Publicisti Peter Pomerantsev tregon këtë histori për babanë e vet, në Bashkimin Sovjetik të kohës së Brezhnjevit.
Një djalë del nga deti, dhe mu aty e arrestojnë: në breg. I thonë që të vishet me të shpejtë, me rrobat që i kish lënë në rërë; pa çka se është ende qull. Ashtu, me pantallonat ngjeshur sipër brekëve të banjës, që i pikturojnë njolla të lagura mbi terital, e futin në një makinë dhe e shpien për ta marrë në pyetje. Ata që e kanë arrestuar janë dy oficerë të KGB-së, “sigurimit” sovjetik – ideja për ta futur në makinë me pantallona të qullura me gjasë është pjesë e planit për ta thyer dhe poshtëruar. I lagur deri në brez, ai u përgjigjet pyetjeve në një zyrë anonime.
Djali pyet veten: pse erdhën ta arrestojnë këtu, në Odesa, kur mund ta kishin bërë këtë kur të donin, në Kiev ku jeton? Dhe sakaq e gjen përgjigjen: është gusht dhe dy agjentët do të kenë përfituar, për të bërë edhe ata pak plazh. Në fakt, ka të drejtë: mes seancave të marrjes në pyetje, të tre i hipin rregullisht makinës dhe shkojnë në plazh: kur njëri prej oficerët futet në det të bëjnë not, tjetri mbetet në çadër, për të ruajtur të arrestuarin. Një grup i çuditshëm, për këdo që i bie rruga aty pari: aq më tepër që djalit nuk i kanë vënë pranga. Për së largu, duken si tre vetë që po shijojnë një ditë me diell dhe det.
Dy oficerët e KGB-së janë koloneli V.P. Menshikov dhe majori V.N. Megunov. Kjo farsë vazhdon gjashtë ditë, në hotelin Moska e re. I arrestuari kujton edhe se gjatë seancave të hetuesisë, njëri nga oficerët do të nxjerrë nga xhepi një libër me probleme shahu, për t’u zhytur me ngé në zgjidhjen e tyre. Pasi rreket të marrë me mend mos edhe kjo është pjesë e ndonjë loje djallëzore, djali më në fund dorëzohet dhe e bind veten se hetuesi i tij thjesht po vret kohën. Marrja në pyetje ka edhe ajo momente të mërzitshme, që duhen lezetuar njëfarësoj.
Djali, që i kujton këto vite më pas, është babai i ardhshëm i autorit Peter Pomerantsev, i pëndjekur nga KGB-ja ngaqë ndihmonte për përhapjen e literaturës subversive – nga Solzhenjicini te Nabokovi. Për ne, që jemi mësuar të dëgjojmë histori marrjesh në pyetje ku të arrestuarve u djegin cigaren në mish dhe u futin vezë të ziera nën sqetull, kjo e arrestimit në plazh dhe e oficerëve të sigurimit që bëjnë banja dielli me viktimën tingëllon absurde.
Në fakt, dhuna e regjimit, në Bashkimin Sovjetik të viteve 1960, kish ndërruar qimen – nuk ishte më ajo brutalja, e gulagëve dhe e togave të pushkatimit; edhe pse disidentëve dhe rebelëve gjithnjë u rrinte rreziku i varur mbi krye. Pomerantsevi tregon si në shtëpinë e familjes së tij, të vënë në shënjestër nga KGB-ja, ndodhnin shpesh vizita dhe bastisje të paparalajmëruara; sa herë që binte dera në orare të pagjasa, vjehrri do të fillonte të digjte në sobë dokumente komprometuese – paçka se tek dera mund të kish qenë thjesht komshiu që kërkonte pak oriz.
Përndryshe, agjentët e KGB-së e kishin zakon që, kur i pyeste dikush nga brenda se “kush është”, të përgjigjeshin: TELEGRAM.
Gjithsesi, çadra e plazhit, me persekutuesit dhe të persekutuarit, më bëri të mendoj edhe se kudo – madje edhe në Shqipëri – hetuesit dhe të arrestuarit kalonin kaq shumë kohë bashkë, sa të kishin kohë të krijonin mes tyre edhe një farë familjariteti, në mos intimiteti. Kam lexuar për “miqësi” që kanë vazhduar, këndej nga ne, edhe pas 1990-ës; në tavolina kafenesh e pijetoresh. Diçka e ngjashme ndodh në filmat e serialët amerikanë, me temën e krimit: agjentët e FBI-së afrohen me të përgjuarit prej tyre – ndokujt do t’i kujtohen shkëmbimet plot hilaritet mes Tony Soprano-s dhe detektivëve që e ruanin çdo ditë, te kangjellat e shtëpisë së tij; siç do t’i kujtohen miqësitë, ndonjëherë korruptive, mes të burgosurve dhe gardianëve të tyre – tek “Oz”, sa për të sjellë një shembull.
Njerëz që kanë arsye ta urrejnë njëri-tjetrin, mund të gjejnë – pa dashur – se kanë arsye edhe për t’u bërë miq.
Le t’i rikthehemi historisë që rrëfeva në krye: dy oficerë të sigurimit, që janë aq praktikë dhe oportunistë, sa urdhrin për të marrë një subversiv në pyetje e shndërrojnë në një mundësi për të pushuar buzë detit: gjashtë ditë, në thelb një javë, larg rutinës policore; një i përndjekur politik, që detyrohet të bëjë edhe ai plazh, në shoqëri të hetuesve të vet; tre vetë në një çadër, por me një marrëdhënie mes tyre që riprodhon të plotë strukturën e shtetit policor – që edhe i përndjek qytetarët, sepse nuk bën dot ndryshe; por edhe nuk jeton dot i ndarë nga viktimat e veta. Marrja në pyetje, presioni psikologjik, tortura nuk i vijnë njeriut natyrshëm, por instinkti për t’u familjarizuar me atë që ke pranë është i vetvetishëm, dhe në rrethana si këto duhet luftuar. Shumë rrëfime me hetuesi dhe burg me të drejtë i mëshojnë mizorisë së policëve, hetuesve, gardianëve – por mua më duken dramatike edhe ato raste kur prapa këtyre të fundit lufton të dalë mbi ujë dhe të marrë frymë njeriu. Këtë e kam ndeshur te Darkness at Noon të Koestler-it.
Një situatë e ngjashme krijohet në filmin Delegacioni (2018), me skenar të Artan Minarollit† dhe dhe regji të Bujar Alimanit, ku dy operativë të Sigurimit udhëtojnë në të njëjtën makinë me një të burgosur politik përmes një peizazhi të shkretë mes maleve. Është koha e ndryshimeve të mëdha politike edhe në Shqipëri dhe operativët nuk janë më të sigurt për statusin e tyre në raport me të burgosurin, i cili nesër mund të marrë pushtetin dhe të kërkojë shpagim, siç po ndodh ndërkohë në vende të tjera të Europës Lindore. Është kjo pasiguri dhe frikë, e kombinuar me urrejtjen “klasore” për armikun dhe kapacitetin e ulët moral të oficerëve, e rrit tensionin në makinë dhe jashtë saj, duke riprodhuar deri edhe dhunën fatale të një regjimi totalitar, i cili nuk ndalet as para asgjësimit total të Tjetrit.
Në çdo rast, ndodhia në plazhin e Odesës nuk ka asgjë sublime në vetvete – nuk është njeriu brenda oficerit të KGB-së, që i detyron dy hetuesit të shtrihen në rërë me viktimën e tyre, por thjesht limontia, plogështia e një jete të kotë, përtacia e një rutine burokratike nga më të mërzitshmet; dhe ndërveprimi mes këtyre tre burrave në hije, që mbase edhe lozin e kuvendojnë herë pas here, nuk përfton asnjë dramë, por vetëm banalitet.
Mendoj ndonjëherë se përndjekësit dhe të përndjekurit, gardianët dhe të burgosurit, hetuesit dhe të pandehurit, mbrojtësit e rendit dhe shkelësit e rendit, doganierët dhe kontrabandistët e kështu me radhë vijnë dhe i përkasin të njëjtës botë, sado të jenë në anë të ndryshme të barrikadës politike dhe të ligjit moral. Në një film noir detektivi që hulumton krimin shpesh e ndien veten të afërt me të hulumtuarin, madje të ngjitur me të shpinë më shpinë, si dy faqet e monedhës. Në shtete autoritare e totalitare sfiduesit e sistemit, subversivët, “elementet turbulluese”, “kontingjentin armik” i përfton aparati represiv njëlloj siç e përftojnë dhe e sofistikojnë sfiduesit aparatin represiv; përvoja nga Bashkimi Sovjetik i kohës së Stalinit dhe nga Shqipëria e Enver Hoxhës dëshmon se ato sisteme nuk mjaftoheshin me kontrollin dhe neutralizimin e armikut, por edhe e krijonin këtë armik dita-ditës, nëpërmjet terrorit; . Në hetuesitë dhe qelitë e Sigurimit hetuesit jo rrallë merrnin në pyetje, kërcënonin dhe torturonin ata që i kishin pasur deri dje shefa, komandantë dhe komisarë – të gjithë e dinin, duke filluar nga vetë lideri suprem, që askush nuk ishte imun ndaj efekteve të kësaj loje diabolike dhe se ndërrimi i pozicioneve në fushë mund të ndodhte në çdo moment. Madje ishte në këto kontakte, që shpesh shtjelloheshin si dialogu i skriptuar i një drame të keqe – madje artificialisht të keqe – që manifestohej thelbi i një regjimi që mbahej në këmbë nëpërmjet terrorit difuz ndaj qytetarëve.
Një nga ditët e kaluara në rërë, tregon Pomerantsevi, treshes i afrohet një piktor amator, që nis t’i pikturojë pa u marrë leje. Por këtu del një problem: oficerët e KGB-së nuk i lejon sekreti i misionit që të paraqiten në vepra arti me natyrë realiste; dhe për më tepër, plazhi gjatë hetuesisë nuk është pjesë e teknikës së miratuar, për të nxjerrë informacione nga viktimat. Prandaj i thonë djalit që të shkojë e të shohë se çfarë po pikturon ai tipi. Ngrihet djali, i afrohet piktorit, shikon telajon dhe u thotë: “mua nuk më ka nxjerrë mirë, por ju të dy njiheni menjëherë, ju ka qarë.”
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Shënim: Historinë më lart e kam nxjerrë nga libri This Is Not Propaganda, i Peter Pomerantsevit (Faber & Faber, November 8, 2023). Falënderoj Ermal Mulosmanin, që ma përmendi dhe ma rekomandoi autorin.
Thame mos kishin shkuar tek ndonje plazh natyralist ne Jug te Frances si Ed sumjashti
Nje shkrim I mrekullueshem qe uleret e ben thirrje egersirave tona, per ta pranuar pajtimin njerezor. Natyrisht qe s'jam dakort me krahesimin qe I behet situates sone te prag viteve 90 me ate te Rusise, sepse ndersa andej po liroheshin vidhat e persekutimeve, tek ne shterngoheshin me teper. Mjafton te lexosh kujtimet e ish te burgosurve tane, vecanerisht ata te naftes, te artit e te ushtrise dhe do bindesh per diferencen e madhe qe kemi. Madje, per turpin tone ne vazhduam egersisht hakmarŕjen edhe pas ndryshimit te sistemit komunist, ku diktatura fashiste e Saliut shkroi faqe tmerri. Sidoqofte faktet qe sjell ky shkrim na bejne te mendohemi sa te eger e cnjerezor e Patel regjimin.
Sa lart fluturon autori i shkrimit...me presh ne bythe pero'
Nje histori e ngjashme eshte pershkruar nga Antonis Samaraqis ne librin e tij “Gabimi”. Agjenti krijon afrimitet me te arrestuarin medje te dy shkojne edhe ne plazh me dy vajza qe i takuan rastesisht. E gjitha ishte nje plan i perpunuar nga policia sekrete per ta kaluar te dyshuarin nga nje atmosfere gjysem miqesore ne nje hetim brutal kur te kryhej trasferimi i tij ne zyrat qendrore. Ne fund ai qe u thye ishte hetuesi dhe jo i pandehuri. Mesazhi i librit ishte qe te gjithe jemi njerez edhe pse fati na ka hedhur ne llogore te ndryshme.
Dashur të shihte mbi dallg a do t'i rivinte si pulëbardha netëve me klithmë t'i ulej krahut shtrirë pa t'a flakte - eshka pluskoi . Largdallesh !