“O, si nuk kam një grusht të fortë…” Cila është revolta e Altin Gocit në këngën e re?

24 Tetor 2025, 12:52Kulturë TEMA
“O, si nuk kam një grusht të fortë…” Cila

Altin Goci rikthehet për publikun e tij me projektin më të ri muzikor “Kërko magji në ajër”.

Kantautori ishte i ftuari i Andri Xhahut në emisionin “Në radio” që transmetohet çdo ditë në Radio Tirana 1.

Goci tregon se si lindi kënga. “Bashkë me mikun tim kitarist Klod Shehu dëgjuam rastësisht një fjalim të Winston Churchill-it për Luftën e Dytë Botërore, i cili në fund thotë: ‘What kind of people do they think we are’ (Çfarë lloj njerëzish mendoni ju se jemi). Na bëri përshtypje! Kjo ishte bulëza dhe filluam të shkruanin tekstin.” Kjo këngë është një revoltë e artistit për padrejtësitë. “Situata në botë nuk është e mirë: me luftëra, protesta, ngrohja globale. Por edhe në vendin tonë, në këtë fshatin tonë të bukur, që kur zgjohesh tjetri të ka zënë rrugën me makinë dhe nisin hallet. Ky është një rebelim, një revoltë, prandaj njeriu duhet që magjinë ta gjejë te vetja. Nuk e ke të mundur të ndryshosh botën dhe njerëzit, por ajo që ke në dorë është të gjesh rrethin tënd, miqtë e tu, familjen tënde, të jesh në paqe me veten.” 

Për të vazhduar idenë e këngës edhe në videoklip, kantautori shprehet se regjisori Elton Baxhaku i solli në mend vargun e Migjenit “O, si nuk kam një grusht të fortë, t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzan”. “Morëm një tullumbace si simbol dhe unë jam me një vare në dorë për ta çarë atë. Ideja është që të mos lodhesh për të çarë tullumbacen me vare, mjafton një gjilpërë. Një metaforë për të treguar se dhe në pamundësi duhet të gjesh një mundësi tjetër për të qenë ai që je dhe të gjesh paqen.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Radio Tirana (@radiotirana_)

Nisur nga vargu i tekstit të këngës që thotë “Jeton për të tjerë…”, Altin Goci i përgjigjet pyetjes nëse ka bërë ndonjëherë kompromis në muzikë, për të krijuar këngë që publiku do. “Gjithmonë kam bërë gjërat që kam dashur vetë. Po vazhdoj të mbijetoj në këtë vend! Jo se unë jam dikushi e të tjerët jo! Në vendin tonë tregu është shumë i vështirë. Më vjen keq që shoh shumë kolegë ose dhe muzikantë që nuk i njoh të cilët janë bërë skllevër të kompromisit. Nis që në zanafillë, për çfarë i ke hyrë kësaj rruge? Një pjesë kanë devijuar rrugës e disa i kanë hyrë muzikës për këtë punë. Brezi im i ka hyrë kësaj filozofie muzike për të bërë gjërat që duan vetë. Kam pasur fatin që e bëmë golin në vitin 1991 me grupin (Ritfolk) ku morëm çmimin e parë për grupet e reja. Kënga “Ëndërroj” u pëlqye jashtë mase dhe që aty filloi ideja: Pse të mos e vazhdojmë këtë histori?!

Sipas Gocit, antivlerat janë ato që po mbizotërojnë. “Për fat të keq, të jesh sot një njeri i ndershëm ose me vlera quhesh demode. Kam gjithmonë tendencën për të dalë kundra rrymës, edhe pse të kesh vlera është gjëja më normale. Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e turmës që shkon pas diçkaje që bëhet për modë ose lajm. Nuk shoh individualitet…

- RTSH-

Lini një Përgjigje