Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, kompozitori dhe pianisti Robert Bisha reflekton në lidhje me dokumentarin e tij, “Nuse”, një film që shkon përtej kinemasë konvencionale për t’u shndërruar në një meditim etno-muzikologjik rreth kujtesës, ritualit dhe forcës së grave shqiptare. Nëpërmjet zërave dhe këngëve të Zadrimës, filmi eksploron mënyrën se si tradita mbijeton si mënyrë komunikimi.
Në qendër të bisedës është kthimi i tij vazhdimisht tek rrënjët. Ai tregon se disa nga përvojat më të hershme formuese muzikore kanë ardhur nga këngët e përditshme – zëra që ndërthureshin me punën, ritualet dhe jetën e përbashkët.
Robert Bisha thekson kritikën e tij ndaj mënyrës se si muzika e vërtetë tradicionale shpesh trajtohet nga kompozitorët shqiptarë. Sipas tij, shumica e tyre priren ta veshin folklorin me harmoni moderne për ta bërë më të pëlqyeshëm për audiencën bashkëkohore, një qasje të cilën ai e quan kolonialiste. Për të, muzika tradicionale është e pakohë, kërkon respekt dhe jo thjesht përshtatje për t’u pëlqyer nga sa më shumë njerëz.
Bashëkbisedimi merr një tjetër rrjedhë ndërsa Roberti tregon se i sheh gratë personazhe në dokufilm, por edhe veten e tij, brenda konceptit të anarkizmit, jo si kaos por si një akt horizontal bazuar tek respekti i ndërsjellë dhe përgjegjësia. Duke bërë një paralele mes mendimit anarkist dhe Kanunit, ai shprehet se shoqëria e dikurshme tradicionale shqiptare përmbante forma mjaft të sofistikuara të vetëorganizimit, që sistemet moderne shpesh i anashkalojnë. Skepticizmi i tij ndaj institucioneve politike, madje ndaj vetë demokracisë siç praktikohet sot, hap një reflektim më të gjerë rreth lirisë dhe autoritetit në jetën bashkëkohore.
I pyetur për refuzimin e tij ndaj krijimit të albumeve muzikore, Bisha shprehet se regjistrimi i muzikës rrezikon në njëfarë mënyre burgosjen e saj; performanca direkte dhe improvizimi ruajnë brishtësinë dhe paparashikueshmërinë që i japin artit vërtetësinë e tij. Në këtë kuptim, dokufilmi “Nuse” ndoshta mund të shërbejë si një e mesme e artë, pasi funksionon si një mënyrë për të dokumentuar muzikën, pa e kontrolluar atë.