
Një prej debateve më të mëdha të shekullit të kaluar ka qenë ai mes fenomenologjisë dhe psikanalizës. Siç dihet psikanaliza u themelua nga një çifut vienez si Zigmund Frojd dhe fenomenologjia nga një gjerman si Edmund Husserl. Të dyja filozofitë patën dishepujt e tyre pavarësisht se pati debate nëse psikanaliza ishte shkencë apo filozofi.
Ndër dishepujt e mëdhenj të fenomenologjisë gjermane ishte dhe nazisti Martin Heidegger i njohur për veprën e tij madhështore “Qenia dhe koha” pjesë e një projekti të paplotësuar kurrë në të gjallë të tij, si thotë ai “pjesa e parë e pjesës së dytë”. Dihet se për Heideggerin konceptet triviale si sasia apo numërtimi nuk kishin pikë rëndësie. Për të shtëpia e qenies ishte gjuha.
Për dishepullin tjetër Carl Jung psikanaliza mori formën e një analize psikologjike, por ky nuk ishte thjesht një invertim termash. Ashtu sikurse e shohim te filmi “A dangerous method” Jung ishte i prirur të besonte te mistikja, te dehja, te irracionalja, te e panjohura. Jung ishte një aventurier i mendimit. Frojd u bë babai tradicional. Me Zhak Lakanin kemi të plotësuar familjen. Psikanalisti gjenial francez, për këdo që ka durimin të lexojë shkrimet (Ecrits) e tij është xhaxhai gallatë.
Në këtë mjedis gëloi dhe një debat tjetër, më minor, më në hije, një debat mes arsyes dhe mendimit, mes shkencës dhe filozofisë, mes etikës dhe kapitalizmit, mes skizofrenisë dhe shpirtit. Ky ishte debati mes Henri Bergson dhe Albert Ajnshtajn.
Megjithëse Henri Bergson njihet ndoshta vetëm si kundërshtar i Ajnshtajnit pavarësisht se është dhe nobelist ai nuk njihet shumë për veprën e tij dhe prandaj është meritë e përkthyesit Elvis Hoxha që e ka sjellë, dhe për më tepër në një gjuhë si shqipja që e mban mendimin por vetëm në një kohë të shkurtër duke e kthyer më pas në eter.
“Mendimi dhe lëvizësi” quhet vepra e Bergsonit e ardhur në shqip këto kohët e fundit. Them kohët e fundit sepse koha për Bergsonin është një koncept i fiksuar, pothuajse ontologjik. Rëndësia e saj nuk është vetëm subjektive por edhe historike. Veprimi mbetet edhe nëse ai nuk është i rëndësishëm për kujtesën. Ashtu si Holokausti dhe Gaza do të mbahen mend njëlloj. Për Ajnshtajnin kujtesa nuk kishte pikë rëndësie. Ai zbuloi “ekuacionin zot”, pra, një ekuacion që shpjegonte gjithçka pa u nisur nga asgjë.
Kurse për Bergsonin, Zoti nuk ishte çështje e rendit të ditës, ai ishte një vitalist.
“E mundshmja është pra vegimi i së tashmes në të shkuarën; dhe meqë e dimë se e ardhmja do të përfundojë si e tashme, dhe meqë efekti i vegimit do të vijojë të prodhohet pa reshtur, ne do të themi se në të tashmen tonë aktuale, që do të jetë e shkuara e së nesërmes, imazhi i së nesërmes do të përmbahet tashmë edhe pse nuk arrijmë dot ta rrokim”. – shkruan Bergsoni te “Mendimi dhe lëvizësi”.
Koha relative është një iluzion.
Pra, për Bergsonin koha nuk është relative, për Bergsonin e fyer në sedër, koha nuk mund të konsiderohet si e përpjesëtueshme, e matshme, e kuantifikueshme, e prekshme, e zbulueshme, e aplikueshme, apo si po e vërejmë sot me internetin, e përkthyeshme në teknologji. Ajnshtajni e ka gabim!
Zhan Pol Sartri, rebeli parizien dhe filosovjetik, ishte ai që më shumë se kolegët e tij risolli në vëmendje Bergsonin, i dha plakut shejtninë e tij.
Për këdo që është interesuar për më shumë se një botëkuptim, mund të lexojë librin e botuar nga Pika Pa Sipërfaqe, përkthyer nga Elvis Hoxha dhe redaktuar nga Alment Muho, një nder që ata i bënë shqipes dhe mendimit shqiptar për t’i dhënë lexuesit një mendimtar që me folë të drejtën, e pat harruar dhe Franca.
Lini një Përgjigje