Nje poezi në marrëdhënie me kohën, me rrënjët, dhe nevojën e pashmangshme për identitet

13 Dhjetor 2024, 18:36Kulturë Prof Ermir Xhindi

Nje poezi në marrëdhënie me kohën, me rrënjët, dhe

Besoj se sot kemi një nga rastet e rralla që, lënë mënjanë hipokrizinë e zakonshme të rrethanave që e mbushin këtë sallë, duhet shfrytëzuar – vetë jam vërtet kureshtar të dëgjoj se si një dekonstruktues i jashtëzakonshëm i praktikës sonë sociale, politike e kulturore për afërsisht 30 vjet, do të bashkëbisedojë me ne si krijues, dmth, si ndërtues, konstruktues, si poet – ndonëse huqin e dekonstruksionit kam bindjen se ai e ka jo thjesht parim krijues, instrument, por ontologji të veten.

Në këtë kuptim, të ndërmjetësoj Mero Bazen poet, autor të vëllimit “Shi me baltë”, është po aq e vështirë, sa ç’është tërësisht “joshëse” të paraqes poezitë e tij – në çdo rast jam i privilegjuar dhe i falënderoj organizatorët për mundësinë që po më japin.

I kam lexuar poezitë e Mero Bazes dy net më parë – nën paragjykimin e hutimit që krijon e papritura e një akti të beftë, pothuaj masonerik, nën detyrimin për të qenë racional, sidomos kur bëhet fjalë për një emër që ka folur e shkruar për shumë dhe për të cilin mendoj se të gjithë duan të flasin për arsye që besoj se as e ngazëllejnë e as i interesojnë poetit.

Sidomos për ata që nuk e kanë lexuar, do të përpiqem të bëj ndërmjetësimin tim shkurt mbi disa elemente që i çmoj si thelbësore për librin: në fillim kuptimin e botimit të veprës në kontekstin e letërsisë shqipe, më tej përkatësisht mbi disa imtësi stilistike e strukturore të vëllimit dhe në fund mbi vlerën e tij. Natyrisht do të bëj çmos të shmang interpretimet.

Nën detyrimin e sipërpërmendur, ajo që dua të theksoj që në fillim është i ashtuquajturi implikim i audiencës, i leximit dhe i etikës së botimit. A ka një domethënie ky akt? Mero Baze – poet? Unë kam lexuar pothuaj çdo libër të Mero Bazes publicist, në rrethana të tjera – ky libër sjell një zhvendosje radikale të leximit, të marrëdhënies së tij me audiencën, çka kërkon një shpjegim fillestar mbi shkakun e tij. Sa për të krijuar një përshtypje, nuk është se shembuj të ngjashëm, madje të shkëlqyer, mungojnë: (p.sh., Sandburg, Whitman – Noli, Konica, Vangjo Nirvana, Branko Merxhani, Nebil Çika e deri te Kadare e Agolli). Marrëdhënia mes publicistit dhe shkrimtarit (publicistikës dhe fiksionit), poetit, posaçërisht si dukuri, ia vlen të hulumtohet në pikëpamje të marrëdhënies në vetvete, të inercisë së autoritetit të letërsisë shqipe si instrument institucional. Marrëdhënia është e vjetër, qysh nga Rilindja, ky lloj funksioni apo sinkretizmi është shumë i njohur në kulturën tonë. Në ag të viteve ’90 kanë eksperimentuar kështu Edi Rama, Fatos Lubonja, Aurel Plasari, At Zef Pllumi e të tjerë – të gjithë tmerrësisht interesantë e origjinalë.

Megjithatë kjo nuk mjafton, sepse çdo rast e meriton shpjegimin e vet: me botimin e tij, Baze ysht një zhvendosje të audiencës së tij klasike që kërkon shpjegime, që kërkon të dijë, ç’është ky libër, ç’do të thotë, ç’kumt sjell, pos publicistikës së tij shumë të pasur. Mero Baze – poet? Pyetje që është e pamundur të gjejë përgjigje në “Shi me baltë”, nëse këmbëngulet në iluzionin e poezisë si apendiks për publicistikën, çka me siguri do t’i dëbojë të hidhëruar nga kjo bashkësi lexuesit e tij besnikë.

Sipas meje: është marrëdhënia me kohën, me rrënjët, nevoja e pashmangshme për identitet, për t‘u kapur diku, siç e thotë Kadare përmes bejlereshës Mukades te “Nëntori i një kryeqyteti”: “Gjithë puna ishte të mos shpërndaheshin si zogjtë e korbit. Tmerri më i madh do të ishte po të vinte puna që të thërrisje mes sterrimesh: ‘ku je?’ dhe askush të mos i përgjigjej thirrjes sate…”

Letërsia shqipe e pas viteve ’90 mund të përkufizohet në prirjen e saj themelore të lidhur me një dukuri që e quaj ndërtimi/rindërtimi/dekonstruktimi i identitetit historik e kulturor, dukuri që për mendimin tim është e rendit mbizhanror dhe që përmbush zakonisht funksionin e eksplikimit psiko-moral të së sotmes. E thënë thjesht, pas një cikli rrëpateje të pambarimtë racionaliste, letërsia shqipe me intuitën e saj të sprovuar paralajmëron njëlloj Antireforme spirituale, të cilën unë e shoh si Akt Etik nga kushdo që i hyn aventurës së shkrimit. Mero Baze – poet, nuk bën përjashtim nga kjo prirje. Ai i bashkohet kësaj prirjeje me intuitën e natyrshme të krijuesit.

____________

*Prof. Ermir Xhindi eshte pedagog ne Universitetin Ismail Qemali nue Vlore. Kjo eshte fjala e mbajtur ne promivimin e librit "Shi me baltë", te autorit Mero Baze ne Vlorë

2 Komente

  1. Y
    Ylldije Sulka

    Nuk ka asnje cudi pse Mero Baze ka shkruar liber me poezi, kete "bezdi", apo "habi" e kane vetem pasardhes te klases qe e quajne veten klane, ne kete shkrim, shkruar perkushtimisht se i duhet, ne forme servile, nuk mungon edhe helmi per bejleret dhe "shkrimtarin" e tyre shpirteror i cili shktaerroi dhe nuk e la nje Lidhje Shkrimtaresh se e dinte qe do te dilnin shkrimtare te vertete........

    Përgjigjjuni
    1. I
      Iliri

      Janë dhënë citate nga Kadareja dhe asnjë nga Merua! Është thënë vetëm se Merua është poet si gjithë ajo plejadë me dy yllësi të rreshtuara. një teoricien i shquar thotë se tek Shekspiri nuk synojmë të vërtetojmë se ai është poet, si miliona të tjerë në botë, por se çfarë është "shekspiriane" në poezinë e tij! Çfarë është “meronae” në poezinë e Meros? Kur do thuhet? Të gjithë i shmangen. Habitem çfarë domethënieje ka kjo mënyrë...

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje