U zhvillua në Tiranë, tek Liqeni Artificial, edicioni i katërt i Barefoot Festival, një festival ku
argëtimi takon edukimin dhe qendrueshmërinë. Festivali, i cili është kthyer në një traditë, ka në qendër të tij mjedisin dhe lidhjen me natyrën. “Ne këtë vit kemi dashur ta çojmë festivalin një hap më tej”, thotë Erta Marku, një nga organizatoret e këtij eventi, “në mënyrë që të promovojnë konceptin e ripërdorimit. Pra, çdo gjë që është përdorur në festival është e ripërdorshme.
Ne e kemi futur këtë sistem për herë të parë në një festival të kësaj natyre.”
Ajo që vihet re në festivale është se pasi festa ka mbaruar, natyrës i mbetet një kosto e madhe ekologjike. Ka shumë plastikë, kartona e mbetje të tjera, prandaj për këtë duhet bërë diçka. Dhe pikërisht ky është misioni kryesor i Barefoot Festival. Dhe misioni këtë vit u arrit 100%, falë
edhe ndjekësve besnikë të festivalit, të cilët e duan shumë natyrën dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta ruajtur e mbrojtur atë. Barefoot Festival mund të sjellë kështu një shembull, i cili mund të përhapet e ndiqet edhe nga festivale të tjera.
Që njerëzit të festojnë, por duke qenë të ndërgjegjësuar për natyrën dhe mjedisin.
Rimbush. Ripërdor. Rikthe. Kjo është motoja e Barefoot Festival, sidomos kur bëhet fjalë për gotat, që janë ndër mbetjet kryesore. Strategjia ishte që çdo pjesëmarrës të linte një pagesë për garanci pas blerjes se çdo pijeje, para që i rikthehen pasi ai dorëzon sërish në fund gotën dhe nuk e flak atë në natyrë, duke e dëmtuar këtë të fundit.
Një stacion rikthimi u vendos në afërsi të barit dhe fatmirësisht, shumica e pjesëmarrësve u treguan te ndërgjegjshëm, duke respektuar rregullin. Barefoot Festival nuk është thjesht një vend për të dëgjuar muzikë, është një festival ku mund të dëgjohet muzikë e ndërgjegjshme.
Këtë vit festivali erdhi si një bashkëpunim midis Barefoot & TOK DGTL, Destil Creative Hub, Co-PLAN e Universitetit POLIS, që ndër vite kanë identifikuar hapësirat ku mund të ndërhyhet me praktika të gjelbra dhe të zbatueshme në një kontekst komuniteti.
Elementi i ripërdorimit në festival mbështetet nga Circular City Labs Tirana, një nismë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane, që implementohet përmes programit Circular City Labs Project, EU4 Circular Economy and Livable Cities dhe EU4Innovation, në partneritet me Bashkinë e Tiranës.
Lini një Përgjigje