Nga Matt Simonton, Project Syndicate
Në vjeshtën e vitit 403 p.es. demokracia triumfoi në Athinë. Ishte fitore pas një lufte të ashpër. Konflikti 27-vjeçar me Spartën, i njohur si Lufta e Peloponezit, kishte përfunduar një vit më parë me kapitullimin e athinasve të rrethuar. Një regjim autoritar, i quajtur Të Tridhjetët, mori kontrollin e qytetit dhe pavarësisht pretendimeve të tyre rreth “virtytit” dhe “drejtësisë”, brenda pak kohësh ekzekutuan mbi 1.500 njerëz.
Ky shpërthim dhune frymëzoi një lëvizje rezistence demokratike, e cila përbëhej pjesërisht nga banorë të huaj të shtresës punëtore dhe skllevë. Pas thuajse një viti luftë civile, rebelët kishin fituar, duke shënuar një moment të rëndësishëm të rivendosjes së demokracisë, që rezonon ende sot. Për ta festuar këtë, ata i ofruan flijime në Akropol Athinës, perëndeshës mbrojtëse të qytetit.
Por, larg këtyre festimeve, po mbahej një tjetër lloj ceremonie. Të mbijetuarit e regjimit të të Tridhjetëve po i ngrinin një monument Critias-it, liderit të tyre të rënë në betejë. Një i afërm më i vjetër i filozofit Platon, Critiasi ishte intelektual, poet dhe teoricen i politikës, që kishte kundërshtuar fuqishëm demokracinë e qytetit. Ai i pati udhëhequr të Tridhjetët deri në vdekjen e tij në betejë atë vit.
Si homazh ndaj Critias-it dhe gjithë lëvizjes antidemokratike, mbështetësit e tij i bënë një gurr varri tejet të dekoruar. Relievi i gdhendur në mermerin e tij tregonte një grua të ashpër, e cila mban në duar një pishtar, ndërsa po i vë flakën një tjetër gruaje, me epitafin: “Ky është kujtimi i burrave të mirë, që për një kohë të shkurtër kufizuan kryelartësinë e popullit athinas.” Sipas një komentatori nga Greqia e lashtë, gruaja që mban pishtarin është personifikimi i Oligarkisë, ndërsa viktima e saj është demokracia.
Armikja e betuar e demokracisë
Asnjë gjurmë e gurit të varrit të Critias-it nuk ka mbijetuar në ditët tona dhe e vetmja referencë ndaj saj është një shënim margjinal në një dorëshkrim. Disa studiues natyrisht dyshojnë se mund të ketë ekzistuar. Sigurisht, argumentojnë ata, një objekt kaq subversive do të ishte ndërtuar fshehurazi, duke ngritur pyetjen se si dikush mund ta regjistronte përmbajtjen e tij. Ndoshta kemi të bëjmë me një lloj fan fiction të antikitetit.
Megjithatë, i vërtetë ose i sajuar, monumento enkapsulon një fenomen politik të greqisë klasike: oligarkia, ose “sundimi i pak njerëzve.” Oligarkët e shihnin veten si një minoritet të rrallë, të dalluar nga prejardhja, pasuria, sjelljet dhe arsimi më i mirë se i të tjerëve, çka i bënte më të përshtatshëm për të suduar. Me një fjalë, ishin “të mirët” e epitafit të Critiasit, përkundër shumicës së palarë – demosit- që nuk kishte as përgatitjen e as mprehtësinë e nevojshme për t’u marrë me politikë dhe prioritetet e gabuara të të cilëve mund të çonin vetëm në kryelartësi. Ndaj ishte detyra e çdo anëtari të mençur të elitës që të mbante poshte valën e injorancës me çdo mjet të nevojshëm. (Në burimet e antikitetit demosi shpesh krahasohet me një lum që del nga shtrati apo me një valë gjigande; imazhi i pishtarit në gurin e varrit, që vendos zjarrin kundër ujit, mund të jetë kështu i qëllimshëm.)
Nëse sentimenti i oligarkisë i portretizuar në monumentin e Critias-it mund të duket ekstrem, kjo vjen sepse ai reflekton ashpërsinë e luftës me demokracisë dhe oligarkisë në Greqinë klasike. Është e njohur se në fillim të shekullit të 5-të p.e.s. mendimtarët grekë dalluan tri mënyra të thjeshta por gjeniale për të klasifikuar llojet e qeverisjes bazuar tek numrat. Shtetet mund të qeveriseshin nga një person i vetëm (tirania), një pakicë (oligarkia), ose nga shumica (demokracia). Por ajo që shpesh harrohet është se demokracia dhe oligarkia u kthyen shumë shpejt në dy format më të përhapura të qeverisjes dhe më në luftë me njëra-tjetrën.
Teksa shkruante në shekullin e 4-t p.e.s., Aristoteli vëzhgonte tëk “Politika” se, “shumica e kushtetuave janë ose demokratike ose oligarkike.” Nuk do ta ekzagjeronim po të thoshim se zgjedhja midis të dyjave e ndau në dy pjesë botën greke. Historiani i Universitetit të Kolumbias, John Ma, në sutdimin e tij të fundit të poliseve antike greket, i referohet periudhës mes viteve 460-360 p.e.s. si “Lufta Njëqindvjeçare” mes demokracisë dhe oligarkisë. Oligarkia, shumë më tepër se sa tirania, u kthye në armiken e betuar të qeverisjes popullore.
Por oligarkia, sado e përhapur, nuk pati kurrë ndonjë pëlqim masiv. Oligarkët nuk ishin një “parti” politike që alternohej me demokratët në transferime paqësore të pushtetit. Shumica e ndryshimeve kushtetuese ishin rezultat i grushteve të shtetit. Kjo ishte e vërtetë edhe për vendosjen e demokracive. Por, ndërsa demokracitë gëzonin përkrahjen e shumicës së qytetarëve, oligarkitë shpesh arrinin të triumfonin me gjithë mungesën e tyre të popullaritetit.
Rregullat e pakicës
Oligarkitë e Greqisë së lashtë janë një rast studimor se si institucione të hartuara me mjeshtëri mund të mbajnë në këmbë edhe regjimet më autoritare. Në sipërfaqe, oligarkia mbështetej te kriteri i pasurisë, për të garantuar që vetëm një pakicë e popullsisë, ndoshta 10–15% më e pasur e qytetarëve meshkuj, të kishte akses në poste politike. Por oligarkia kishte edhe një përbërës të fortë ideologjik klasor. Siç vërejti me të drejtë Aristoteli, oligarkia dhe demokracia i referohen numrit, por në të vërtetë nënkuptojnë sundimin e të pasurve dhe të të varfërve.
Për të ruajtur pushtetin, “klubi i zotërinjve” oligarkë përdorte strategjinë klasike të përça e sundo. Figura të rëndësishme të opozitës përfshiheshin brenda regjimit. Shpërblimet e shpallura publikisht për informatorët mbillnin dyshim dhe përçarje mes atyre që mund të komplotonin kundër pushtetit. Lëvizja në hapësirat qendrore të polisit, aty ku protesta mund të kthehej në revolucion, rregullohej rreptësisht. Dhe nëse skena e brendshme bëhej e trazuar, aleatët ndërkombëtarë ndërhynin për të rivendosur “rendin”: spartanët në veçanti ishin famëkeq për ndërhyrjet e tyre në mbështetje të oligarkive.
Një grup institucionesh merrej kështu me demosin e trazuar; një tjetër ruante marrëdhënie të tolerueshme brenda vetë radhëve të oligarkëve. Bashkëpunimi mes këtyre egove të mëdha nuk mund të merrej kurrë si i mirëqenë, edhe pse mbijetesa e tyre varej prej tij. Nëse kjo tingëllon e tepruar, mjafton të imagjinojmë një qeveri të përbërë ekskluzivisht nga miliarderët që rrethonin Presidentin amerikan Donald Trump në inaugurimin e tij të dytë. Mark Zuckerberg, Jeff Bezos, Tim Cook, Sergey Brin dhe Elon Musk mund të përfitojnë nga rendi aktual, por nuk është aspak e qartë se do të mund të bashkëpunonin aq gjatë sa për ta mbajtur atë në këmbë.
E pajisur me këtë rend institucional, oligarkia pati një jetë jo të shkurtër. Por në fund nuk mundi t’i bënte ballë përhapjes së demokracisë. Kjo mund të tingëllojë befasuese: një rrëfim i zakonshëm, i promovuar ndër të tjerë edhe nga hartuesit e Kushtetutës amerikane, thotë se demokracitë e drejtpërdrejta dhe të trazuara të antikitetit ranë pashmangshëm pre e demagogjisë dhe çrregullimit. Vetë historia e Athinës, siç rrëfehet nga historiani Tukidid, është përdorur për ta përforcuar këtë narrativë.
Por studiuesit bashkëkohorë, duke u mbështetur në zbulime të reja letrare, mbishkrimore dhe arkeologjike, bien gjithnjë e më shumë dakord se demokracia nuk nisi dhe nuk përfundoi me Athinën klasike. Në fakt, mes shekujve të tretë dhe të dytë p.e.s., demokracia mund të ketë qenë forma më e zakonshme e qeverisjes në botën e lashtë greke. Ajo kremtohej në pikturë, monedha, skulpturë dhe në ligjërimin e përditshëm si mënyra më e mirë për të siguruar lirinë dhe barazinë e qytetarit të lirë mashkull. Skllavëria dhe përjashtimi mbi bazë gjinie mbeteshin, sigurisht, tipare famëkeqe të regjimeve greke që e quanin veten “demokraci”. Atëherë, si edhe sot, pothuajse askush nuk fliste mirë për oligarkinë në publik. Në fakt, guri i varrit të Critias-it, nëse ka ekzistuar vërtet, do të ishte i vetmi rast i dëshmuar ku oligarchia paraqitet në art.
Kurthi i shumicës së cilësuar
Pas një periudhe harrese, fjala “oligarki” është rikthyer fuqishëm në Shtetet e Bashkuara. Ajo u shfaq sërish në agjendën politike në vitet 2010, me lëvizjen Occupy Wall Street dhe fushatën presidenciale të Bernie Sanders në vitin 2016, dhe mori përdorim më të gjerë në janar 2025, kur ish-presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi në fjalimin e tij të lamtumirës për “një oligarki pasurie, pushteti dhe ndikimi ekstrem që kërcënon fjalë për fjalë gjithë demokracinë tonë”. Kur njerëzit e dëgjojnë sot këtë term, ka më shumë gjasa të mendojnë për “tech bros” amerikanë sesa për super të pasurit rusë që e grumbulluan pasurinë duke përvetësuar asetet shtetërore në vitet 1990.
Në shumë aspekte, shoqëria amerikane është e papërgatitur për këtë moment. Pavarësisht rëndësisë së oligarkisë në antikitetin grek, nga ku vijnë kaq shumë prej ideve politike të Shteteve të Bashkuara, kjo çështje u la kryesisht në periferi gjatë debateve kushtetuese të periudhës së hershme moderne. Kjo ndodhi pjesërisht sepse hartuesit e Kushtetutës amerikane i zhvendosën termat e diskutimit nga përballja “demokraci kundër oligarkisë” drejt kontrastit mes sundimit të ligjit dhe tiranisë së shumicës.
Federalistët, në veçanti, u përpoqën ta zbusnin humbjen e fuqisë demokratike që mund të vinte nga përfshirja e shteteve të veçanta në bashkimin e fortë federal që ata parashikonin. Siç kanë vënë në dukje shumë studiues, Kushtetuta e propozuar e vitit 1787 ishte shumë më pak demokratike nga sa do të kishin dashur shumë politikanë dhe qytetarë në nivel shtetesh. Por në të parin nga “Federalist Papers”, Alexander Hamilton i siguronte lexuesit se “një ambicie e rrezikshme fshihet më shpesh pas maskës së bukur të zellit për të drejtat e popullit, sesa nën pamjen e ndaluar të zellit për qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e qeverisë”. Me fjalë të tjera, ishte tepria e demokracisë, dhe jo mungesa e saj, ajo që do të çonte në paqëndrueshmëri politike.
Si rezultat, Federalistët ishin disi në mbrojtje kur vinte puna për të dëshmuar karakterin popullor të Kushtetutës. James Madison pranoi në Federalist 38 se akuzat më të zakonshme kundër dokumentit ishin se ai do të përfundonte në monarki ose aristokraci; rreziku që të ishte tepër demokratik, me sa duket, ishte i vogël.
Megjithatë, te Federalistët mund të gjejmë ende municion retorik kundër idesë se Kushtetuta amerikane nuk ishte menduar fare si demokratike. Pretendimi se Shtetet e Bashkuara janë “republikë, jo demokraci” vazhdon të qarkullojë, me nënkuptimin se vota e shumicës nuk duhet domosdoshmërisht të mbizotërojë. Por siç shpjegonte Madison në Federalist 10 dhe 14, ajo që “republikane” nënkupton në praktikë është kryesisht përdorimi i përfaqësimit, dhe jo votimi i drejtpërdrejtë mbi ligjet. Në të dyja rastet, mënyra e numërimit të votave është mazhoritare.
Në fakt, në një aludim të tërthortë ndaj oligarkisë, Madison shkruante se “nëse një fraksion përbëhet nga më pak se shumica, zgjidhja jepet nga parimi republikan, i cili i mundëson shumicës t’i mposhtë pikëpamjet e tij të liga përmes votës së rregullt”. Madison duket i paaftë të imagjinojë se një shumicë mund të mbahet peng nga një pakicë kokëfortë.
Hamiltoni, edhe pse jo domosdoshmërisht mik i demokracisë, kishte fjalë të ashpra edhe për rregullat e votimit me super-shumicë, në dallim nga shumica e thjeshtë. “T’i japësh një pakice një të drejtë mohimi mbi shumicën”, shkruante ai në Federalist 22, “gjë që ndodh gjithmonë kur për një vendim kërkohet më shumë se shumica, priret ta nënshtrojë mendimin e numrit më të madh ndaj atij të numrit më të vogël.” Një sistem i tillë synon “të zëvendësojë kënaqësinë, tekat apo dredhitë e një grupi të parëndësishëm, të trazuar apo të korruptuar, me diskutimet dhe vendimet e rregullta të një shumice të respektueshme”.
E megjithatë, procesi që Hamiltoni përçmonte është pikërisht mënyra se si Shtetet e Bashkuara sot hartojnë rregullisht politika, përmes përdorimit të filibuster-it në Senat. Dy të pestat e Senatit, që potencialisht përfaqësojnë vetëm rreth 10% të popullsisë së përgjithshme amerikane, mund të bllokojnë ligje përmes vetos së tyre de facto. Për sa kohë kjo vazhdon, Amerika qeveriset efektivisht nga një oligarki, kundër qëllimeve të shprehura të Federalistëve, burra që nuk ishte se kishin ndonjë dashuri të madhe për demokracinë që në krye të herës.
Shtetet e Bashkuara përballen me sfida të paprecedenta. Krahas sulmeve të përditshme të Trumpit ndaj sundimit të ligjit, shoqëria amerikane duhet të vendosë si do të përballet me ngritjen e inteligjencës artificiale, ndryshimet klimatike dhe pabarazinë e dalë jashtë kontrollit, mes shumë çështjesh të tjera. Përparimi do të kërkojë, së paku, këmbënguljen te të drejtat bazike të shumicave demokratike, siç garantohen nga Kushtetuta. Të ruash status quo-në do të thotë të bësh punën e oligarkëve në vend të tyre. Në antikitet, oligarkia imagjinohej si një forcë që i vinte flakën demokracisë. Sot, si në memen e famshme, demokratët rrinë ulur në një ndërtesë që digjet, të cilën e kanë ndërtuar vetë, dhe thonë: “Gjithçka është në rregull.”
Lini një Përgjigje