke vazhduar universitetin, por kjo nuk ishte arsyeja kryesore. Dhe këtu gjen rastin për t’i shprehur mirënjohjen një dashamirësi tjetër të tij, komunistit Haredin Kalemi, sekretar i organizatës bazë të partisë së fshatit, që bëri të pamundurën për të mos i lënë pa shkollë të lartë dy vajzat e tij. Edhe kur u transferua nga Memaliaj në Tiranë, përsëri nuk hoqi dorë nga puna, megjithë kundërshtimin e fëmijëve dhe të familjes. “Puna është gjëja që e mban njeriun të gjallë”, do thoshte Anna Frank. Ndoshta edhe kjo është një ndër arsyet që sot në moshën 88 vjeçare, megjithë fatkeqësitë familjare, të cilat ka kaluar vitet e fundit, si largimi i parakohshëm nga kjo jeta i bashkëshortes, i vëllait – Petritit dhe së fundi, ai i djalit – Arsenit në moshën 40 vjeçare, sërish gëzon shëndet të mirë. Mund të flisnim pa fund për jetën e tij, e cila duhet të besohet e analizohet vetëm sipas thënies së Konfucit: “Kemi dy jetë, dhe e dyta fillon kur kuptojmë që kemi vetëm një”. Mbase tek një koncept i tillë fshihet vetë thelbi i asaj që e bën njeriun qenin më superiore në botë. Brenda këtij absurdi zhvillohet aftësia jonë për t'u përshtatur dhe për të mbijetuar. 

Dhe si në një rreth magjik të ngritjeve dhe uljeve, shpaloset jeta njerëzore, duke përjetuar të gjitha emocionet: dashurinë, trishtimin, lumturinë, zemërimin, urrejtjen, admirimin, etj., për të mbërritur tek thënia e At Zef Pllumit: “Jeta ka shumë plagë: megjithkëtë asht jetë”. Asgjë që na ndodh nuk ekziston për të na thyer, por për të na bërë më të mençur, më të mirë, më njerëzorë, më të vetëdijshëm…

 

 

 

 

 

 

 

3 Komente

  1. V
    VOLLODJA

    LESH ME. QIME MOJ RRAHIME.

    Përgjigjjuni
    1. L
      Linza

      Romane botoni ne gazete! Asnje nuk e lexon.

      Përgjigjjuni
      1. p
        ppa

        Perkundrazi, shkrim me shume vlere!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje