Në Kinostudio festohet pranimi i lahutës në UNESCO...me tingujt e lahutës

20 Dhjetor 2025, 09:05Kulturë TEMA
Në Kinostudio festohet pranimi i lahutës në UNESCO...me tingujt e

Lahuta, një nga thesaret më të çmuar të identitetit tonë kulturor, është tashmë pasuri botërore, e shpallur pjesë e listës së UNESCO-s për mbrojtje urgjente.

Mbrëmjen e djeshme, nën tingujt e duarve të lahutarëve, u bënë bashkë copëza të trashëgimisë shqiptare ndër breza.

Në aktivitetin e organizuar në Kinostudio, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, artistë e lahutarë të njohur, u përcoll një pjesë e kulturës dhe artit të lahutës, përmes tingujve nga mjeshtrat duarartë dhe lahutarëve.

Në fjalën e rastit, ministri Gonxhja e cilësoi këtë si një moment historik për trashëgiminë tonë kulturore.

Gjatë mbrëmjes, u interpretuan në lahutë disa performanca, si dëshmi mes kulturës dhe dialogut që e mban gjallë këtë trashëgimi ndër breza.

Arti i të luajturit dhe të kënduarit me lahutë, është i kultivuar ndër shekuj në hapësirat rurale shqiptare duke përfaqësuar një dimension të kujtesës kulturore kombëtare.

Përfshirja e lahutës në listën e UNESCO-s, siguron vazhdimësinë e ruajtjes dhe trashëgimisë së një simboli unik të identitetit shqiptar.

Të pranishmit në aktivitetin e mbrëmjes së sotme, duartrokitën gjatë çdo performancë artistike të realizuar me valle, këngë e lahutë, duke mos fshehur emocionet pas tingujve që erdhën si dëshmi e çmuar e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. A.K./TemA

Lini një Përgjigje