Petrit Ruka- Poezia në bronz

28 Shtator 2025, 18:49Kulturë Nga Feti ZENELI

 
 
Tepelena, qyteti i historive të shumta dhe i shpirtit të fortë, ku sipas Petrit Rukës ndodhet “Drejtoria e erërave”, ku grykat e thepisura takojnë çukat e fshehta dhe Vjosa legjendare rrjedh si një këngë e lashtë, të shtunën e 27 shtatorit u shndërrua në një skenë të gjallë mirënjohjeje dhe emocioni të thellë. Aty, ku hijet e kalasë së Ali Pashës prehen mbi shpatet e Shëndëllisë në perëndimin e diellit, dhe Vjosa rrëshqet si një rrjedhë drite mes maleve, një histori e re u gdhend në kujtesën e qytetit: përurimi i shtatores së poetit të madh, birit të denjë të Labërisë, Petrit Ruka.
Nuk ishte thjesht një ceremoni formale, as një akt protokollar; ishte një festë e shpirtit, një rit i përbashkët i kujtesës kolektive dhe artit, një thirrje për të përjetësuar figurën e poetit që e ngriti fjalën në lartësinë e një trashëgimie të vyer, gati mitike. Ndërmend më vjen thënia e Uberto Ekos: “Arti është arratia nga emocioni personal”.
Familjarët e tij, të shoqëruar nga miq të shumtë, poetë, shkrimtarë dhe personalitete të kulturës, mbushën sheshin “Lord Bajron” me praninë e tyre, si asnjë herë tjetër në vitet e shkuara. Ishte një grumbullim i rrallë, ku zemrat rrahnin njësoj si dallgët e Vjosës, të bashkuara në një emocion që nuk njeh kohë apo hapësirë, moshë apo përkatësi komunitare. Çdo fytyrë reflektonte qartësisht një kujtim, një varg, një këngë, një copëz drite poetike dhe legjendare të Petrit Rukës.
Programi artistik i kësaj dite i dha ngjarjes një madhështi të veçantë. Kënga labe, klithma e maleve që shpon qiellin dhe bëhet blu e kthjelltë si Vjosa, u ndërthur me recitimet e poezive, duke sjellë vargjet brilante të Petritit, krijuar me pasion dhe dashuri nga shpirti i tij i tepelentë.

Dhe ashtu siç u shpreh një ndër miqtë e tij të veçantë, publicisti i mirënjohur Mero Baze: “Petriti e mbushi me metafora dhe elegancë poetike, eposin poetik të Labërisë, një ndër më të veçantit në Ballkan”. Interpretimet e aktorëve dhe mesazhet e fuqishme të të pranishmëve e ngritën ceremoninë mbi kufijtë e një përurimi, duke e shndërruar në një ritual përjetësimi, ku arti i fjalës, i këngës dhe i kujtesës njerëzore u bënë një trup i vetëm.
Dhe mbi të gjitha, shtatorja e bronztë, e ngritur në anën jugore të kalasë së Ali Pashës, qëndronte si një dëshmi e gjallë se e mira dhe madhështorja triumfojnë, duke ecur pastaj, gjithmonë, krah për krah. Ajo i dha sheshit “Lord Bajron” një frymëmarrje të re, duke e kthyer në një tempull të hapur ku qytetarët e Tepelenës dhe vizitorët e ndryshëm, vendas e të huaj, do të takohen përherë me poezinë shqiptarishte dhe njëkohësisht të përjetshme të Petrit Rukës, që do të shihet jo vetëm me sy, por do të ndjehet edhe me zemër, dhe ku çdo hap do të tingëllojë si një varg i pashlyeshëm malli.
 
Telepatia e një fotografie…
 
Ka ditë nga e shkuara, që të thërrasin me një zë kujtese aq të qartë, sa duket sikur vetë koha të flet. Të shtunën e kaluar, më 27 tetor 2025, tek po i afrohesha sheshit “Lord Bajron” në Tepelenën e shtrenjtë të viteve të rinisë sime, për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores së poetit Petrit Ruka, telefoni më riktheu në ekranin e tij të vogël një kujtesë të dhimbshme e të mrekullueshme njëherësh: një status i para dhjetë viteve, po më 27 tetor, në të njëjtin vend, gati në të njëjtën orë të saktë, me Petritin dhe Ilirian Zhupën. Udhëtonim për në skajin jugor të vendit. Vinim nga Tirana, dhe natyrisht nuk mund të bënim asnjë hap më tej pa u çmallur me Tepelenën tonë. Ndalëm një çast, buzëqeshëm dhe bëmë një fotografi. Ne ishim në udhëtim drejt Sarandës, për një takim të krijuesve Jonian, dhe ndaluam aty, siç ndalen bijtë e miqtë që kanë kohë për një frymëmarrje, për një foto që në dukje s’kishte peshë.
Por ja që koha i fsheh sekretet e veta. Dhjetë vjet më vonë, në të njëjtin vend, pikërisht aty ku dikur qëndruam si udhëtarë të lodhur, sot ngrihet e qëndrueshme shtatorja e Petrit Rukës. Ai që dje ishte në krahun tim, me humorin e tij të ngrohtë dhe me fjalët e tij plot poezi e melodi, sot është në bronz, përballë gjithë qytetit. E kështu, fotografia e harruar e 2015-s, që dje m’u shfaq befas, nuk është më një kujtim i rastësishëm, por një profeci e heshtur me bekim Zoti.
Petrit Ruka nuk ishte thjesht poet. Ai ishte një urë mes qytetit dhe shpirtit të tij. Sa herë e dëgjoja të recitonte vargjet e veta, e kuptoja se poezia e tij nuk ishte e shkruar për letër, por për ajrin, për ujin, për gurët dhe vendet që e lindën. Ai dinte të shndërronte dhimbjen në këngë, dhe mallin në dashuri. Petriti nuk e kishte luksin të shkruante thjesht për vete, ai shkruante për të gjithë ne. Ndoshta prandaj sot ai është aty, në shesh, sepse qyteti nuk donte ta mbante më të mbyllur në libra, por ta kishte pranë, si një mur i ri në krah të mureve të kalasë së Ali Pashës.
Më kujtohet si sot, gjatë asaj udhe të përbashkët për Sarandë, qeshjet e tij të papritura, fjalët e thjeshta, me atë fjalorin “rural” të vendlindjeve tona, por me gjuhën figurative që vetëm Petriti dinte ta bënte të këndshme çdo bisedë. Ai nuk kishte nevojë të shkruante gjithmonë, sepse e tërë jeta e tij ishte poezi. Dhe në atë shesh, buzë mureve të lashta të Tepelenës, fjalët e tij dukej sikur merrnin frymë bashkë me ne për një të ardhme që po gatuhej brenda shpirtrave tanë. Ne e dinim që ishim bashkë, por nuk e dinim që ishim duke krijuar një kujtim që do të bëhej legjendë.
Telepatia e kësaj koincidence është e frikshme dhe e bukur njëkohësisht. Çfarë force e padukshme qe ajo që e ngjeshi kohën dhe i bashkoi dy data, dy çaste, dy fotografi në një të vetme? A nuk është kjo një mënyrë e shenjtërimit të vetë kohës? Një poezi që koha e shkroi me dorën e vet, duke na e treguar me vonesë? Koha, megjithëse e pakthyeshme, ka “nevojë të rrëfehet”, dhe ky rrëfim bëhet i mundur vetëm përmes vargut poetik. Kështu, koha dhe fjala krijojnë një marrëdhënie dialektike: fjala e kapërcen kohën, ndërsa koha e përjetëson fjalën. Petrit Ruka, në vargjet e tij, dinte gjithmonë ta kapte këtë dimension të mistershëm të saj. Si magjistar i fjalës, ai nuk është vetëm krijues i vargjeve, por transformues i realitetit, një artizan i shpirtit kolektiv. Ai shkruante për nënat që presin djemtë në prag, për dashuritë që ikin e nuk kthehen, për fshatin që nuk vdes kurrë, për fëmijërinë që të thërret në ëndrra. Dhe ja ku jemi sot: poezia e tij u kthye në kujtesë kolektive. Nuk është më thjesht arti i tij, por një pjesë e shpirtit tonë të përbashkët, e përzier me bronz dhe lotë.
Kur pashë shtatoren e tij, pas këtij momenti përjetues, ndjeva se ajo nuk ishte vetëm bronz. Ishte fryma e tij, shikimi i tij i butë, buzëqeshja që i rrinte gjithmonë në cep të buzës. Ishte fjala e tij që tashmë nuk lexohet, por dëgjohet në heshtjen e sheshit. Dhe aty, mes turmës, ndjeva se fotografia e dhjetë viteve më parë ishte bërë pjesë e një poezie më të madhe, një poezie që koha dhe përjetësia e kishin shkruar bashkë.
Çdo qytet ka nevojë për poetët e vet. Por rrallë ndodh që qyteti të ketë fatin ta përjetësojë poetin në zemër të vet. Tepelena, qyteti i gurëve dhe i ujërave të egra, tani mban mbi sheshin e vet kryesor, jo vetëm kujtimin, por edhe praninë e përhershme të Petrit Rukës. Dhe ky kthim, në të njëjtën datë, në të njëjtin vend, ishte sikur ai vetë të më thoshte: “Ja ku jam, nuk kam ikur, jam aty ku ishim bashkë, vetëm se tani nuk fotografohem më, por qëndroj përjetësisht”.
Dhe ndoshta kjo është telepatia e vërtetë: jo thjesht koincidenca e dy datave, por mesazhi i një miku që e dinte gjithmonë të na i shndërronte ditët e zakonshme në të veçanta, në poezi; në një poezi të magjishme, në një hapësirë të dritës, në një parajsë të sa padukshmes befasuese. Ernesto Sabato këtë do ta quante “… pushtetin e shpirtit mbi mishin, që është kaq shumë magjibërës”.
 
Petrit Ruka mes miqve, qytetit dhe përjetësisë
 
Shtatorja e Petrit Rukës në zemër të Tepelenës nuk është thjesht një monument bronzi. Ajo është frymëmarrja e një qyteti që di të përqafojë prindërisht bijtë e vet, një kujtim i gjallë i miqësisë së pafundme, i fjalës legjendare, i shpirtit që nuk pranoi kurrë të përkulet para barbarisë së kohës politike. Vendosjen e saj nuk e mundësuan pushtetet, sepse pushteti dhe Petrit Ruka rrallë patën raporte miqësore mes tyre. Ai, në vargjet e dhimbshme të poezisë “Dëshpërimi”, i kishte quajtur “politikanë barbarë” ata që e nxorrën “në ankand atdheun”, pasi e kishin neveritur “…gjer tek thonjtë” këtë jetë në vitet tridhjetë e ca vjeçare në vitet e demokracisë. Pëtriti e kishte zhbiruar deri në detaje kalbëzimin moral, kishte ndjerë nderin e ndryshkur që rëndonte mbi shpatullat e tij publike, dhe me dhimbjen e poetit thoshte: “Do iki, të shpëtoj nga shpirtrat e shitur…”. E pra, afërmendësh, nuk mund të ishin ata që do ta sillnin përsëri në Tepelenë, për ta nderuar përjetësisht figurën e tij.
Me së shumti, Petritin e sollën miqtë. Dhe miq ai pati shumë, nga të gjitha anët, nga të gjitha nivelet, siç ka vetëm ai që është i madh në shpirt. Petriti nuk kishte sqimë në miqësi. Ai ulej me të pasurin e me të varfrin njësoj, qeshte me bujarinë e burrit të labërisë dhe përlotej me dhimbjen e një nëne të thjeshtë. Në miqësi ishte po aq i madh sa në poezi. Kishte një fisnikëri të natyrshme, një ngrohtësi që e bënte çdo bisedë të kthehej në poezi të përditshme, në ngushëllim e kurajo shpirtërore.
Dhe ja, një ditë vjeshte, kur gjethet përgatiten të vallëzojnë mbi kalldrëmin e lagur nga rreshjet e stinës, ishte kjo miqësi e fortë si guri i Vjosës, e pagëzuar me emërtimin domethënës “Djemtë e Tepelenës”, që e solli përsëri në sheshin “Lord Bajron”. Jo më si një udhëtar i rastësishëm që humbiste në shtigjet e kujtimeve, jo më si një poet që ndalonte vetëm për një çast pushimi nën hijen e kohës, por si një përjetësi që qyteti e ngriti mbi shpatulla bronzi, për ta bërë pjesë të pandashme të fytyrës së vet. Ai nuk ecte më mes nesh, por qëndronte lart, me sytë e kthyer drejt horizontit, si një shenjë e pavdekshme e fjalës dhe shpirtit të tij, që tashmë u shndërrua në monument, në një kryqëzim midis tokës së Tepelenës dhe qiellit të saj të përflakur nga legjendat.
Nga piedestali i tij, pas zbulimit ceremonial të shtatores, Petriti hodhi një çast sytë majtas dhe pa Ali Pashën – figurën e fuqisë së dikurshme, që ende e sheh botën me një madhështi të ashpër. Hodhi sytë djathtas dhe pa kalanë e Ali Pashës, gurët e rëndë që kanë parë shekuj, pushtime, luftëra, e megjithatë qëndrojnë si dëshmi e palëkundshme. Pastaj mbështeti shpatullat e tij profetike mbi faqen perëndimore të Shëndëllisë, sikur të kërkonte prej malit bekimin dhe mbrojtjen e të gjithë Labërisë e Shqipërisë për ditë më të mira dhe qeveritarë më të përgjegjshëm për fatet e njerëzve të vet. Dhe më në fund, përshëndeti qytetin që kishte përpara – Tepelenën e tij të dashur rrëzë Pallçies, mbledhur në shesh, siç është zakon i këtij qyteti të presë e të nderojë bijtë e vet më të mire, ballin e vet të nderit.
Nuk ishin aty “politikanët barbarë” që ai i përçmonte, ata mungonin, ashtu siç kishin munguar gjithmonë kur duhej. Ishin miqtë. Ishin qytetarët. Ishte dashuria e gjallë e një populli për poetin e vet. Sepse Petrit Ruka kishte qenë gjithnjë në paqe me njerëzit e zakonshëm. Kishte një komunikim të heshtur, thuajse parajsor, me ta. Ata e kuptoninsepse ai u fliste me zemër në dorë. Ai u fliste në poezi, por edhe në biseda të thjeshta, në një tavolinë kafeje, në një shëtitje të zakonshme. Prandaj dhe shtatorja nuk ishte e ftohtë. Ajo buzëqeshte, sikur të thoshte: “Ja ku jam përsëri mes jush, nuk ju lashë kurrë”. Dhe miqtë, qytetarët, të afërmit, e ndjenin atë buzëqeshje. Ishte një komunikim i padukshëm, një rrjetë miqësie që as vdekja nuk mundi ta këpuste.
Në këtë mënyrë, vendosja e shtatores së Petrit Rukës nuk ishte një akt protokollar, por një rit i madh miqësie. Ishte një shenjë se ky poet i madh, i cili dikur shkruante me dhimbje se do të ikte për të shpëtuar nga shpirtrat e shitur, tashmë kishte gjetur vendin ku do të qëndronte përgjithmonë: në mes të miqve të tij, në mes të qytetit, në paqe të përjetshme me Tepelenën. Tani nuk mund të fshihet më tej te kafe “Kalaja”, të “… shkruaj këtë këngë, të mos shkrehem më vaj./ -O bir, -më flet nëna nga botërat e saja, -/ mbahu, o jetë, kujtimet s’kanë faj…”, siç e mbyll ai poezinë “Isha në Tepelenë”.
Kujtimet e gëzueshme janë si fenerë që ndriçojnë natën e shpirtit; por kujtimet e hidhura janë si hije që ndjekin pas çdo hap. Dhe megjithatë, edhe ato që nuk duam, na formësojnë, na japin thellësinë që gëzimet e thjeshta nuk munden t’na e japin. Dhimbja e kujtuar bëhet urtësi, gabimi i risjellë ndërmend bëhet mësim, dashuria e humbur bëhet melodi e pashuar që ushqen shpirtin me një mall të shëndetshëm.
Të harrosh është një dëshirë njerëzore, por edhe një iluzion. Harresa nuk është asnjëherë e plotë; ajo është thjesht një mjegull që fsheh, por nuk zhduk. Përkundrazi, ndonjë kujtim, sado ta përndjekim me shpatën e harrimit, di të kthehet befas, si zog që troket në dritare pa paralajmërim. Dhe në atë çast, njeriu kupton se nuk është ai që zotëron kujtesën, por kujtesa që e zotëron atë.
Të jetosh nuk do të thotë të kujtosh vetëm ato që dëshiron, por të pranosh edhe ato që të dhembin. Sepse vetëm duke i mbajtur të dyja, njeriu bëhet i plotë. Kujtimet janë plagë dhe njëkohësisht ilaç; ato janë ferri dhe parajsa që njeriu i mban brenda vetes.
Prandaj, nuk duhet t’u frikemi kujtimeve që nuk duam, as të dëshpërohemi pse nuk arrijmë t’i fshijmë. Ato janë gurët e themelit të ndërgjegjes sonë. Ndoshta nuk mund t’i harrojmë, por mund t’i shndërrojmë në dritë, duke i kthyer nga barrë në urtësi, nga mallkim në bekim. Në fund të fundit, kujtesa është dhurata më e madhe dhe mallkimi më i rëndë i njeriut — dhe brenda saj fshihet madhështia e qenies sonë.
 
Bronzi i kujtesës dhe ajri i harresës
 
Kujtesa është një det pa brigje, ku dallgët sjellin në breg jo vetëm margaritarët e çmuar të jetës sonë, por edhe gurët e rëndë që do të donim t’i zhysnim përgjithmonë në fundin e tij. Njeriu nuk është veç një trup që ecën mbi tokë; ai është edhe një arkiv i padukshëm, ku ruhen fletët e zverdhura të gëzimeve, plagëve, dashurive e humbjeve. Sa herë përpiqemi t’i mbyllim sirtarët e dhimbjes, kujtesa, e pabindur, i hap përsëri dhe na detyron të lexojmë faqet që nuk duam. Ajo nuk njeh ligjin e vullnetit, por rregullin e vet të pashkruar, ku e shkuara ringjallet edhe pa ftesë.
 “Të mirat duhen shkruar në bronz dhe të këqijat në ajër”, – thoshte Xhordano Bruno, martiri i mendimit të lirë. Dhe vërtet, koha ka ditur të bëjë këtë dallim të madh mes atyre që ngelen përjetësisht dhe atyre që shpërndahen si pluhur në erë.
Të shtunën e 27 shtatorit, në sheshin “Lord Bajron” të Tepelenës, ky ligj i pashkruar i kujtesës mori formë të prekshme. Ishte shtatorja prej bronzi, që mban emrin dhe portretin e poetit të madh Petrit Ruka, e ngritur në mes të qytetit, dëshmia më e qartë konkretizuese e shkrimit, madje e skalitjes të së mirës. Ishte si të shkruhej në një libër të përjetshëm e të palëvizshëm mirësia e një njeriu që jetoi me fjalën dhe për fjalën, me miqësinë dhe për miqësinë, me dashurinë dhe për dashurinë.
Bronzi është i rëndë, i fortë, i pathyeshëm. As shiu, as koha, as duart e pamëshirshme të harresës nuk mund ta fshijnë. Ashtu është edhe kujtimi i Petrit Rukës në shpirtin e njerëzve: i pashlyeshëm. Ai, që në poezi i këndoi nënës dhe fëmijërisë, dashurisë dhe dhimbjes, nuk e deshi kurrë pushtetin e përkohshëm, nuk u tundua nga pasuria e kotë. E vetmja trashëgimi që ai kërkoi të linte ishte fjala e tij. Dhe fjala, si bronz i padukshëm, e bëri të pavdekshëm. Sot, emri i Petrit Rukës është i shkruar në bronz, jo vetëm si shtatore, por si kujtim në zemrat e njerëzve. Dhe të gjitha të këqijat që ai i përçmoi në vargje janë shkrirë në ajër, të padukshme, të pafuqishme.
Sepse koha, kur do, di të bëhet poetja më e madhe: i merr kujtimet e bukura dhe i skalit në bronz, ndërsa të shëmtuarat i shpërndan në erën e harresës.
 Petrit Ruka- Poezia në bronz

 
Shtatorja e Petrit Rukës në anë të kalasë Tepelenë
 
  Petrit Ruka- Poezia në bronz
 
Me Petrit Rukën dhe Ilirian Zhupën dalë në 27.9.2015, 10 vite para se të
inagurohej shtatorja e Petrit, fiks në të njëtën ditë dhe orë.
 

 
 
 
 
 

8 Komente

  1. 1
    1

    Shume mire qe krahinat perkujtojne njerezit e shquar ne bronx.Po nese per Petrit Ruken u ngrit kjo shtatore kaq e madhe ,cmund te ngrihet per Fatos Arapin ne Vlore?Shtatorja duhet te ngrihet nja 10 m e larte.Mendoj se shtatorja i ri shum e madhe poetit

    Përgjigjjuni
    1. 1
      1

      Shume mire qe krahinat perkujtojne njerezit e shquar ne bronx.Po nese per Petrit Ruken u ngrit kjo shtatore kaq e madhe ,cmund te ngrihet per Fatos Arapin ne Vlore?Shtatorja duhet te ngrihet nja 10 m e larte.Mendoj se shtatorja i ri shum e madhe poetit

      Përgjigjjuni
      1. 1
        1

        Shume mire qe krahinat perkujtojne njerezit e shquar ne bronx.Po nese per Petrit Ruken u ngrit kjo shtatore kaq e madhe ,cmund te ngrihet per Fatos Arapin ne Vlore?Shtatorja duhet te ngrihet nja 10 m e larte.Mendoj se shtatorja i ri shum e madhe poetit

        Përgjigjjuni
        1. 1
          1

          Shume mire qe krahinat perkujtojne njerezit e shquar ne bronx.Po nese per Petrit Ruken u ngrit kjo shtatore kaq e madhe ,cmund te ngrihet per Fatos Arapin ne Vlore?Shtatorja duhet te ngrihet nja 10 m e larte.Mendoj se shtatorja i ri shum e madhe poetit

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje