Bashkë me urimin për ditlindjen:
Nga Timo Mërkuri
Për poezinë “Në shpellën e Polifemit” të Niko Kacalidhës, fillimisht më kishte folur poeti Agim Mato, gjatë një prej kthimeve të mia nga Kukësi në Sarandë, në fillimet e viteve ’80, i cili kishte një miqësi dhe shkëmbim të frytshëm mendimesh me poetin. Pikërisht në një nga këto takime të tyre u njoha dhe unë me Nikon, Agimi e vlerëssonte këtë krijim si një poezi të fuqishme, gjer në “çmenduri”, madje mbaj mend që ma recitoi të gjithën te klubi “Leningradi” në bulevardin kryesor të Sarandës (sot Riviera) ku takoheshin dhe shijonim më shumë poezinë se sa kafen. Për këtë arsye m’u duk si një e njohur e vjetër te “Heraldikët e borës” dhe mu kujtua cilësimi “poezi e çmendur” për kohën kur u shkrua. Kështu e tregoj librin tim “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës” (Onufri, 2023, f.9), njohjen e parë me këtë poezi, për të cilën natyra e librit tim nuk më lejonte një analizë të thelluar të saj, peng që më nxiti t’i rikthehem përsëri.
I-Kjo poezi është shkruar në vitin 1973 dhe bën pjesë në ciklin”Puhizat e barit”, ku janë përmbledhur “poezitë e sirtarit” shkruar në fazën e parë të krijimtarsë së tij, të botuara për herë të parë te: “Heraldikët e borës”, Onufri 2023, ku poezia “Në shpellën e Polifemit” është në f.37. Dihet lidhja e Kacalidhës me botën e mitologjisë greke dhe heronjtë homerikë dhe është e natyrëshme të mendohet se kjo poezi ka një përqasje dhe elemente simbolike lindur në procesin krijues edhe si shtysë frymëzimi nga miti i Odisesë në shpellën e Polifemit, por unë mendoj se subjekti është homerik ndërsa përmban një ide artistike dhe mesazh sa aktual aq dhe replikues për faktin se brenda rrëfimit poetik del qartë se heroi lirik është vetë poeti-mësues i mbyllur dhe izoluar që udhëtonte rreth pesë orë ditën vajtje-ardhje në shkollën e provincës. Rikujtojmë se në shkrimin redaksional të Revistës Nëntor nr 5 (maj 1973) me temë : “Kundër ndikimeve të huaja në poezi” poeti Kacalidha kritikohej për poezinë “Shqetësim pranveror” të botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” 16 gusht 1972 për subjektivizëm në poezi . Sigurisht që te vargu ”Një erë e marrë që fryu mbrëmë” i poezisë metaforike “Në shpellën e Polifemit” era e marrë ështe pikërisht ky artikull shkaku që e “... struku në shpellën e Polifemit”. Realisht artikulli është i vetmi shkrim (Një erë) ku kritikohet Kacalidha për ndikime të huaja dhe kjo na jep të drejtën të hamëndësojmë se fjala “struku”e jep më së miri qëndrimin fillestar të poetit ndaj kësaj kritike zyrtare. Nuk kishte faj, një poet i ri i brezit të viteve shtatëdhjetë, i vlerësuar me disa çmime në shtypin letrar të kohës, madje me çmim kombëtar qysh në librin e parë (“Fjalë të thëna në pranverë” botuar në 1970) kur ende ishte student, i emëruar mësues në shkollën e mesme në Theollogon e largët në vijën e kufirit, një trasformim i kësaj kritike në akt administrativ, i priste çdo prespektivë në jetë. Ai e ndjeu hungërimën e Polifemit te mërmërrima që nisi të formohet rreth tij si një vorbull ere, e pa ftohtësinë e shikimit të ciklopit te sytë e zyrtarëve partiakë lokalë, por e ngushëllonte veten me mendimin se: “Më larg se ç’më kanë hedhur nuk kanë ku të më hedhin”. Në këto kushte e shkroi poezinë “Në shpellën e Polifemit” nga fundi i vitit 1973. Mund ta kuptojmë se poeti kishte arsye të thella që vendosi ta shkruante, por ca më shumë arssye kishte që të mos e publikonte, (le që kush ia botonte dhe po të donte) arsye që lidhen me kontekstin e tij personal të mbijetesës dhe kushtet politike të kohës.
1. Pas kritikës së rëndë në plenumin e Lidhjes së shkrimtarëve, pasqyruar kjo në kryeartikullin e revistës “Nëntori” për prirjet moderniste të shfaqura në poezinë e botuar në “Zëri i Rinisë” në vitin 1972, Kacalidha ndjeu një nevojë të brendshme për të shprehur ndjesitë e tij. Kritika e mësipërme e bëri të ndiejë presionin e censurës, duke e detyruar të kërkojë forma alternative të shprehjes letrare që mund të mos i ekspozonin më shumë hapur mendimet e tij.
2.Pas emërimit mësues në një zonë të largët si Theollogo, Kacalidha u gjend në një situatë izolimi, me mundësi të kufizuara kontaktesh me qarqet letrare e intelektuale të kryeqytetit, izolim ky që e shtyu drejt një introspeksioni e reflektimi të ndjeshëm mbi situatën dhe rolin e tij si poet në një shoqëri represive.
3. Poezia “Në shpellën e Polifemit” lexohet si alegori për situatën e izolimit. Shpella e Polifemit përfaqëson “burgun” e mendjes dhe censurën që ndjente, ndërsa përpjekja e tij për të gërmuar dhe zhbiruar shpellën për t’i shpëtuar Polifemit simbolizojnë përpjekjen për liri shpirtërore dhe krijimi në një mjedis represiv. Polifemi, në këtë kontekst, përfaqëson forcën shtypëse moniste.
4. Kjo poezi shpreh një gjendje të rëndë psikologjike të poetit, një ndjenjë zymtësie dhe lufte shpirtërore për të mbijetuar si artist në një botë, e cila kërkon ta shtypë frymëzimin dhe krijimtarinë e tij. Kacalidha përdor figura të tilla si “ndez e fik” dhe “dendësova kafetë duke shqyer sytë” për të ilustruar tensionin dhe ankthin e tij.
5. Shkrimi i poezisë ishte një mënyrë për të mbrojtur integritetin e tij artistik dhe për të mos iu nënshtruar diktateve të censurës, ndërsa stili që përdor dhe mospublikimi i poezisë, është i përllogaritur të mbrojë poetin nga ndonjë përndjekje më e ashpër dhe nga rreziku i dënimit publik e ligjor.
Gjthsesi poezinë e shkroi në muajt e fundit të atij viti dhe e mbajti në “sirtar”, pa e publikuar, përveç leximit dorë me dorë të dorëshkrimit me miqtë e tij të besueshëm. Kishte të drejtë Agim Mato që e cilësoi “poezi e çmendur”, lexojeni dhe hamendësoni reagimin e shtetit monist: burgu do ishte parajsa për poetin.
Njëmend po ta lexosh me vëmëndje poezinë gjen shtigje shpëtimi plot: p.sh. poeti mund të argumentonte se ka krijuar një variant poetik të Odisesë në shpellën e Polifemit, ku me frazën “më hodhi” flet vetë Odisea dhe jo poeti dhe Polifemi është vërtet ciklopi mitologjik dhe jo shteti komunist dhe kurrësesi udhëheqësi (obobo, kush mendon kështu vallë?). Rrezik përbënte vetëm dyvargëshi i fundit: “I ngarkuar me shpirtrat e perëndive, /unë, poeti i provinces”, por do t’i gjëndej shtegu edhe këtij “lapsusi” poetik. (P.sh. mund t’ia faturonte vetë Homërit). Puna është ta fshihte mirë, madje aq mirë e fshehu sa që me vështirësi e nxori në vitin 2023, ndonëse ua kishte recituar shokëve shumë më herët.
II-Duhet të pranojmë se shkrimi i poezisë “Polifemi” nga Niko Kacalidha në kulmin e luftës kundër dukurive moderniste në letërsi, është një akt i guximshëm i trimërisë intelektuale, një nevojë e brendshme spontane e poetit, pavarësisht natyrës së tij të qetë, jo konfliktuale. Kjo dukuri mund të analizohet nga disa këndvështrime kryesore:
1.Kacalidha, përmes kësaj poezie, shpreh rezistencën e tij të heshtur kundër censurës . Ndërsa si njeri mund t’i ketë shmangur konfrontimet direkte, akti i krijimit të një poezie ku përdor alegori homerike për të reflektuar mbi censurën, është një mënyrë e fuqishme për të ruajtur integritetin intelektual dhe artistik.
2. Poezia dëshmon një kurajo të madhe shpirtërore. Poeti përdor Polifemin për të simbolizuar forcat shtypëse dhe izolimin që përjetonte, akt që shpreh vendosmërinë për të krijuar dhe shprehur mendimet, pavarësisht nga rreziqet e mundshme.
3. Vërtet që Kacalidha është një natyrë e qetë dhe jo konfliktuale, por poezia tregon për një konflikt shpirtëror dhe ndjeshmëri të madhe ndaj padrejtësisë. Akti i shkrimit të poezisë është një mënyrë për t’i shprehur dhe shqyrtuar këto konflikte shpirtërore.
4.Duke përdorur simbole dhe referenca nga mitologjia greke dhe biblike, Kacalidha ka gjetur mënyrën e sigurt, për t’u shprehur aristikisht, pa sfiduar hapur autoritetet. Shkrimi i një poezie që lidhet me mitologjinë e lashtë dhe përdor simbole të njohura i ka mundësuar poetit t’i maskojë mesazhet në një mënyrë që nuk kuptohej lehtësisht si akt rebelimi politik
5. Së fundi në një kohë kur arti dhe letërsia ishin nën mbikëqyrje dhe goditje, akti i shkrimit të një poezie që trajton temat e lirisë, izolimit dhe censurës u tha që është një akt trimërie intelektuale.
Ajo që ka rëndësi është fakti se Niko Kacalidha nuk e mohoi poezinë e tij, nuk e grisi, madje me këtë rast duhet të themi se asnjë poet apo shkrimtar i dënuar nga Pleniumi IV, nuk i mohoi krijimet për të cilat u dënua, pavarësisht se shumë prej tyre u hoqën nga qarkullimi paralelisht me dënimin e autorëve. Ky qëndrim e nderon ajkën e krijuesve shqiptarë, ndaj dhe ruajtja e kësaj poezie dhe prurja gjer në ditët e sotme është vlerë e shtuar e Kacalidhës që flet po aq sa dhe vetë krijimi.
III-Niko Kacalidha e shkroi poezinë sipas parimeve të disa rrymave moderniste jo vetëm për t’u mbrojtur me shumëkuptimshmërinë e tyre, por realizimi në stilin modernist është një sfidë direkte ndaj soc-realizmit dhe kritikës së bërë te revista Nëntori. Realisht poezia “Në shpellën e Polifemit” pasqyron disa karakteristika kryesore të disa rrymave moderniste dhe konkretisht.
1.Ekspresionizmi karakterizohet nga shfaqja e ndjenjave shpirtërore dhe përdorimi i imazheve për të shprehur emocione të thella e të ndërlikuara që shfaqen në mënyrë të fuqishme dhe dramatike te vargjet: ”Oshënar shpellash durova në zymtësinë /e murgut duke tretur muzgjet”.
2.Simbolizmi është një tjetër rrymë moderniste e pranishme në poezinë e Kacalidhës, ku objektet dhe ngjarjet përdoren për të përfaqësuar ide dhe koncepte. P.sh.: “Gërmova, gërmova, gërmova trupin /e shpellës t’i dilja-Polifemit”, ku, shpella dhe Polifemi janë simbole që përfaqësojnë sfidat shpirtërore dhe përpjekjen për të gjetur dritën dhe kuptimin në jetën e errët dhe të vështirë.
3.Ekzistencializmi, i cili përqendrohet në çështjet mbi ekzistencën, vetminë e kërkimin e kuptimit, dhe poezia përmban elemente të forta të këtij lloj reflektimi:“Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija /e ndjekjes së përbindshme” , varg që dëshmon luftën ekzistenciale të poetit, pse ndjen përndjekjen e vetmisë dhe të pasigurisë, temë e zakonshme në ekzistencializëm.
Pra, poezia “Në shpellën e Polifemit” shpreh qartë ndikimet e rrymave moderniste përmes përdorimit të imazheve të fuqishme, simboleve, temave ekzistenciale si pasqyrat e mëdha të Arkimentit, që përqendruan dritën e diellit mbi anijet romake në Sirakuzë në vitin 212 p.e.s., duke i djegur në det. Veprime të tilla në antikitet kërkonin dijen e Arkimedit dhe në monizëm talentin poetik të Kacalidhës.
IV-Poezia “Në shpellën e Polifemit” mbart aspekt të fuqishëm psikologjik që si përshkohen vargjet e saj, duke shprehur tensionin, ankthin dhe përpjekjet shpirtërore në një mjedis të vështirë e represiv. Ndër aspektet psikologjike më të dukëshme janë:
Tensioni shpirtëror dhe ankthi shfaqet te vargjet: “Një erë e marrë që fryu mbrëmë / më struku në shpellën e Polifemit”, ku poeti shpreh ndjenjën e tij të detyrimit për tu mbyllur në një vend të errët, imazh ky që reflekton ndjenjën e izolimit dhe të frikës së vazhdueshme. “Erë e marrë” është forca që e detyron të hyjë në izolim të padëshiruar dhe të frikshëm.
Përsëritja e frazës: “Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija e ndjekjes së përbindshme” simbolizon përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dritë dhe shpresë në mes të errësirës, ku gjendja e alternimit mes dritës dhe errësirës shpreh ankthin dhe tensionin shpirtëror, i cili ndiehet nën një ndjekje të vazhdueshme.
Vargjet:”Oshënar shpellash durova në zymtësinë e murgut duke tretur muzgjet” shfaqin poetin si oshënar, në izolim të plotë, duke duruar zymtësinë e thellë dhe errësirën..
Të vargjet “Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit” përpjekjet për të dalë nga shpella e Polifemit simbolizojnë përpjekjet psikologjike për të gjetur rrugëdalje nga situata e vështirë.
Kur poeti shkruan”Në çdo ndezje dendësoheshin shpresat dhe karikohej pila e zemrës” parafytyrojmë se si, për çdo herë që arrin të ndezë një dritë, shpresat rriten dhe zemra mbushet si një bateri me energji të re. Ky proces simbolizon përpjekjet për të mbajtur gjallë shpresën dhe për të gjetur kuptim në një situatë të errët e të rrëndë.
Po ashtu frika dhe ndjenja e përndjekjes që shprehen te vargjet ”Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga lemeria, duke shqyer terrin” kanë një ngarkesë psikologjike se pasqyron situatën shpirtërore, ku poeti ndien një presion të madh dhe ndjekje të vazhdueshme.
Referencat dhe detajet mitologjike dhe biblike te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit” përforcojnë ndjenjën e izolimit dhe përpjekjet, por edhe faktin se ai vazhdonte të krijonte si Joani në shpellë. Joani në shpellën e Apokalipsit simbolizon përpjekjet për dritë dhe shpresë në mes të Apokalipsit, duke shprehur përjetimin psikologjik të poetit.
Pra, shohim se aspekti psikologjik i poezisë është i pasur dhe kompleks, shfaq situatën dhe përpjeket për shpresë e shpëtim dhe ajo që ka rëndësi është fakti se Kacalidha arrin të shprehë në mënyrë të fuqishme ndjenjat dhe përjetimet përmes simboleve, imazheve dhe metaforave, duke krijuar një poezi thellësisht të ndjerë dhe mbresëlënëse.
V-Poeti arrin të krijojë një vepër që është njëkohësisht një homazh për epikën homerike dhe një kritikë e shtypjes dhe e censurës në Shqipërinë e viteve '70. Kjo ndërthurje e elementeve homerike me realitetin modern e bën poezinë një krijim të epërm artistik që flet për përjetësinë e sfidave njerëzore dhe fuqinë e artit për të shprehur të vërtetën.T’i shohim disa figura që lidhen drejtpërdrejt me botën homerike ose kanë qasje me të.
1. Simboli “Shpella e Polifemit” përfaqëson vend izolimin, siç është përjetuar nga Odiseu dhe shokët e tij kur u bllokuan nga Polifemi, të cilin poeti e përdor për të simbolizuar situatën e tij ndodhur nën regjimin komunist., shprehur te vargu: “më struku në shpellën e Polifemit.”
2. Polifemi simbolizon forcën shtypëse të regjimit, i cili si Polifemi i Homerit mban Odiseun dhe shokët e tij. Në poezi Polifemi përfaqëson mbikqyrjen dhe kontrollin e vazhdueshëm që vihet në dukje te vargjet “Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit.”
3. Referenca ndaj perëndive të Olimpit “Dendësova udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët “ dëshmon lidhje me trashëgiminë homerike dhe kërkim për ndihmë ose inspirim nga fuqitë e larta simbolike në kohë vështirësie.
4. Po kështu te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit”, ku drita është simbol i njohur në eposin homerik, që përfaqëson zbulimin, shpresën dhe shpëtimin.
Imazhet .
1. Imazhi i labirintit që shfaqet te “Zhbirova, zhbirova, zhbirova labirintet dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën”përfaqëson kompleksitetin dhe sfidat shpirtërore , ashtu si heronjtë homerikë që përballen me udhëtime dhe sprova të vështira.
2. Imazhi i dritës së qiririt shfaqet si simbol i shpresës dhe iluminimit në errësirë, duke kujtuar udhëtimet e heronjve homerikë në kërkim të dritës dhe të vërtetës, ndonëse figura i përket Biblës, Shën Joani i Teologut (i njohur si Shën Joan Apostulli , autori tradicional i Librit të Zbulesës, Apokalipsi, i internuar në ishullin e Patmosit gjatë persekutimit të të krishterëve nga perandori romak Domitiani. Këtu Shën Joani pati një seri vizionesh apokaliptike, një nga pjeset më surealiste-simbolike, që përbëjnë përmbajtjen e Librit të Zbulesës.) Qasja me këtë figurë të Krishtërimit te vargjet ”Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit”tregon vlerësimin për figurën dhe misionin e poetit në shoqërinë përkatëse.
Personifikimet .
1. Te vargu” “Dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën” duke e bërë zemrën një burim të energjisë shpirtërore, Kacalidha evokon idenë e forcës dhe qëndresës së Odiseut gjatë udhëtimeve të tij të gjata dhe të rrezikshme.
2.Po kështu vargu: “I ngarkuar me shpirtrat e perëndive, unë, poeti i provincës” dhe “Perënditë dhe shspirtërat e tyre” përfaqësojnë inspirimin dhe mbështetjen hyjnore që poeti ndjen, një lidhje kjo direkte me mitologjinë homerike, ku perënditë luajnë një rol kyç në udhëheqjen dhe mbrojtjen e heronjve..
VI- Në poezinë “Në shpellën e Polifemit” Niko Kacalidha shpreh një ndjenjë të fortë vetmie dhe kurajoje përmes figurave që lidhen me mitet homerike. Poezia shfaq përvojën e poetit në një mjedis represiv dhe sfidues, ku përballet me izolimin dhe përpiqet të mbajë gjallë shpirtin e tij krijues. Në qoftë se vetmia është e dukshme te figurat si: “shpella e Polifemit” me vargun: “më struku në shpellën e Polifemit”, imazhi i errësirës së shpellës dhe përpjekja për ta ndriçuar me dritën e qiririt te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit”.
1.Vargu: “Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit” shspreh një kurajo të jashtëzakonshme për të përballuar sfidat dhe për të kërkuar lirinë.
2. Zemra e poetit që vepron si pilë energjie te vargu: “Dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën” përfaqëson forcën shpirtërore dhe kurajon për të vazhduar, pavarësisht sfidave të mëdha, ku simboli i zemrës tregon se poeti ka një burim të fuqishëm të energjisë dhe rezistencës së brendshme.
3. Referenca ndaj dymbëdhjetë perëndive te vargu: “Dendësova udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët”shfaq kërkimin e inspirimit dhe fuqisë nga perënditë e lashta duke treguar kurajon për të kërkuar ndihmë nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e njerëzimit.
Niko Kacalidha përmes një arsenali të pasur figurash dhe simbolesh me detaje që lidhen me mitet homerike, shpreh izolimin dhe ndjenjën e përndjekjes pa klithma qaramane, por me një kulturë fine; tregon një vendosmëri dhe forcë shpirtërore për të vazhduar luftën për liri. Ky kombinim i vetmisë dhe kurajos e bën poezinë një akt të fuqishëm të qëndrueshmërisë intelektuale.
Sarandë, më korrik 2024
NË SHPELLËN E POLIFEMIT
Një erë e marrë që fryu mbrëmë
më struku në shpellën e Polifemit.
Oshënar shpellash durova në zymtësinë
e murgut duke tretur muzgjet.
Gërmova, gërmova, gërmova trupin
e shpellës t’i dilja-Polifemit.
Zhbirova, zhbirova, zhbirova labirintet
dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë
zemrën.Dhe me një dritë qiriri, si Joani
në shpellën e Apokalipsit.
Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija
e ndjekjes së përbindshme.
Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga
lemeria, duke shqyer terrin.
Dendësova udhët për në shtigjet malore
të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer
këpucët.
Në çdo ndezje dendësoheshin shpresat
dhe karikohej pila e zemrës.
I ngarkuar me shpirtrat e perëndive,
unë, poeti i provincës.
1973
(Niko Kacalidha: “Heraldiket e borës” Onufri 2023, f.37)
Lini një Përgjigje