Starton sot Festivali i 63-të i Këngës për Fëmijë, për të kulmuar në 1 qershor me shpalljen e dy çmimeve të para, një prej të cilëve do të ketë privilegjin të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision Song Contest.
Në një lidhje me RTSH 24 nga Shkodra, producentja ekzekutive e Festivalit, Manjola Lloja, bëri me dije se do të jetë një total prej 29 këngësh që do të interpretohen nga konkurrentët e ndarë në dy kategori: “të vegjlit” deri në moshën 8 vjeç dhe “junior”, që i përkasin grupmoshave nga 9–14 vjeç.
“Nga sot në orën 20:30 minuta nis Festivali. Në garën e të vegjëlve janë 10 këngë të reja. Në garën ‘junior’, 19 këngë të reja. Festivali do ketë dy fitues të çmimit të parë për secilën kategori.
Këngët do garojnë në të dyja netët. Në natën e parë këndohen 15 këngë, në natën e dytë 14, ndërsa në natën e tretë të tëra. Gjatë prezantimit këngët evidentohen cilës kategori i përkasin”, deklaroi ajo.
Lloja sqaroi edhe mënyrën e votimit dhe të përzgjedhjes së fituesve, si dhe anëtarët e jurisë. Ajo bëri me dije se 50% e votës do të jepet nga juria e fëmijëve dhe 50% nga juria profesioniste, anëtarët e së cilës janë Alis Kallaçi, Melsi Qiriçi, Rudina Çupi dhe Sajmir Çili. Në drejtimin e jurisë do të jetë kompozitori i mirënjohur Robert Radoja dhe sopranoja Inva Mula.
“Prej Festivalit të 45-të, fëmijët pjesëmarrës në festival përcaktojnë fituesin. Në bashkëpunim me RTSH kemi vendosur që krahas jurisë së fëmijëve, do kemi dhe juri profesioniste për t’i dhënë seriozitetin e duhur festivalit. kemi dhënë rëndësi tekstit, fabulave të këngëve”, u shpreh Lloja.
/RTSH/
Lini një Përgjigje