Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”, një nismë e re që synon promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
Sipas vendimit, fondacioni “CulturAlb” do të ketë si objekt ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin dhe shitjen e suvenireve dhe produkteve të tjera artistike, si dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale. Fondacioni do të zhvillojë gjithashtu çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit.
Akti i krijimit dhe statuti i fondacionit do të miratohen në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse që ndjekin qëllime në interes publik.
Me këtë vendim, qeveria synon të krijojë një instrument të ri institucional për mbështetjen e industrive kreative dhe për fuqizimin e promovimit të identitetit kulturor shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, shkruan atsh.
“Culturalb” është nismë zyrtare e qeverisë shqiptare që synon të çojë në qytete të ndryshme të botës, kulturën shqiptare, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime etj.
Këto ngjarje kulturore do të përfshijnë etnografinë, kinemanë, letërsinë, fotografinë, muzikën, dizajnin e historinë. Arti shqiptar do të udhëtojë në Greqi, Hungari, Itali, Gjermani, Spanjë, Angli, Zvicër, SHBA, Gjermani etj.
Lini një Përgjigje