Për librin e Halil Ramës “Mehdi Luca, emblemë e qytetarisë dibrane”

22 Korrik 2025, 17:09Kulturë TEMA
Për librin e Halil Ramës “Mehdi Luca, emblemë e

NGA PROF. DR. PETRIT BARA, MJESHTËR I MADH & ZV/REKTOR I UNIVERSITETIT “LUARASI”/ Në këto kohë të globalizimit, përballë agresionit të mediave të shumta sociale, botimi i një libri monografik të shkruar është ngjarje e rëndësishme. Sepse siç thonë latinët “e shkruara mbetet”.

Kësaj sentence të përbotshme i është përmbajtur besnikërisht shkrimtari dibran Halil Rama – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi” i Bashkisë Bulqizë, duke shkruar, botuar, promovuar dhe duke futur në fondin e letërsisë dokumentare shqiptare dhjetëra monografi letrare.

Që në fillim dua ta falënderoj këtë autor mjaft produktiv e cilësor, për monografitë që ka shkruar e botuar për disa personalitete të Dardhës, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, për ikonën e artit e kulturës kombëtare Skënder Cala, për Bajram e Lutfi Ndreun, për Isuf Rashën si dhe për shkrimet brilante në librin e tij të fundit “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” dhe shtypin qendror – biografi të letrarizuara kushtuar Nderit të Kombit Hazis Ndreu, i njohur si “Ezopi i Dibrës”, për Liri Rashën që e ka pagëzuar si “pasaporta artistike” e Dibrës, për zërin e lavdisë shekullore Qerim Sula, për Mjeshtrin e Madh Muharrem Gjoka – Qytetar Nderi i Qarkut Dibër dhe President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, etj., etj.

Personalisht kam provuar emocionet e botimit të disa artikujve të Z. Halil Rama, si përcjellje e profilit tim njerëzor intelektual e profesional dhe të veprimtarive të mia publike, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Peshkopi, Bulqizë Dibër të Madhe, Kukës e Tetovë ku më kanë vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi”, (në Tetovë jam, vlerësuar “Qytetar Nderi”, vetëm një muaj pasi ky titull ju dha edhe nobelistit Ferid Murad, ndërkohë që Universiteti i Tetovës më vlerësoi me titullin doktor “Honoris Causa”), si dhe kur më është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Gjithsesi, me librin e tij të 29-të, ka meritën e përjetësimit të Mehdi Lucës, një personalitet i Dardhës dhe i gjithë Dibrës që me veprimtarinë e tij jetësore mbi të gjitha fitoi titullin njeri. Duket fare qartë kjo që në titullin sinjifikativ të kësaj monografie “Mehdi Luca – Emblemë e qytetarisë dibrane”.

Vetë forma kompozicionale e librit me pesë kapituj: “Zall Dardha në rrjedhën e historisë”, “Tartaj, një emër i ashpër”; “Karriera e suksesshme e Mehdi Lucës nga drejtues i LANÇ në institucionet dhe ndërmarrjet e Dibrës”; “Krijimtaria letrare e Mehdi Lucës” dhe “Bashkëkohësit për Mehdi Lucën”, është një qasje e veçantë e autorit H.Rama për ta bërë atë sa më tërheqës për lexuesin.

Është një libër objektiv, racional që përcjell vlera tek bashkëkohësit, qoftë me përshkrimin e ngjarjeve e fakteve të reja nga qëndresa e burrave të Dardhës kundër pushtuesve të huaj, ashtu dhe me portretizimet e babës Islam e të nënë Hanishes, miqtë e familjes së tij, si dhe solidaritetin vëllazëror e miqësor.

Ndërsa për sa i përket personazhit kryesor të librit, Mehdi Luca, përveçse nga autori i mirënjohur Halil Rama, karakteri i tij burrëror, mençuria, mirësia njerëzore, thjeshtësia dhe vizioni i tij bashkëkohor, përcillen mjaft qartë e bukur edhe nga opinionet e bashkëkohësve të tij si: Prof. Dr. Hajri Shehu, Hysen Laçi, Fehmi Luca, Shuaip Methasani, Skënder Cala, nga nipi i tij Dr. Zyber Gjoni, Idriz Kukeli, Muharrem Gjoka, Dogjan Dervishi, Bashkim Xhilaga, Avni Ndreu, Xhemali Luca, nga e bija Kujtimja, mbesat Azhena e Amanda Luca dhe Ligea Gjoni.

Por unë do të perifrazoja vlerësimin e prof. dr. Hajri Shehut, një nga gjuhëtarët më të mirë në rang kombëtar, sipas të cilit: ”Respekti nuk kërkohet. Respekti fitohet. Mehdi Luca e pati fituar respektin. Me punë e me sjellje. Në punë e kudo.…Mehdi Luca është i gjallë për të gjithë ne. Me të gjitha të mirat që pati. Dhe s’ka më mirë, kur njeriu që ikën, është përsëri i gjallë”. (fq. 138). Po ashtu në shkrimin e kësaj monografie, Halil Rama ka pasur parasysh edhe vlerësimin e dr. Zyber Gjonit, në optikën e të cilit: “Mehdi Luca nuk kishte grada shkencore, por kishte diçka shumë më të çmuara “grada njerëzore”, që i kishte fituar duke u shërbyer njerëzve në nevojë me ndershmëri dhe përkushtim.

Emri dhe vepra e tij janë gdhendur në memorien e bashkëkohësve, të afërmeve, por jo vetëm, që do të kujtohet në shumë breza” (Fq. 152). Ndërsa studiuesi e poeti Saki Cami shkruan në përcjellje të kësaj monografie se ”Për Mehdi Lucën shkrimtari dhe publicisti Halil Rama në fillim shkroi një shkrim monografik të shkurtër përkujtimor, monografi që pati shumë reagime pozitive. Shumë njerëz, bashkëkohës dhe të rinj shprehën vlerat e këtij njeriu me zemër të gjerë. Kështu lindi nevoja për të shkruar një libër monografik, libër që përshkruan më së miri jetën dhe veprën e Mehdiut, por edhe të bashkëkohësve të tij”.

Nëpërmjet kësaj monografie lexuesi njihet me aktivitetin luftarak të Mehdi Lucës gjatë Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, me kuadrin e devotshëm të shkolluar në të famshmin Internat i Kastriotit, me njeriun që sa qe gjallë vështrimin e kishte nga vendlindja. Për të mos shuar kureshtjen e lexuesit, nuk po ndalem në hollësira të librit, por dua të shtoj se kjo monografi ia vlen të lexohet dhe të pasurojë bibliotekën e çdo dibrani, pasi para së gjithash është përjetësim i të virtytshmit të paharruar Mehdi Luca.

Kjo monografi është një vepër e rëndësishme në ndihmë të banorëve të Dardhës, e të atyre që janë larguar prej saj dhe që frymojnë në Tiranë e në hapësirën mbarëshqiptare në botë, e cila padyshim plotëson një boshllëk në historiografinë e një treve lavdiplotë si Zall Dardha, me të cilën krenohet edhe vetë autori Halil Rama, si nip i një familje të saj me emër.

E falënderoj autorin H.Rama edhe për faktin se ka shkruar thjeshtë dhe bukur një monografi kushtuar Mehdi Lucës, me të cilin jemi nga i njëjti fis (Në Tartaj, janë të një fisi: Luca, Pira, Gjoka, Bara, Xhaferi e Braka). Libri monografik, “Mehdi Luca – Emblemë e qytetarisë dibrane”, i shkruar me një përkushtim dhe dashuri prej hulumtuesi, dokumentuesi, analisti nga pena e mirënjohur dhe kreative e Halil Ramës, është një vepër e një rëndësie, gjithsesi të veçantë, së pari për komunitetin që i përket personazhi i saj, së dyti për brezat e ardhshëm, së treti për historinë dhe krijimin e një tradite të shkrimit të dokumentuar, traditë kjo, e cila i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë kulturës shqiptare./Gazeta Panorama

Lini një Përgjigje