Nga Besi Bekteshi
Sot, më 29 shtator 2025, kur institucionet dhe pushtetet (në kohëra) kujtohen të kremtojnë me slogane e me fjalime zyrtare “Ditën e Trashëgimisë Kulturore”, unë nuk mund të festoj. Nuk mund të jem pjesë e këtij festivali hipokrizie. Unë vajtoj dhe ulëras nga dhimbja, sepse përballë syve të mi nuk qëndron trashëgimia që duhej të ruhej, por rrënojat e saj të fshira me dashje e me forcë, të përbaltura nga pushtetet vendore e qendrore, dje që edhe po të duan nuk i kthejnë sot.
Në këtë ditë, kur duhej të nderonim thesaret kulturore, unë kujtoj krimet e shkatërrimit të trashëgimisë së Shkodrës. Kujtoj me zemër të gjakosur prishjen e Muzeut të Luigj Gurakuqit, monument kulture, që duhej të ishte faltore e kujtesës sonë kombëtare. Ishte një vrasje simbolike e mendjes dhe shpirtit të kombit. Kujtoj Muzeun e eleminuar të Migjenit - të larguar, por jo të vendosur në një vend tjetër. Kujtoj shkatërrimin e "shtëpisë së Pionierëve ose shtëpisë së Kakariqëve", një tjetër monument kulture, të shembur pa mëshirë. Kujtoj transformimin dhe zhdukjen e mbi 20 shtëpive monument dhe dhjetra tavaneve, çardakëve e dyerve ( portave monumentale) artistike, të cilat sot jetojnë vetëm në fotografi të zverdhura.
Vajtoj shkatërrimin e "Pazarit të Madh", zemra e gjallë e qytetit dikur, ku trokëllinin kuajt e karrocave dhe kërcisnin monedhat mbi tezga. Sot aty nuk dëgjon as zhurmën, as këngën, as aromën e tregut. Mbase sot Bashkia për herë të parë me pushtetin qendror po trajtojnë atë vend më me respekt. Vajtoj ndërtimet abuzive mbi zonën Arkeologjike rreth e përqark Kështjellës së Shkodrës. Vajtoj shkatërrimin me dinamit të Kishës së Vaudejsit monument kulture nën diktaturë, një akt brutal që plagosi shpirtin e besimtarëve. Vajtoj fshirjen e Xhamisë së Parrucës, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë për të ndërtuar në demokraci një të ngjashme, por kurrë si ajo. Vajtoj rrënimin e Gazermës së Parrucës (Pedagogjikes), një qendër kujtese e arsimi, e shembur kot fare për të prishur ansamblin e dy gazermave kthyer në shkolla ku do kishte mundësi dhe të një sheshi normal në qendër të Shkodrës. Po pra në Parrucë.
Si të mos ulëras kur kujtoj Torret e Sahatit të Inglizit, të rrënuara që në 1946, sikur koha e Shkodrës duhej shuar bashkë me to? Mbas viteve 90'të i afruan 1 metër afër ndërtime betoni të shëmtuara dhe abuzive. Si të mos ndjej pikëllim për mbi 50 shtëpi karakteristike monument dhe jo, avullitë fantastike të oborreve, rrugicat tradicionale të Shkodrës, të shkatërruara e zëvëndësuara me pallate jashtë çdo standardi urban?
Po rrënimi i "Kafes së Madhe"!!??
Ky nuk ishte përparim. Ishte vetëvrasje e kujtesës, ishte harakiri kulturor, ishte një krim kundër qytetit, një krim kundër historisë. Po e bënin dhe qytetarët të dorëzuar përpara kërkesës për "mirëqënie" e pushteteve të shëmtuar politikisht e moralisht.
Sot pushteti po mundohet të jetë i ndryshëm, por ato që ikën nuk kthehen më. Sëpaku të ruajmë çfarë ka mbetur nga prishjet e 33 viteve të mbas 90-tës në Shkodër.
Por sot, në këtë ditë, ata që shkatërruan me duart e tyre trashëgiminë, ata që zhdukën shtëpi, rrugica e monumente, sot guxojnë të bëjnë moral, të ulërasin për një kullë të vetme, duke u shfaqur si “mbrojtës” të trashëgimisë. Ky është kulmi i cinizmit. Ky është teatri i hipokrizisë politike, ku autorët e krimeve kulturore luajnë rolin e viktimës.
Unë nuk mund të hesht. Sepse çdo rrugicë e zhdukur është një varr i hapur. Çdo çardak i rrënuar është një ulërimë mbi qiellin e qytetit. Çdo derë e shkatërruar është një lot i derdhur mbi faqen e Shkodrës.
Në këtë ditë të trashëgimisë, unë nuk kremtoj. Unë vajtoj. Vajtoj për Shkodrën e humbur, për Shkodrën e plagosur, për Shkodrën që ia rrëmbyen kujtesën dhe ia mbuluan fytyrën me beton. Vajtoj për cinizmin dhe politizimin injorant të folkbolshevikëve që për dekada e përdhosën qytetin e trashëgimisë.
Shkodra meriton kujtesë, jo qurravitje të atyre që prishën dhe sot medemek kujtojnë.
Shkodra meriton dritë, jo harresë.
Shkodra meriton respekt, jo tallje.
Shume shkrim trishtues.Gjendja jone eshte katastrofe. Kujt i referohesh si folkbolshevike?Se Shkodra nuk u shkaterua nga 1945 deri ne 1960!!!!ose 1967... Shkodra eshte shkateruar sidomos oas 1991... Nuk e di kush e ka pas pushtetin lokal 30vjet atje?
Folkbolshevikët që kanë pasur pushtetin në Shkodër...besoj e ka fjalën. Edhe ata nga 1944 1990 kanë prishur por ishin bolshevikë. Mbas 1990 në Shkodër erdhën folkbolshevikët. Por shpalleshin si antikomunistë.
Pa ma Besi pa kamunistat e tuj i shkaterrunen