VIDEO/ “AirBnb-zimi” i komunitetit dhe fundi i hapësirës së përbashkët: Çfarë e mban bashkë Tiranën sot?

19 Dhjetor 2025, 14:13Kulturë TEMA
VIDEO/ “AirBnb-zimi” i komunitetit dhe fundi i hapësirës

Si ia del një qytet si Tirana - ku kohështrirje të ndryshme emocionale mbivendosen mbi njëra tjetrën - të mos kolapsojë nën peshën e tyre?

Në këtë fragment nga episodi i fundit i Apostrof Podcast, biseda zhvendoset nga optimizmi tek shqetësimi. Botuesja Anna Shkreli, nga Berk Botime, shprehet se ka besim tek gjenerata ‘Z’, dhe se ata mund ta zbutin "aciditetin” e qytetit. Megjithatë, është piëkrisht kjo shpresë që ekspozon një problem më të thellë, atë të një gjenerate përgjithësisht të tërhequr nga debate publik.

Gjenerata “Millenials”, e formësuar nga emigracioni, pasiguria dhe tërheqja e plotë nga jeta publike, kanë lënë pas një boshllëk. Media, letërsia, arsimi dhe gjithë hapësirat që dikur mbanin të bashkuar diskutimin publik, kanë nisur të fragmentarizohen. Pyetja që lind është se si arrin një qytet si Tirana të mos kolapsojë nën peshën e vet, kur askush nuk i beson më askujt dhe në asgjë?

Besimi në strukturat shtetërore, por edhe ndaj kapitalit është tejet i ulët. Ajo çfarë mbetet është ideja e komunitetit, që gjithashtu duket se gjendet nën një sulm të vazhdueshëm, teksa hapësirat e përbashkëta kthehen në shërbime. Një lloj “AirBnb-zimi” i jetës së përditshme, ku vendin e përkatësisë e zë aksesueshmëria, ndërsa çdo gjë e përbashkët fragmentarizohet në sektorë gjithnjë e më të ngushtë. Thënë ndryshe, kompartimentalizimi i të përbashkëtës. Në momentin që gjithçka shndërrohet në “imja” dhe “jo e imja”, “më përket, s’më përket”, struktura më e gjerë publike – ajo që varet nga njerëzit – fillon të zhduket.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Poezia e kaosit urban: Të krijosh mes konfuzionit dhe ndryshimit të vazhdueshëm | Apostrof #48