Hans Ruedi Giger, piktori që e krijoi vizualisht alienin xenomorph të filmit Alien, ka thënë se “u mundua t’i japë krijesës një aspekt biomekanik, me tuba të dhëmbëzuar dhe kabllo elektrike” (citoj nga Giovannoli); i njëjti term që u rikthye pastaj në filmin Blade Runner, për të përshkruar replikantët. Nga kjo pikëpamje, shndërrimi i njeriut në cyborg, nëpërmjet augmentimeve të ndryshme, mund të përfytyrohet si i kundërt me shndërrimin e një androidi në njeri (si në rastin e synth-ëve të serialit Alien Earth); dhe këtu mund të vazhdojmë duke pyetur se çfarë është Alieni xenomorph – qenie e gjallë, e “cyborgizuar”, apo makinë e “biologjizuar”; një pyetje të cilës nuk i përgjigjemi dot. Për njeriun, mund të vlente deri diku dinamika e paradoksit të Tezeut: nëse fillojmë t’ia transplantojmë organet njërin pas tjetrit, ku do të kalonte kufiri midis njeriut dhe jo-njeriut? Racionalistët mbase do ta hiqnin vijën ndarëse te truri, duke e këqyrur këtë organ si “selinë” e vetëdijes; dhe tema e transplantimit të trurit, ose më gjerë, gjëza filozofike e një “truri në epruvetë” (brain in a vat) janë një nga temat themeltare të zhanrit – që sot madje merr trajtat e magazinimit dhe transferimit të vetëdijes në formë digjitale. Por biologjia këtu nuk e ka thënë ende fjalën e fundit, meqë ende nuk kuptohet mirë roli i sistemit endokrin në vetëndije (“sentiencë”) dhe sidomos funksioni i atij që është quajtur “truri i dytë”, ose tërësia e florës bakteriale në zorrë (gut).
Philip Dick, guru-ja i fantashkencës paranoide, ka meritën e popullarizimit të androidit që ai e quan “simulakër”, që nuk është veçse kopja absolutisht besnike e një qenieje njerëzore. Shkruante në 1977: “kush është njerëzor dhe kush ka vetëm pamjen e njeriut, maskohet si i njeri? [...] Nëse nuk arrijmë individualisht dhe kolektivisht që t’ia japim një përgjigje të sigurt kësaj pyetjeje, gjendemi përballë ... problemit më serioz të mundshëm. Pa një përgjigje adekuate, madje nuk mundemi as të jemi të sigurt për veten. [...] A jam unë human? Apo thjesht jam programuar që të besoj kështu?” (cituar sërish nga Giovannoli). Këtë ide Dick-u e pat shembëllzuar, mes të tjerash, në një tregim të vitit 1953, The Impostor, i cili pastaj u ekranizua në një film të Gary Fleder me të njëjtin titull (me Gary Sinise, Madeleine Stowe, Vincent D’Onofrio); në tregim, alienët nga Alfa Centauri dërgojnë në Tokë replikantë që janë kopje biologjike njerëzish, totalisht besnike, të pajisur deri edhe me kujtesë të transplantuar; aq sa as vetë nuk e dinë që janë replikantë. Nga filmi Blade Runner (edhe ky i bazuar në romanin Do Androids Dream of Electric Sheep? të Philip Dick-ut), do të na kujtohet si forcat e rendit kishin përpunuar një metodë psikologjike, për të dalluar replikantin nga njeriu (testin Voght-Kampff), e cila funksionon në mënyrë të ngjashme me një lie detector; mund ta përfytyroj ndonjë shikues të filmit, që të ketë vrarë mendjen, në heshtje, nëse ai do ta kalonte testin dhe se çfarë do të ndodhte, sikur të mos e kalonte.
Për kopje të tilla perfekte, si replikantët e Dick-ut dhe synth-ët e serisë Alien, marrëdhënia me njerëzit vjen e problematizohet menjëherë. Replikantët në Blade Runner rezultojnë superiorë ndaj njerëzve jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht; e megjithatë, u duhet të pranojnë se janë të krijuar prej njeriut, duke rezultuar ky i fundit, si krijuesi i tyre, një Zot minor, i papërsosur, i ngjashëm me personazhet pak operatike të panteonit klasik grek. Nga ana tjetër – sërish Giovannoli – nëse një ditë do ta kemi të pamundur të dallojmë një android nga njeriu, atëherë çfarë do të na pengojë të dyshojmë se edhe njeriu vetë është një lloj androidi dhe se raporti ynë me Zotin nuk është dhe aq i ndryshëm nga raporti i një replikanti çfarëdo me ne krijuesit e tij?
Qëndrimi filozofik tradicional këtu i bën vend argumentit se njeriu, përveç mendjes, ka edhe “shpirt” (zakonisht të pavdekshëm), çfarë e dallon nga kafsha; përndryshe, për ta thënë me Descartes-in, “nuk ka asnjë diferencë mes makinave të ndërtuara prej artizanëve dhe trupave të ndryshëm që krijon natyra, veç kësaj: që efektet e makinave varen vetëm nga veprimi i tubave ose sustave [...] aq të mëdha, sa të jenë të dukshme edhe nga pamja, edhe nga mënyra si lëvizin, ndërsa tubat ose sustat që prodhojnë efektet natyrore janë përgjithësisht tepër të vogla, që të mund të perceptohen prej shqisave tona.” (René Descartes, Principia philosophiae, cituar nga Giovannoli). Mjeku Julien Offray de La Mettrie, autor i një pamfleti të titulluar L’homme machine (1747), e nxjerr edhe shpirtin të tepërt, duke i hapur rrugën – për ta thënë me Giovannoli-n sërish – mundësisë që Inteligjenca Artificiale një ditë të rebelohet ndaj krijuesit të saj.
Temën e simulakrit e ka zhvilluar, në filozofinë bashkëkohore, Jean Baudrillard (1981), i cili pat argumentuar se njeriu nuk po përjeton më realitetin, por një simulim të realitetit. Duke iu referuar një tregimi të Borges-it, ku mbreti porosit një hartë aq të detajuar sa t’i korrespondojë realitetit në shkallën 1:1, Baudrillard-i argumenton se në epokën post-moderne territori pushon së ekzistuari dhe se nuk na mbetet asgjë tjetër, veç hartës; madje që vetë konceptet e hartës dhe të territorit nuk mund të dallohen më nga njëri-tjetri. Pjesë e procesit të “simulakrizimit” të botës është edhe riprodhimi mekanik i sendeve, në epokën e Revolucionit Industrial, i cili rrezikon të zëvendësojë autoritetin e origjinalit, sa kohë që kopja është po aq “reale” sa edhe prototipi.
Ky kontekst i Baudrillard-it lejon të kuptohet më mirë edhe realiteti një bote të simuluar, si ajo në një video-lojë, ku lojtarët përfaqësohen nga avatarët e tyre teksa ndërveprojnë edhe me NPC-të (“non-player characters”, ose personazhe që “popullojnë” vetëm nivelin e lojës). Sa më shumë që reflektojmë për natyrën e botëve virtuale, në video-lojërat, dhe ndërveprimin atje mes avatarëve dhe NPC-ve, aq më shumë përhapet paranoja se edhe realiteti ynë mund të jetë gjithashtu i simuluar në një kompjuter. Nga ana tjetër, NPC-të në video-lojëra sa vijnë e bëhen më të ngjashëm me synth-ët (replikantët) në fantashkencën klasike, si androidë, krijesa të teknologjisë njerëzore, që veprojnë dhe gjykojnë në mënyrë autonome, veçanërisht në rrethanat kur mund të përdorin Inteligjencën Artificiale. Shoh këtu një konvergjencë që do të kërkojë, herët a vonë, përgjigjet e veta filozofike.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Shënim: kjo ese është pjesa e tretë e një cikli kushtuar mitologjisë së alienit xenomorph në fantashkencën amerikane. Pjesën e parë dhe të dytë mund ta lexoni duke klikuar më poshtë:
Lini një Përgjigje