Kjo fundjavë vjen në Teatrin e Kukullave me një premierë absolute plot magji. Fëmijët do të mund të shohin personazhin e tyre të dashur, Meri Popins, në një muzikal të ngrohtë që bashkon të gjithë familjen nën çadrën fluturuese të Merit.
Meri Popins thotë se, askush nuk e di që ekziston një fllad mbrëmjeje, i cili, kur kalon mes yjeve, i kthen dëshirat e fëmijëve në realitet. Kështu ndodhi edhe me Xhejnin dhe Majkëllin, dëshira e të cilëve shndërrohet në formën më magjike të mundshme. Meri Popins me çadrën e saj fluturuese dhe çantën plot surpriza, u mëson fëmijëve mirësjelljen, fjalët magjike, vlerën e miqësisë, kënaqësinë e punës, fuqinë e imagjinatës, dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë të jesh një njeri i dashur dhe i mirë.
Shfaqja e re e Teatrit të Kukullave është e përshtashme për të gjithë familjen.
Teatri i Kukullave njoftoi se biletat për dy datat e kësaj jave u shitën në kohë rekord, ndërkohë që shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe një fundjavë më pas, më 27 dhe 28 dhjetor.
“Meri Popins” vjen me skenar e regji nga Endri Çela, kostumografi nga Sofi Kara, skenografi nga Beqo Nanaj dhe formulimin muzikor nga kompozitori Sokol Marsi.
Në shfaqje do të interpretojnë: Venera Lumani, Luana Thomai, Mishel Kadeli, Aleksandër Grami, Jorida Meta, Erdit Asllanaj, Amelja Heta, Briana Çakmashi, Erla Halili, Etual Gashi, Kleisa Rrapi.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje